Puna është e drejta themelore, e lidhur dhe e pandashme me qenien njerëzore, mënyra mbi të cilën krijohet e ngrihet mirëqenia dhe kënaqësia personale dhe familjare. Mundësia për punë për këdo dhe punësimi sa më i plotë, veçanërisht i rinisë, është synim madhor dhe i pandashëm nga zhvillimi ekonomik. Ne besojmë se nisma e lirë dhe tregu konkurrues janë faktorët parësorë për punësim ndaj dhe politikat dhe instrumentet publike duhet t’i shërbejnë para së gjithash zgjerimit të sipërmarrjes që njëherazi është zgjerim i mundësive për punësim. Arsimimi masiv, cilësor, i përshtatshëm dhe i vazhdueshëm është gjithashtu i domosdoshëm që çdo individ, të rinjtë në veçanti, t’u përshtaten kërkesave të tregut vendas dhe global dhe të shfrytëzojnë me sukses mundësitë që ofrohen. Ndërkaq, zbutja e defekteve të tregut dhe mbështetja e grupeve dhe individëve më pak të avantazhuar në treg, do të përbëjë edhe thelbin e politikave integruese sociale përmes punësimit.