Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, në Kongresin e 6-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, ku u shpreh se ekonomia shqiptare është rënduar në një vit qeverisje si pasojë e keqqeverisjes së Ramës dhe Metës, duke sjellë uljen e punësimit, ngrirjen e pagave dhe pensioneve, rritjen e çmimit të energjisë. Basha ftoi të gjithë sindikalistët t’i bashkohen opozitës për të ndalur oligarkinë në pushtet në rrënimin e mëtejshëm të mirëqënies dhe lirive të shqiptarëve. 

 

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj

Historia e sindikatave të Shqipërisë është e lidhur me historinë 23 vjeçare të Shqipërisë pruraliste. Ndryshe nga historia e sindikatave botërore, beteja juaj ka qenë përherë një beteje e dyfishtë; për mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe kushtetuese të punonjësve në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare por po kështu ka qenë edhe një beteje për demokracinë, për shtetin ligjor, për vlerat, të drejtat e njeriut, dinjitetin njerëzor. Ashtu siç historiku juaj flet fare qartë që në ditët e para të transforimit të Shqipërisë nga një diktaturë e izoluar e terrorit komunist, në një vend demokratik me aspirata të qarta për t’ju bashkuar Europës dhe komunitetit euro-atlantik perëndimor të vlerave, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe sindikatat e veçanta që bëjnë pjesë në këtë bashkim, kanë luajtur rolin e tyre të fuqishëm përmes zërit të anëtarëve të tyre, përmes akteve dhe veprimeve me anë të cilave shpesh kanë qenë pararojë e historisë sonë të re. 

Dhe kjo është fare e natyrshme sepse këtu në Shqipëri sikundër edhe në vende të tjera në zhvillim, është e qartë se punësimi, mirëqënia, gjendja ekonomike, gjendja e të drejtave të punonjësve është e lidhur ngushtë me gjendjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në vend. Është i lidhur pazgjidhshmërisht me çështjen e mirëqeverisjes apo të keqqeverisjes. Kjo është edhje lidhja e madhe dhe historike që Partia Demokratike e Shqipërisë, që unë kam nderin dhe privilegjin të drejtoj, ka, ka pasur dhe do të ketë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, me lëvizjen sindikaliste. 

Ne jemi një parti e djathtë që besojmë në vlerat e lirisë, që besojmë në vlerat e promovimit ekonomik, rritjes dhe zhvillimit ekonomik të mirëqënies përmes iniciativës së lirë, përmes një klime të favorshme për biznesin, dhe shumëkush mund të mendojë se një parti e qendrës së djathtë që mbështet dhe mbështetet në këto vlera, ka pak apo aspak të përbashkët me lëvizjen sindikaliste. Por nuk është kështu. Ne e dimë fare mirë. Çdo shqiptar është dëshmitar se zhvillimet në Shqipëri në këto 23 vite do të kishin qenë të pamundura pa instalimin në vend të demokracisë, pa instalimin në vend të shtetit ligjor, të sigurive juridike, pa instalimin në vend të të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve shqiptarë duke përfshirë edhe të punonjësve shqiptarë. Shumë është bërë që nga ditët e stuhishme të 1990-1991 kur sindikatat shqiptare dhe punonjësit shqiptarë u vendosën ballë për ballë regjimit që kishte harruar të dëgjonte dhë të shihte dhe që dinte të përdorte vetëm arbitraritetin dhe dhunën e pashpirt ndaj çdo kujt që e kundërshtonte. 

Vendi eci me hapa të shpejtë, u hap. Ekonomia dhe sektorë të ndryshëm të saj, pas largimit nga modeli i pashembull i centralizimit dhe kolektivizimit stalinist, arriti të sigurojë mirëqënie, vende pune, biznese të vogla, të mesme e të mëdha më pas u hapën, pavarësisht prej sfidave dhe zigzakeve në këto 23 vite, vendi e ruajti kursin e vetë. Ruajti aspiratat e atyre që u ngritën për liri dhe demokraci dhe për të drejtat e punonjësve si shumica prej jush në këtë sallë dhe të tjerëve jashtë kësaj salle, arriti të ecte në rrugën e integrimit europian, euroatlantik dhe vuri baza të forta të zhvillimit ekonomik, duke nisur me sigurinë juridike, reforma të gjithanshme, të cilat e bënë të mundur që vendi të bëhej në fakt për herë të parë tërheqës, jo vetëm për investime të brendshme por edhe për të huaj, që do të thoshte më shumë vende pune. Vendi përjetoi zhvillimin më të shpejtë dhe intensiv të infrastrukturës rrugore, energjitike, ujore e të gjithanshme, të telekomunikacionit, ç’ka bëri të mundur që vendi të lëviste me shpejtësi të madhe. Shqipëria të lëviste nga një vend i njohur për prapambetje, në një vend konkurues në rajon. Bëri të mundur që Shqipëria jonë e vogël të bëhej edhe më e vogël, edhe më pak e kushtueshme, edhe më e përballueshme, në kosto transporti, në komunikim, pra të bëhej më konkuruese në ekonomi dhe të hapte më shumë vende pune. 

Ecëm në aspiratën tonë të garantimit të të drejta tona, si shoqëri e lirë, si komb në integrimin euroatlantik si futja në NATO, në kthimin e dinjitetit të shqiptarëve dhe lehtësimin e lëvizjes pa viza anembanë Europës, ç’ka padyshim përveç dinjitetit ndodhën edhe shumë përfitime të natyrës ekonomike dhe sociale, veçanërisht për një komb ku emigracioni në fillim të viteve 90 nxori një të tretën e familjarëve tanë jashtë kufinjve të Republikës së Shqipërisë. 

Aspirata jonë është të ecim përpara dhe është fare e natyrshme që në këtë aspiratë në demokraci të ketë rrotacion politik. Dhe ky rrotacion ndodhi më 23 qershor, përballë një koalicioni që mori votën e shqiptarëve duke iu premtur 300 mijë vende të reja pune, uljen e çmimeve të shportës, zhvillim ekonomik, uljen e çmimit të energjisë, rend e siguri për të gjithë, ulje taksash për të gjithë shqiptarët e shumë premtime të tjera. Shëndetësi falas, legalizime falas. Një vit përpara, PD pasi udhëhoqi vendi për 8 vite kaloi në opozitë siç e ka realiteti i demokracisë me shumicën e ardhur në pushtet, por jo me interesat e shqiptarëve, jo me interesat e të rinjve që kërkonin vende pune, të punësuarve që kërkonin siguri për vendet e punës dhe gjeneratave që do të vijnë. 

Ndaj që në pikënisje të opozitës tonë, para një viti deklaruam se duke qenë një opozitë e fortë parimore dhe ballore, ne do të jemi po kështu një opozitë bashkëpunuese dhe alternative për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një opozitë e cila pa asnjë rezerve dhe kusht do të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë si një garanci për mirëqënien, punësimin, për përparimin e gjithanshëm të Shqipërisë në çdo kuadër duke përfshirë edhe kushtet sociale. 

Por zonja dhe zotërinj, ku jemi pas një viti?! Ku është Shqipëria pas një viti?! A është kjo Shqipëria për të cilën qytetarët zgjodhën më 23 qershor, votuan më 23 qershor?! A është kjo Shqipëria që prisnin qytetarët një vit më parë?! 

Çdo parametër është në përkeqësim. Situata flet vetë. Së bashku me sindikatat dhe me grupet e tjera të interesit kemi bërë në këtë vit të parë të qeverisjes Rama-Meta transparencën e plotë të gjithçkaje ka ndodhur. Kemi diskutuar para se këto të ndodhnin. Kemi diskutuar për rrugët se si mund të shmangeshin pasojat negative në mirëqënie, në punësim, në rritjen dhe thellimin e varfërisë, veçanërisht të shtresave më të paprivilegjuara të shoqërisë. Por qeve

ria nuk ua ka vënë veshin sindikatave, grupeve të interesit dhe opozitës. 

Situata sot flet vetë. Flet për të majtë e të djathtë. Flet për të rinjtë e për të moshuarit. Në marëdhënie pune apo të papunë, apo pensionistë. Gjendja e ekonomisë kombëtare është në ditën e saj më të zezë. Sektori privat i goditur rëndë jo vetëm nuk po gjeneron vende të reja pune, por është në një hemoragji të vazhdueshme e konstante të vendeve të punës. Biznesi i vogël është i pari që u vendos para arbitraritetit qeveritar. Që kishte premtuar përgjysmim të taksës por që përmes një labirinjthi arbitrariteti dhe arrogance, shoqëruar me rritjen e çmimeve të agreguara të të gjithë mallrave dhe shërbimeve që e bëjnë këtë biznes të ecë përpara, e ka vënë atë përpara realitetit të dhimshëm të falimentimeve të përditshme. Biznesi i mesëm dhe i madh u vendos në një periudhë 4 mujore në një realitet fiskal të rritjes me 50 % të taksës mbi fitimin. Ndërkohë që taksat rriteshin, performance e këtyre sektorëve që sigurojnë mbi 80 % të punësimit në vend vazhdon duke rënë. 

Nga ana tjetër, qeveria ndërmori një revansh të vërtetë kundër administratës civile, kundër nëpunësve të vërtetë civilë, anëtarëve të vërtetë të administratës, jo të emëruarve politikë që normalisht shkojnë e vijnë me qeveritë siç e ka tradita demokratike në çdo demokraci. Mbi 9 mijë zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja, u larguan në mënyrë të paligjshme dhe shpeshherë në mënyrë të dhunshme nga vendet e tyre të punës, familjarë dhe familjare të cilët në akte dëshpërimi janë vënë përpara dilemave egzistenciale, ndërkohë që nuk kanë asnjë siguri as për veten e tyre dhe as për fëmijët e tyre. 

Qeveria ka ndërmarrë në këtë vit një ofensivë të vërtetë ndaj gjithë parametrave të zhvillimit eknomik dhe po kulmon, siç jemi dëshmitarë këtë javë, me goditjen e një prej faktorëve më të rëndësishëm të rritjes dhe stabilitetit ekonomik, që është çmimi i energjisë elektrike. Me një propagandë bajate dhe të padenjë edhe për kohët më të këqia të paraardhësve të tyre politikë, po mundohet që këtë rritje çmimi, ta paraqesë jo si një shkelje të drejtëpërdrejtë të fjalës dhe kontratës me zgjedhësit shqiptarë, por si diçka që papritur u vjen si kusht dhe për të cilën garantojnë se do të marrin masa për të mbrojtur shtresat në nevojë. E kanë parë shtresat në nevojë se si i kanë mbrojtur gjatë këti viti qeverie. Duke përjashtuar masivisht mijëra e mijëra shqiptarë nga mbrotja sociale që u garanton shteti deri më sot, duke ngrirë rrogat dhe pensionet që do të thotë jo ngrirje por ulje, sepse inflacioni vazhdon ta bëjë punën e vetë. Duke përkeqësuar në çdo parametër shërbimet sociale duke filluar me shërbimin shëndetësor i cili supozohej se do të ishte falas, por që jo vetëm nuk është falas por është shtrentuar në çdo hallkë të tij, duke përfshirë ilaçet.

Situata e drejtave të punjonjësve është edhe më e rëndë. Sa beteja jemi të detyruar të zhvillonim së bashku për t’i dalë përpara arbitraritetit qeveritar, të frymëzuar dhe të motivuar nga korrupsioni dhe babëzia për të shembur praktika ligjore apo praktika të ndërtuara ndër vite sipas pritshmërive ligjore, siç ishte rasti i furgonistëve ku u goditën për bukën e gojës njerës që nuk akumulonin kapitale, vila, pasuri por që dite për ditë e natë për natë çonin bukën e fëmijëve në shtëpitë e tyre, për të vendosur monopole të paturshme dhe mafioze në sektorin e transportit e në shumë sektorë të tjerë. 

Rritja e moshës së pensionit është një tjetër pabesi që i bëhet jo vetëm sindikatave por i bëhet çdo shqiptari, të punësuar apo që kërkon punë dhe qindra e mijëra të rinjve anembanë Shqipërisë. Të cilët akoma pa arritur moshën e punës dhe futjen në punësim, përballohen me një realitet tjetër të përkeqësuar të parametrave të mbrotjes sociale. 

Zonja dhe zotërinj,  situata ekonomike në vend, jo vetëm është përkeqësuar por ç’është me e keqja, nuk ka dritë në fund të tunelit. Një qeveri që rriti taksat për gjoja për të rritur performancën fiskale, sot mbledh më pak të ardhura se qeverisja e kaluar në vitin e saj të fundit, vitin tranzitor që është ndër vitet më të vështira në performancën fiskale. Siç e dini për vitet elektorale. Qeveria ka rritur borxhet, ka dobësuar pozitat e Shqipërisë për huamarrje, por nuk ka hapur asnjë kantjer të ri pune, asnjë investim publik të ri. Kapërdiset Robert Çëmçakëzi kantjereve të vjetra apo kantjereve të Bashkisë së Tiranës, por qeveria shqiptare akoma nuk numëron një vepër publike të filluar. Por i është përveshur me arbitraritet, me dhunë, zhbërjes dhe shkatërrimit anembanë vendit. Shkatërrimit të pasurive të shqiptarëve, pasurive të ligjshme dhe të drejtave të tyre, zhbërjes së kontratave me investitorë të mëdhenj në sektorë të ndryshëm duke përfshirë energjinë që janë po kështu dhe mbeten ndër punëdhënësit me kryesorë në vend. 

Del përfaqësuesi i qeverisë për sektorin social dhe shkon nëpër sektorë të ndryshëm të prodhimit apo shfrytëzimit të pasurive minerare apo pasurive të tjera natyrore dhe iu bie shpatullave të punëtorëvë apo sipërmarrësve, por nuk bëhet asgjë përveç kësaj, përveç shfaqes televizive. Dhe kur kushtet e sigurisë, në disa prej këtyre ndërmarrjeve, bëhen shkak për fatkeqësi, i fshihen përgjegjësisë, i fshihen transparencës. Situata e të drejtave të punonjësve dhe të drejtave të shqiptarëve në vend është përkeqësuar bashkë me situatën ekonomike. Në çdo sektor, në rend, në siguri, përkeqësimi është ulur këmbëkryq. 

Paparashikueshmëria ligjore godet sot çdo shqiptar. Nuk ka rëndësi nëse ke një pronë me tapi 50 vjeçare, me leje të rregullt ndërtimi, apo të legalizuar, nesër mund të të prishet pa asnjë dokument, gjë që nuk ka ndodhur as vitet më të errëta të regjimit barbar komunist. Siguria ligjore është rrënuar. Qeveria i është vërsulur institucioneve të vendit, veçanërisht atyre që janë jashtë kontrollit të saj me kushtetutë dhe me ligj dhe kërkon t’i zaptojë, t’i uzurpojë, t’i nënshtrojë, t’i kontrollojë ose t’i nxjerrë jashtë loje.

Zonja dhe Zotërinj, Lëvizja Sindikaliste lufton për të drejtat. Lëvizja Sindikaliste lufton po kështu për të vërtetat dhe kjo është lidhja e fortë me opozitën dhe Partinë Demokratike. Lufta për të drejtat e anëtarëve të sindikatave tuaja, lufta për të drejtat e punëtorëve, lufta për të drejtat e shqiptarëve na bashkon e po kështu lufta për të vërtetat sepse një qeveri që nuk respekton, një rregjim që nuk respekton kushtetutën, nuk respekton ligjin, nuk mund të respektojë punën e ndershme, nuk do të respektojë kurrë njerëzit e punës së ndershme.  Për ne, stacioni përfundimtar i udhëtimit tonë Europian, antarësimi në Bashkimin Europian, nuk është një fjalë boshe, por është pikërisht lartësimi i punës së ndershme, i virtyteve të punës së ndershme, i konkurencës së lirë mbi bazën e së cilës një shoqëri e drejtë dhe e lirë bën të mundur, që çdo individ të përparojë sipas meritës dhe punës dhe të mbrohet sipas meritës dhe punës, por jo këtu. 

Kjo qeveri nuk lartëson punën e ndershme. Kjo qeveri godet punën e ndershme sepse kjo qeveri ka një tjetër axhendë, kjo qeveri lartëson krimin dhe kriminelët që sot  i ka marrë dhe i ka vendosur në postet drejtuese, në administratën shtetërore.
Po, të dënuar për drogë, të dënuar për pengmarrje, për prostitucion, në Shqipëri, në Greqi, në Itali, sot janë drejtorë e kapardisen në karriget e drejtimit të administratës shqiptare. Drejtor Portesh, drejtor ujësjellësish, drejtor në prefektura, Kryetar të Këshillave të Qarkut, të veshur me uniformë të Policisë, madje të veshur edhe me imunitet dhe kostum parlamentar. Jo lartësimi i punës së ndershme, jo lartësimi i punës si virtyt, jo lartësimi i virtyteve të njeriut në një shoqëri të hapur, të lirë dhe të drejtë, por lartësimi i krimit, lartësimi i llumit është realiteti i kësaj qeverisje një veçare. Këto janë të vërtetat. 

Ka një lidhje organike midis pakënaqësisë popullore në rritje, për shkak të gjendjes aktuale dhe padrejtësive të përditshme dhe shndërrimit të Shqipërisë, në këtë vit, nga një demokraci në tranzicion por në konsolidim, në një oligarki, që siç do të na thonë sindikalistët, miqtë tuaj që kanë ardhur nga Greqia këtu, një pakicë. Një shumicë që kthehet në pakicë. Tamam si 23 vite përpara dhe që kthen shumicën e popullit të saj kundër. Ky është realiteti, dhe para këtij realiteti nuk do të kemi asnjë iluzion, për rolin dhe përgjegjësitë tona. Para kësaj sfide kërkohet përkushtimi dhe ndjenja misionare me të cilën lindët dhe u formuat. Me të cilën lindi dhe u formua dhe bashkëpunimi  midis jush dhe opozitës së atehershme shqiptare. 

Në shumë aspekte situata është shumë më komplekse. Oligarkët, sipas manualit që zotërojnë, kudo ku veprojnë, që nga realitetet moskovite të Kremlinit dhe kudo tjetër, kanë disa hapa të cilat i ndjekin verbërisht, godasin zgjedhjet e lira, me para apo me gangsterë godasin median e lirë, e kapin, e blejnë, e intimidojnë, godasin të vërtetat, godasin institucionet e pavaruara, godasin çdo zë të pavarur duke përfshirë sindikatat. Godasin opozitën siç bënë para 8 javësh në Parlamentin e Shqipërisë sepse nuk i duhet një opozitë zëlartë, aktive. I duhet një opozitë fasadë, një perde që ta tundin për të dhënë impresionin, mbresat, përshtypjet e një demokracie kur në fakt janë një oligarki. 

Lartësimi i krimit në Kuvendin e Shqipërisë, shkatërrimi i çdo garancie kushtetuese për veprimtarinë e opozitës, janë shkaqet pse opozita është sot në një marrëdhënie të ndërprerë me Kuvendin e Shqipërisë. Nëse në Kuvendin e Shqipërisë, shumica nuk respekton Kushtetutën, opozita i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Nëse shumica prap nuk respekton as Kushtetutën as vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çfarë rruge i mbetet?! Ta denoncojë sigurisht, e kur shumica e drejtuar nga Kryeministri urdhëron banditët që i ka sjellë në Parlament, trafikantët e grave shqiptare, drogmenët e njohur nga të gjithë policitë e Europës, ta dhunojnë fizikisht, çfarë mbetet zonja dhe zotërinj, çfarë mbetet vëllezër dhe motra?! Mbetet një përballje finale, një përballje dhe një rezistencë ku një nga palët duhet të dalë patjetër fitues. Kush duhet të dalë fitues?!

Pakica e ardhur si shumicë, që sot mbron pikërisht interesat e një grushti njerëzish, një grushti njerëzish që duan ta mjelin Shqipërinë e shqiptarët, që s’iu bëhet vonë për interesat e tyre, që s’iu bëhet vonë për varfërinë që po ulet këmbëkryq, për listat nëpër dyqane që kishin kaq përzemër t’i tregonin gjatë fushatës e që sot janë dy herë më të gjata e trefish më shumë e askush nuk shkon t’i shikojë? Të një shumice që është kthyer në pakicë sepse premtoi 300.000 vende pune por vendet e punës i ka mbyllur, që gënjen me billborde dhe reklama, thotë se ka hapur 48.000 vende pune, por vetë instituti i tyre i statistikave tregon që papunësia ka shkuar nga 13.9% në 18.2%. Po mashtron, nuk i bëhet vonë të gënjejë. Që e ka zëvendësuar punësimin si prioritet të shoqërisë, rritjen e rrogave e pensioneve si prioritet të mirëqenies, me perversitetin e zyrave të pedofilisë. 

Cila është zgjidhja zonja e zotërinj, dhe kur do të vij kjo zgjidhje?! Sindikatat dhe qytetarët shqiptarë e kishin fare të qartë, në 1991, se fasada e një regjimi pakice nuk mund të qendronte në fuqi pa asgjesuar shpresën dhe ëndrrën tonë, të çdo shqiptari, për mirëqenie, për siguri, për një të ardhme të sigurtë, për një ekonomi të fortë, për të gjithë ne. E pra sot, një vit pas ardhjes në pushtet, të një qeverie e cila jo vetëm nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e saj, por i ka braktisur ato publikisht dhe masivisht dhe ka thyer fjalën e dhënë votuesve të saj, ka thyer kontratën me qytetarët shqiptarë në të gjitha pikat e saj, nuk mund të presim. 

Nuk mund të presim që e keqja të ulet këmbëkryq. Rruga është ajo e përballjes. Opozita shqiptare është e vendosur që këtë përballje ta shtrijë kudo. Ta shtrijë kudo dhe për këtë kërkon bashkëpunimin edhe me sindikatatat e pavarura shqiptare si me çdo faktor të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Është në dorën tonë, pakicat nuk mund t’i rezistojnë interesit të shumicës, por ne duhet të ngrihemi të gjithë së bashku para se ato, një nga një, të zhbëjnë çdo garanci dhe shtyllë të demokracisë e të mundohen, me manualët e oligarkëve, të realitetit gjeopolitik që flakëm 23 vite më parë e që s’duam kurrë të kthehet këtu, të zëvendësojnë aspiratën tonë për një demokraci perëndimore dhe për një ekonomi të lirë të tregut, me një pakt social të arsyeshëm, të pranueshëm dhe konkurues, të rakorduar në dialog me sindikatat dhe me sektorin prodhues. 

Të zëvendësojnë pra mirëqenien e shqiptarve, me mirëqenien e një grushti oligarkësh në kurriz të mjerimit të tyre. Ne nuk do ta pranojmë dhe unë iu bëj thirrje ju dhe gjithë qytetarve, gjithë sindikalistëve që ju përfaqësoni, të bashkojmë forcat. Të bashkojmë forcat edhe njëherë, jo për një axhendë të ngushtë politike, jo për një interes të ngusht partiak, por për interesin e gjithë shqiptarve, t’i vëmë fre kësaj oligarkie, ta ndalim këtë të keqe që po përhapet me shpejtësi të madhe dhe që do t’i zërë frymën dhe prespektivën e mirëqenies çdo shqiptari. Ta sprapsim e ta rikthejmë vendin atje ku e meriton të jetë, me këto resurse të jashtëzakonshme, me këto burime të jashtëzakonshme njerëzore dhe natyrore, në një shoqëri të drejtë, të lirë, ku konkurenca mbi parimet e tregut të hapur e të lirë, të lartësojë edhe njëherë virtytin e punës së ndershme e t’i japë çdo njeriu atë që meriton në bazë të punës, krijimit, aftësive, pa lënë askënd mbrapa.

Faleminderit!