“Ky është 8 Marsi i mohimit të të drejtave, skamjes, qeverisjes së krimit, papunësisë, dhunës . Sot gratë shqiptare janë në spiralen e një krize të thellë shkaktuar nga krimi shtetëror dhe mafia. Gratë janë dhe do të jenë shpirti dhe fryma e protestave opozitare”.
Këtë mesazh dha sot kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare në takim me gratë në Durrës. Në fjalën e saj, zonja Vokshi vuri theksin tek realiteti i rëndë i grave ku u mohohet ndihma ekonomike, mbështetja sociale, punësimi, trajtimi me ilacce, kurimi, shkollimi si dhe mbështetja e shtetit kur ato janë viktima të dhunës. “Kemi një kryeministër që urren gratë dhe ministra josociale, të papërgjegjshëm për rolin dhe të drejtat e grave në një shoqëri demokratike”, tha Vokshi. Kryetarja e LDGSh-së ftoi gratë të mbështesin inisiativën e lidershipit të Partisë Demokratike, kryetarit Lulzim Basha për 50 % kandidim në lista zgjedhore.
Në këtë takim, gratë shprehën protestën e tyre për rastet e fundit të vrasjeve dhe vetvrasjeve të grave për shkak të situatës së rëndë dhe moskujdesjes ndaj tyre. Gratë deklaruan se vetëm protesta e opozitës do t’i thotë ndal revanshit të mazhorancës së lidhur me krimin. Zonja Vokshi ftoi gratë të jenë në ballë të protestës në shesh ditën e enjte.
Njoftim për shtyp, 8 Mars 2015