Të zgjedhurit vendorë të Partisë Demokratike do të jenë mbrojtës të fuqishëm të lirive dhe të drejtave të çdo qytetari shqiptar, pa dallim ngjyrash politike. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Konventës së të zgjedhurve vendorë demokratë, ka nënvizuar fjalën “Përgjegjësi”, si parimin themelor të funksionimit të pushtetarëve vendorë të PD-së:
“Përgjegjësi për të mbajtur deri në fund premtimet para zgjedhësve, përgjegjësi për të mbrojtur me forcën e ligjit qytetarët, familjet, pronën dhe pasuritë e tyre nga çdo lloj arbitrariteti i veshur me pushtet, përgjegjësi për të mbrojtur dhe zbatuar standardet më të përparuara të autonomisë vendore, përgjegjësi për t’ju përgjigjur sfidave të reja që lidhen me ndryshimin e pushtetit në nivel qendror në zgjedhjet politike të këtij viti”, tha ai.
Zoti Basha deklaroi se është detyrim i Partisë Demokratike, t’i bëhet sot barriere arbitraritetit të qeverisë, që me vendimet e fundit e ka vendosur veten mbi ligjin dhe Kushtetutën.
Kryetari i PD-së, ka theksuar se ligji dhe vetëm ligji është qasja e drejtë dhe e pagabueshme për zgjidhjen e problemeve.
“Si opozitë, si Parti Demokratike, por edhe si të zgjedhur vendorë, ne jemi shumë të shqetësuar me serinë e akteve arbitrare antiligjore të kryeministrit Rama në startin e tij të qeverisjes. Qeverisja ka nisur si një fushatë kundër konsensusit, ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Vetë kryeministri po tregon ditë për ditë me aktet që po ndërmerr, se ligji nuk është rruga, por pengesa që duhet rrëzuar, duhet shkelur me këmbë, duhet flakur matanë, për ta kaluar ai me veprën e tij të zhbërjes. Nuk po flas sot për aktin normativ famëkeq dhe shumë bëma të tjera të stampës arbitrare, të denoncuara ditë për ditë para publikut nga opozita. Po ndalem tek vendimi i fundit, “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit të ndërtimit”, që i hap rrugë shembjes së ndërtimeve me leje, në bazë të vlerësimit të kryeinspektorit. Ky është një akt pa precedent, që gjen justifikim vetëm në filozofinë e qeverive me frymë junte, një vendim që godet hapur Kushtetutën, ligjet e tjera të vendit, parimet dhe moralin e demokracisë. Askush të mos ketë iluzionin më të vogël, se abuzimet mund luftohen në mënyrë abuziviste; askush të mos vetëgënjehet, se ka marrë mandat për të zhbërë shtetin ligjor, duke dashur t’i mbivendosë shtetin e fantazive të tij. Ky është leximi më i gabuar i votës së popullit, me pasoja negative të paimagjinueshme”.
Përpara kësaj situate, zoti Basha ka kërkuar nga të zgjedhurit vendorë të PD-së, të përgatiten për të mbrojtur me mjete demokratike Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Të jemi në këmbë, për liritë dhe ligjin! Të mos lejojmë për asnjë arsye cënimin e tyre, të përgatitemi të mbrojmë sëbashku me çdo mjet demokratik Kushtetuten e vendit, korpusin ligjor, pasuritë dhe pronat e ligjshme që njerëzit i kanë siguruar me mund dhe me djersë dhe që janë pasuri e vendit! Te kjo Konventë që po nis jetë sot, publiku shqiptar, pa dallim ngjyrash politike, do të ketë një mbrojtëse të fuqishëm të lirive dhe të drejtave të fituara me përpjekje të mëdha” – u shpreh z. Basha.
Mazhoranca e para 23 qershorit theksoi ai, plotësoi kushtet dhe kriteret për të merituar statusin e vendit kandidat. Zoti Basha tha se Statusi, është i gatshëm në tavolinë dhe kjo qeveri, nuk ka çfarë të bëjë tjetër vetëm të shkojë në Bruksel e ta marrë në emër të shqiptarëve.
“Partia Demokratike plotësoi një nga një të gjitha kriteret dhe kushtet. Status, i cili pritet i gatshëm në tavolinë dhe që kjo qeveri, nuk ka çfarë të bëjë tjetër vetëm të shkojë në Bruksel e ta marrë në emër të shqiptarëve.Për ne pushteti nuk ka qenë e nuk do të jetë ndonjëherë qëllim në vetvete. Mirëqenia, zhvillimi dhe integrimi i vendit tonë në Europë kanë qenë dhe janë qëllimet e politikës sonë. Duke fituar statusin, falë standardeve që vendosëm dhe zgjedhjeve që zhvilluam në 23 qershor, ne kemi arsye të plota të reklamojmë protagonizmin tonë në arritjen e një suksesi të ri historik në rrugën e integrimit europian të vendit, duke ndarë këtë gëzim të ligjshëm me të gjithë qytetarët shqiptarë”, u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha.
Në fjalën e tij, kryetari i PD Basha është ndalur edhe tek decentralizimi. Në qeverisjen e Partisë Demokratike, pushtetit vendor i kaluan në administrim sistemet e ujësjellës – kanalizimeve, investimet u pesëmbëdhjetëfishuan, në krahasim me vitin më të mirë të qeverisjes socialiste, u arrit që buxhetimi me pjesëmarrje të bëhet një normë e punës së njësive vendore. U realizuan në nivel vendor reforma epokale, si dixhitalizimi i gjendjes civile, prokurimi elektronik, proceset one-stop shop për bizneset, etj. Përballë një rekordi pozitiv në këtë drejtim, të shënuar nga qeverisja e PD-së, në 8 vitet e qeverisjes së saj, gjendet sot një program konfuz i qeverisë së re, lidhur me autonominë vendore.
“Programi i saj për autonominë vendore është konfuz dhe në hava, si shumë çështje të tjera të programit të ashtuquajtur të Rilindjes, të cilit me shtyrjen në kalendat greke të premtimeve themelore, nga vetë zoti Rama dhe me fshirjen fare të shumë premtimeve të tjera, i ka mbetur vetëm emri. Nga ana tjetër, duhet të presim draftimin e buxhetit të ri të shtetit, për të kuptuar se çfarë ka mbetur në këtë qeveri nga standardi i qeverisjes së Partisë Demokratike, për të mbështetur me fonde dhe projekte pushtetin vendor. Por shenjat janë se sfidat për të cilat po flasim, do të jenë jo sfida por sfidime nga ana e qeverisë. Do të jenë të mëdha, të shumëllojshme. Ne duhet të përgatitemi, për tu përballuar me situata nga më të vështirat, duke filluar me ato financiare e duke vazhduar me ato të paligjshmërisë dhe arbitraritete të qeverisë”, theksoi kreu i PD, Lulzim Basha.
Nga Konventa e të zgjedhurve vendorë demokratë, Zoti Basha ka kërkuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqatave të të zgjedhurve vendore, në të gjitha vendimarrjet e rëndësishme që lidhen me funksionimin e këtij pushteti, përfshirë dhe reformën administrativo-territoriale.
“Të zgjedhurit tanë vendorë janë e duhet të jenë aktivë dhe protagonistë në të gjitha çështjet e qeverisjes vendore, përfshirë reformën administrative-territoriale. Ne jemi ideatorët e parë të kësaj reforme, por ajo nuk mund të fabrikohet në zyra të mbyllura, nuk mund të lëshohet nga lart si rrufe. Ajo duhet të diskutohet e debatohet në mënyrë gjithpërfshirëse. Në këtë çështje kaq të ndjeshme duhet të marrim patjetër parasysh të drejtën e qytetarëve për të vendosur ata vetë, për territorin e njësive të tyre vendore dhe të riaktivizojmë bashkëpunimin ndërbashkiak e ndërkomunal”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se PD do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve, si interesat më të larta të qeverisjes.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për më shumë mirëqënie e demokraci. Partia Demokratike do të vazhdojë të konsiderojë interesat e qytetarëve, si interesat më të larta. Për ne, i pari është qytetari, kudo ku ai ndodhet”- deklaroi
z. Basha
Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha në Konventë:
Të nderuar zotërinj kryetarë të bashkive e komunave, përfaqësues të Partisë Demokratike
Të nderuar Kryetarë të Këshillave vendore
Të nderuar Kryetarë të Këshillave të qarqeve
Të nderuar z. Mema dhe z. Plaku, Kryetarë të Shoqatave të qarqeve dhe komunave
Të nderuar ekspertë të fushës e përfaqësues të shoqërisë civile
I nderuar zv/Kryetar i Kuvendit
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë
Është hera e parë që mblidhemi në këtë format – kryetarë komunash, kryetarë bashkish, kryetarë të këshillave vendore, kryetarë të këshillave të qarqeve, të zgjedhur të gjithë nën siglën e një partie, që ka shënuar kthimin dhe udhëtimin historik të Shqipërisë drejt Perëndimit, epokën e re të Lirisë dhe Demokracisë në vendin me të mbyllur të botës, Shqipërinë e zhvilluar të ditëve tona.
Kjo është Partia Demokratike, sigla e zemrës së mijëra e mijëra demokratëve, ku rreh prej më shumë se 22 vitesh pulsi i shëndetshëm i shpresës, ndryshimit dhe përparimit të Shqipërisë drejt Europës.
Kjo është Partia Demokratike, shtëpia jonë e lirive, vizioni ynë i shtetit të së drejtës.
Kjo është Konventa e parë e të zgjedhurve të saj vendorë, një fuqi e madhe e demokracisë në Shqipëri, që po merr sot jetë në Tiranë, por do të jetë një forum i përhershëm në një rrugë të gjatë dhe të pandalshme.
Si kryetar i Partisë Demokratike dhe njëherësh si Kryetar i Shoqatës së Kryebashkiakëve të Shqipërisë, kam kënaqësinë e veçantë që në ditën e parë dhe në mbledhjen e parë të kësaj Konvente t’ju përshëndes dhe t’ju falenderoj të gjithëve për praninë tuaj këtu, për kontributin e çmuar që keni dhënë dhe po jepni në përmbushje të misionit dhe detyrave që kemi marrë përsipër, duke shërbyer me besnikëri kontratën tonë me zgjedhësit, duke respektuar me fanatizëm kredon tonë “Të parët janë qytetarët”, duke mbajtur lart figurën e të zgjedhurve të Partisë Demokratike.
Për secilin prej nesh, duke filluar me mua si drejtues i bashkisë më të madhe të vendit, Tiranës, e deri tek këshilltari demokrat i komunës me të vogël, është nder, krenari dhe përgjegjësi të jemi të zgjedhurit e Partisë Demokratike në pushtetin vendor.
Dëshiroj të nënvizoj fjalën “Përgjegjësi”, si një fjalë kyçe të kësaj Konvente, si një parim të përhershëm të kulturës qeverisëse të demokratëve, por që duhet të spikasë akoma më shumë dhe të fitojë një përmasë të re në këtë periudhë dhe në vijimësi.
Përgjegjësi për të mbajtur deri në fund premtimet para zgjedhësve.
Përgjegjësi për të zbatuar një për një detyrat.
Përgjegjësi për të qëndruar ditë për ditë pranë qytetarëve, duke i dëgjuar, duke i konsultuar, duke kërkuar bashkë me ta zgjedhjet më të mira për problemet dhe hallet e tyre të përditshme.
Përgjegjësi për të mbrojtur me forcën e ligjit qytetarët, familjet, pronën dhe pasuritë e tyre nga çdo lloj arbitrariteti i veshur me pushtet.
Përgjegjësi për të mbrojtur dhe zbatuar standardet më të përparuara të autonomisë vendore, që kanë gjetur shprehje në legjislacionin tonë kombëtar dhe në marrëveshjet ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar dhe është e detyruar të zbatojë në këtë fushë.
Përgjegjësi për të mobilizuar të gjitha mundësitë dhe burimet vendore të zhvillimit, sado modeste qofshin, në funksion të zhvillimit të komunave, bashkive dhe qarqeve tona.
Përgjegjësi për të qenë zëri i kthjellët i shpresës, i së drejtës dhe pozitives në këtë vend.
Përgjegjësi për t’ju përgjigjur sfidave të reja që lidhen me ndryshimin e pushtetit në nivel qëndror në zgjedhjet politike të këtij viti.
Ka ndodhur rrotacioni. Në pushtet kanë ardhur forcat e së majtës. Ky është një fakt të cilin ne e kemi njohur, duke pranuar si dhunti të demokracisë europiane, që vetë qeveria e Partisë Demokratike ndërtoi në Shqipëri.
Pavarësisht nga rezultati që morëm në këto zgjedhje, ne jemi dhe duhet të jemi krenarë me arritjet e qeverisë sonë dhe Kryeministrit tonë, që organizuan dhe zhvilluan zgjedhjet më të mira në historinë e vendit, zgjedhje që hapën përfundimisht rrugën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Status, për të cilin kjo Parti Demokratike plotësoi një nga një të gjitha kriteret dhe kushtet.
Status, i cili pritet i gatshëm në tavolinë dhe që kjo qeveri, nuk ka çfarë të bëjë tjetër vetëm të shkojë në Bruksel e ta marrë në emër të shqiptarëve.
Për ne pushteti nuk ka qenë e nuk do të jetë ndonjëherë qëllim në vetvete. Mirëqenia, zhvillimi dhe integrimi i vendit tonë në Europë kanë qenë dhe janë qëllimet e politikës sonë. Duke fituar statusin, falë standardeve që vendosëm dhe zgjedhjeve që zhvilluam në 23 qershor, ne kemi arsye të plota të reklamojmë protagonizmin tonë në arritjen e një suksesi të ri historik në rrugën e integrimit europian të vendit, duke ndarë këtë gëzim të ligjshëm me të gjithë qytetarët shqiptarë.
Nga këndvështrimi demokratik rotacioni i pushtetit qëndror nuk duhet të krijojë asnjë problem për funksionimin normal të pushtetit vendor. Shqipëria demokratike ka bërë një kapërcim të madh cilësor në fushën e konsolidimit të pushtetit vendor, duke përshtatur dora-dorës standardet më të përparuara evropiane në legjislacionin e saj dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme për zbatimin me sukses në praktikë të këtyre standardeve.
Decentralizimi si një përmasë e pazëvendësueshme lirie dhe demokracie është një realitet i gjallë dhe i prekshëm në jetën tonë dhe qytetarëve tanë. Një kulturë e re ka lindur dhe po rritet në lidhje me autonominë vendore dhe vlerat e saj. Gjatë tetë viteve të Qeverisjes së Partisë Demokratike kjo kulturë decentralizimi dhe liberalizimi në tërësi, njohën një zhvillim pa precedent në historinë politike të vendit tonë.
Njohën një zhvillim, i cili ka prekur jo vetëm hallkën e menaxhimit të pushtetit dhe praktikat e tyre, por jetën e çdo qytetari shqiptar.
Pushteti vendor mori përgjegjësi dhe kompetenca shumë të rëndësishme në sektorët e administrimit të territorit, aseteve dhe shërbimeve vendore.
Mjafton të përmendim sot se gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u transferuan në pronësi të qeverisjes vendore, sistemet e ujësjellës – kanalizimeve në përputhje të plotë me politikat dhe sugjerimet e institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë. U inventarizuar të gjitha pasuritë publike në njësitë vendore dhe procesi është drejt përfundimit. Investimet në nivel lokal u pesëmbëdhjetëfishuan në krahasim me vitin më të mirë të qeverisjes paraardhëse socialiste. Falë edhe ndihmës së pakursyer të partnerëve tanë ndërkombëtarë, u arrit që buxhetimi me pjesëmarrje të bëhet një normë e punës së njësive vendore. Ne realizuam në nivel vendor re
forma epokale; si dixhitalizimi i gjendjes civile, prokurimin elektronik, proceset me një ndalesë të vetme për bizneset (one-stop shop), e tjerë. Këto arritje dhe shumë të tjera si stad i autononomisë së pushtetit vendor përbëjnë një garanci për të ecur përpara në marrëdhënie të hapura bashkëpunimi me qeverisjen qëndrore. Natyrisht, nuk do të ishim realistë po të thonim se me qeverinë socialiste gjërat do të shkojnë njëlloj si me qeverinë e Partisë Demokratike. Situata e krijuar në vend, kur të majtët kanë shumicën në qeverisjen qëndrore, është e tillë që dikton nevojën për bashkëjetesë pozitive mes pushtetit qëndror dhe atij vendor të zgjedhur që të dy me votë nga qytetarët.
Nga ana jonë ne ofrojmë vizionin e koabitacionit, që do të thotë, respekt dhe bashkëpunim i ndërsjellë në kufijtë e kompetencave të njohura me ligj; mbështetje konkrete të çdo reforme dhe akti që shkon në favor të decentralizimit dhe fuqizimit të autonomisë së pushtetit vendor.
Sa më afër njerëzve, aq më i lartë është pushteti. Ky është koncepti modern për pushtetin në përgjithësi dhe për atë vendor në veçanti, koncept të cilin ne e kemi bërë pjesë të përqasjes sonë politike dhe duhet ta manifestojmë çdo ditë në punën tonë. Asnjë kompleks, asnjë tërheqje nga angazhimet tona para zgjedhësve për faktin se ka ndryshuar qeverisja qëndrore.
Zonja e zotërinj,
Nuk dëshiroj të anticipoj sot natyrën e sfidave që na rezervon qeveria “Rama”. Programi i saj për autonominë vendore është konfuz dhe në hava, si shumë çështje të tjera të programit të ashtuquajtur të Rilindjes, të cilit me shtyrjen në kalendrat greke të premtimeve themelore nga vetë zoti Rama dhe me fshirjen fare të shumë premtimeve të tjera, i ka mbetur vetëm emri. Nga ana tjetër duhet të presim draftimin e buxhetit të ri të shtetit për të kuptuar se çfarë ka mbetur në këtë qeveri nga vizioni dhe standardi i qeverisjes së Partisë Demokratike për të mbështetur me fonde qeverisjen dhe projektet e pushtetit vendor.
Por, shenjat janë, se sfidat për të cilat po flasim do të jenë jo sfida, por sfidime nga ana e qeverisë. Do të jenë të mëdha dhe të lloj-llojshme. Ne duhet të përgatitemi për tu përballuar me situata nga më të vështirat, duke filluar me ato financiare e duke vazhduar me ato të paligjmërisë dhe arbitraritetet të pushtetit qëndror.
Si opozitë, si Parti Demokratike, por edhe si të zgjedhur vendorë ne jemi thellësisht të shqetësuar me serinë e akteve arbitrare dhe antiligjore të kryeministrit Rama në startin e tij të qeverisjes. Qeverisja ka nisur si një fushatë kundër konsensusit, kundër ligjeve dhe kundër Kushtetutës së vendit. Vetë kryeministri po tregon ditë për ditë me aktet që po ndërmerr se ligji nuk është rruga, por pengesa që duhet rrëzuar, duhet shkelur me këmbë, duhet flakur matanë për ta kaluar ai me veprën e tij të Zhbërjes.
Nuk po flas sot për aktin normativ famëkeq dhe shumë bëma të tjera të stampës arbitrare të denoncuara ditë për ditë para publikut nga opozita. Po ndalem tek vendimi i fundit “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit të ndërtimit”, që i hap rrugë shembjes së ndërtimeve me leje në bazë të vlerësimeve subjektive dhe pa paralajmërim të kryeinspektorit! E gjitha kjo në emër të betejës së shpallur me shumë bujë për administrimin e territorit, që në mjaft bashki të administruara edhe nga Partia Socialiste ka rezultuar si në shprehjen: “U mbars mali e polli një mi”.
Në vend që të nxirrte disa mësime nga përballja e parë me realitetin e gjallë, që ka probleme sigurisht, nganjëherë edhe të mprehta e të rënda, qeveria, me vendimin për prishjen e ndërtimeve me leje, ka shkuar shumë larg në arbitraritetin e saj. Ky është një akt pa precedent, që gjen justifikim vetëm në filozofinë e qeverive me frymë junte; një vendim që godet hapur Kushtetutën, ligjet e tjera të vendit, parimet dhe moralin e demokracisë.
E përsëris: Jemi të vetëdijshëm se administrimi i territorit mbart probleme që kërkojnë zgjidhje. Secili prej nesh në territorin e njësisë së tij të qeverisjes vendore, po punojmë e duhet të punojmë më shumë dhe më mirë për të ndryshuar pozitivisht gjendjen. Por problemet nuk mund të jenë kurrë një alibi apo një justifikim për një qasje abuziviste, si kjo që po demonstron qeveria Rama. Ligji dhe vetëm ligji është qasja e drejtë dhe e pagabueshme për zgjidhjen e problemeve.
Demokracia e ka treguar vitalitetin dhe forcën e vetë të pathyeshme duke respektuar me fanatizëm parimin e madh të sundimit të ligjit, të shtetit të së drejtës.
Edhe të keqen, edhe kriminalen demokracia e mposht dhe e ka mposhtur me ligj.
Historia ka treguar se çdo shmangie nga kjo doktrinë nga këto parime të shenjta dhe universale të qytetërimit perëndimor nga politikanë populistë dhe demagogë, që kanë ardhur me premtimin e një bote të re, ka prodhuar tiranë dhe tirani që u kanë kushtuar shumë shtrenjtë popujve respektivë. Për ne shqiptarët kjo nuk është një përrallë dimri, por një tragjedi e zgjatur dhe e përjetuar thellë në palcë, që ka shënuar jetën e disa brezave nën diktaturë.
Demokracia në botë dhe në Shqipëri është e fortë, e rrënjosur. Arbitrariteti nuk ka forcë të cënojë themelet e saj. Por dalja e kryeministrit të vendit mbi ligjin dhe Kushtetutën, prirja e tij për të zevendësuar parimin demokratik të sundimit të ligjit me parimin antidemokratik, parademokratik dhe parapolitik “ligji jam unë”, krijon amulli, shkel të drejta, provokon përplasje dhe konflikte, shkatërron paqen dhe kohezionin në shoqëri, me fjalë të tjera prodhon vetëm regres dhe largim të përshpejtuar nga Europa ku duam të shkojmë.
Kurrë, kurrë ndonjëherë arbitrariteti nuk ka prodhuar një produkt më të mirë se liria. Me lirinë dhe ligjin ne futëm Shqipërinë në NATO. Me lirinë dhe ligjin e përgatitem vendin të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Me lirinë dhe ligjin mund dhe do të ecim përpara. Askush të mos ketë iluzionin më të vogël se abuzimet mund luftohen në mënyrë abuziviste. Askush të mos vetëgënjehet s’e ka marrë mandat për të zhbërë shtetin ligjor duke dashur t’i mbivendosë shtetin e fantazive të tij. Ky është leximi më i gabuar dhe i rrezikshëm i votës së popullit, me pasoja të paparashikuara, negative, me pasoja të paimagjinueshme.
Nga kjo Konventë, ku shqiptarët shohin e duhet të shohin vazhdimisht një bastion të lirive dhe të drejtave të tyre kushtetuese dhe universale, në nivel vendor dhe kombëtar, ne sot lëshojmë apelin: të jemi në këmbë për liritë dhe ligjin. Të mos lejojmë për asnjë arsye cënimin e tyre. Të përgatitemi të mbrojmë së bashku me çdo mjet demokratik Kushtetutën e vendit, korpusin ligjor, pasuritë dhe pronat e ligjshme që njerëzit i kanë siguruar me mund dhe me djersë dhe që janë pasuri e vendit, pasuri kombëtare.
Të zgjedhurit tanë vendorë janë e duhet të jenë aktivë dhe protagonistë në të gjitha çështjet e qeverisjes vendore, përfshirë reformën administrativo-territoriale. Ne jemi ideatorët e parë të kësaj reforme. Por ajo nuk mund të fabrikohet në zyra të mbyllura, nuk mund të lëshohet nga lart si rrufe. Ajo duhet të diskutohet dhe debatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Në këtë çështje kaq të ndjeshme duhet te marrim patjetër parasysh te drejtën e qytetarëve për të vendosur ata vetë drejtpërdrejt për territorin e njësive të tyre ven
dore dhe të riaktivizojmë bashkëpunimin ndërbashkiak.
Do të ketë një mbrojtëse të fuqishme të lirive dhe të drejtave të fituara me përpjekje të mëdha.
Ne do të vazhdojmë të luftojmë për më shumë mirëqenie dhe demokraci.
Partia Demokratike do të vazhdojë të konsiderojë interesat e qytetarëve si interesat më të larta.
Për ne qytetari ka qenë, është dhe do të mbetet i pari kudo që ai ndodhet!
Faleminderit.