Mëngjesin e ditës së 78-të të protestës për zgjedhje të lira, kryedemokrati Lulzim Basha diskutoi me qytetarët për fitoren e Republikës së Re ndaj zgjedhjeve moniste të përgatitura nga Rilindja për Kavajën.
Intelektualët, profesionistët dhe studentët folën për arritjen e qëndresës qytetare dhe për problemet që i shtyjnë ata të ngrenë zërin.
Studentët folën për mënyrën si e shohin të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Edhe ata me shkollim të nivelit master treguan për mungesën e vendeve të punës dhe përfundimin e pashmangshëm të të rinjve në Call Centre, pavarësisht shkollimit të marrë.
Taulanda Jupi solli në vëmendje vargjet e John Lennon kur thonte: Në fillim na quajtën ëndërrimtarë, por si të tillë nuk jemi të vetëm. Aktorja tha se ishin ata të rinj, qytetarët qëndrestar të maratonës 78 ditore të protestës për zgjedhje të lira, fitimtarët e vërtetë të betejës për Kavajën. Kjo fitore duhet të jetë motivim për një fitore edhe më të madhe – tha Taulanda – të mos vetkënaqëmi dhe të mbetemi këtu.
Kjo fitore e qytetit të Kavajës, dhe si e tillë e gjithë Shqipërisë, për Agron Tufën është një simbolikë e fitores së shënuar në Kavajë 27 vite më parë. Ai i thirri qytetarëve të vrasin frikën dhe të ngrihen për të drejtat e tyre.
Lirinë nuk mund t’jua marrë askush, nëse qëndroni të vendosur. – ky ishte apeli i studiuesit Ndriçim Kulla, i cili çadrën e protestës e sheh si risinë më të fundit politike që po shkakton impakt edhe tek më skeptikët e kauzës për zgjedhje të lira.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha falenderoi qytetarët shqiptarë për vendosmërinë në arritjen e drejtësisë për Kavajën dhe gjithë Shqipërinë.
“Tërheqja e Edi Ramës nga zgjedhjet e diktuara nga krimi në Kavajë, është vetëm rezultat i qendrës suaj dhe vendosmërisë për të mos lejuar monizëm të diktuar nga krimi dhe nga droga.
Qytetarët që luftuan për 11 javë, çdo ditë, arritën atë që askush tjetër nuk e arriti dot për 3 vite e gjysëm, madje as opozita parlamentare nuk ia doli të siguronte në 3 vite e gjysëm atë që shqiptarët e bashkuar arritën për Shqipërinë, për veten tuaj dhe për të ardhmen tonë në 78 ditë.”
Kryedemorkati tha se Edi Rama u tërhoq nga ‘masakra elektorale’, që kishin rezervuar për datën 7 maj në Kavajë bandat kriminale të përgatitura për të larë hesapet me njëra tjetrën.
“Askush nuk kishte ndërmend të bënte asgjë. As Edi Rama nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga ky plan ogurzi. Ambasadat u kufizuan me deklarata, ngahera dhe pa to. Socialistët e ndershëm të Kavajës ulën kokën para krimit.
Gjithçka u përmbys sepse e vetmja forcë që mund ta ndalë, që mund të përballet dhe fitojë përballë krimit të veshur me pushtet, janë shqiptarët e bashkuar në këmbë, të vendosur se nuk do të kthehen nga kjo rrugë pa fitore totale të demokracisë në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë.”
Lulzim Basha i premtoi qytetarëve se ky vend nuk do të shohë më kurrë zgjedhje moniste pa pjesmarrjen e opozitës dhe as një process që nuk garanton lirinë dhe vërtetësinë e votës së shqiptarëve.
“Tërheqja nga Kavaja nuk është dhuratë e nuk është lëmoshë, por është sprapsje e detyruar nga refuzimi masiv i kavajasve për t’u keqpërdorur ditën e dielë.
Të vetmet zgjedhje që ky vend do të mbajë do të jenë zgjedhjet e lira e të ndershme, të lira nga krimi, droga dhe monizmi, përmes një qeverie teknike e cila do të përmbushë mandatin popullor për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaj letë mos kemi asnjë iluzion se ky proces i rikthimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, të cilin ne natyrisht preferojmë ta zgjidhim përmes dialogut, do të ketë sukses pa patur edhe një herë bashkimin më të madh të shqiptarëve në këmbë e të vendosur, pa i demonstruar përmes pjesëmarrjes më masive të shqiptarëve javën e ardhshme këtu në këtë bulevard Edi Ramës, kupolës politike të republikës së vjetër dhe mbarë botës se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk do të pranojë kurrë zgjedhje të diktuara nga krimi, të diktuara nga droga dhe pa opozitën.”
Zoti Basha i drejtoi një thirrje cilitdo, që padrejtësinë e përjetuar këto katër vjet kërkon ta lërë pas dhe shpreson ende në një realitet më të begatë për të apo fëmijët e tij. Të bashkohen në marshimin paqësor të javës së ardhshme, për të treguar edhe njëherë se vetëm me forcën e vendosmërisë së pathyeshme të qytetarëve, zgjidhja vjen për gjithë Shqipërinë.