Asnjë tërheqje nuk do të ketë me të keqen, por do të ketë përballje totale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri të çliruar nga droga, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni.
- Një Shqipëri, ku fermerët shqiptarë nuk do të kenë zgjedhje mes largimit, falimentimit dhe hashashit, por do të kenë mbështetje direkte me fonde dhe subvencione.
- Një Shqipëri dhe një Republikë për 650 mijë pensionistët shqiptarë të cilëve do t’i dorëzojmë të drejtën e tyre, paratë e republikës së vjetër që sot e kësaj dite vazhdojnë të zhduken në xhepat e oligarkëve. Një pension minimal prej 250 mijë lekësh në muaj për ta.
- Biznesi i vogël, përfaqësuesit e të cilit i dhanë sheshit të lirisë të vërtetën e dhimbshme të një ekonomie në krizë totale, duhet ta dinë se dita e parë e Republikës së Re do të jetë dita e çlirimit një herë e përgjithmonë nga taksat e larta dhe nga zuzarët, taksidarët dhe inspektorët e qeverisë.
- Qindra mijëra të punësuar në sektorin privat, do të njohin paga më të larta dhe siguri më të lartë në vendet e tyre të punës, me taksën më të ulët në Ballkan, taksën e sheshtë 9%, e cila do të rikthejë ekonominë tonë dhe ekonominë e çdo shqiptari në kushtet e konkurencës dhe do të çlirojë pozitivitetin, do të çlirojë energjinë e biznesit, anembanë ekonomisë sonë kombëtare.
- Studentët që kanë qenë prej ditës së parë balli i lëvizjes sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me votën, do të përcaktojnë shtatorin e ardhshëm, ligjin e ri për arsimin e lartë, me tarifa të reduktuara, me mundësi për çdo student, me autonomi të plotë universitare dhe me stazhe të paguara nga Republika e Re për 10 mijë studentë, bijë e bija shqiptarësh çdo vit.
- Një sistem arsimor modern do të shtrihet anembanë vendit për ti garantuar çdo prindi shqiptar kujdesin maksimal, përfshi drekën në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Shqipërisë, dhe qetësinë e mendjes se fëmijët e tyre nuk do të enden rrugëve, por do të dalin njëkohësisht me ta për tu bashkuar në vatrat familjare me standardet europiane të arsimit në Republikën e Re. Do të mbështesim financiarisht çdo fëmijë shqiptar me një shumë prej 30 mijë lekësh në muaj.
- Të përndjekur dhe pronarë, Republika e Re do t’i japë fund padrejtësisë që kurrë nuk mori fund për ju me kompensimin e plotë me vlerën e tregut, me dëmshpërblimin financiar dhe moral tuajin, krenaria e historisë tonë të dhimbshme, balli i protestës dhe qëndrësës tonë.