Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit, si vlerë të kulturës europiane të politikë-bërjes dhe garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lidhur me deklaratat e një dite më parë të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, zoti Basha tha se deklaratat për dialog dhe bashkëpunim s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë i mazhorancës është prishja e konsensusit unanim të 30 majit.
“Fjalët i merr era në qoftë se nuk shoqërohen me vepra. Stërbetimet për dialog dhe bashkëpunim me opozitën s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë është prita që i bëhet konsensusit unanim të 30 majit. Akti normativ i sjellë në Parlament nuk lë vend për diskutim. Këtë e di çdo kush, uroj ta dijë edhe kryetari i Kuvendit, që akti normativ o votohet, o hidhet poshtë, pra nuk ka vend për dialog. Në këtë kuptim, opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit, pikë së pari, si një vlerë të kulturës europiane të politikë-bërjes dhe pikë së dyti, si një garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci dhe sa kohë që arbitrariteti dhe abuziviteti janë fakte, nuk ka asnjë vlerë fjala e mirë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira” – u shpreh kryetari i PD Lulzim Basha.
Pyetje – përgjigjet e plota të zotit Basha me gazetarët:
Z. Basha, dje kryetari i Parlamentit z. Meta ka deklaruar se opozita do të ketë të gjithë kohën e nevojshme, konform rregullores së Kushtetutës në Parlament. Ju do të vijoni të bojkotoni Parlamentin.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha: Fjalët i merr era në qoftë se nuk shoqërohen me vepra. Stërbetimet për dialog dhe bashkëpunim me opozitën s’kanë asnjë kuptim kur akti i parë është prita që i bëhet konsensusit unanim të 30 majit. Akti normativ i sjellë në Parlament nuk lë vend për diskutim. Këtë e di çdo kush, uroj ta dijë edhe kryetari i Kuvendit që akti normativ, o votohet, o hidhet poshtë, pra nuk ka vend për dialog. Opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit, si një vlerë të kulturës europiane të politikë-bërjes dhe garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci. Sa kohë që arbitrariteti dhe abuziviteti janë fakte, nuk ka asnjë vlerë fjala e mirë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira.
Kjo do të thotë se opozitën do e shikojmë sërish jashtë dyerve të Parlamentit?
Kryetari i PD-së Lulzim Basha: Kjo do të thotë se opozita shqiptare është në dialog të përhershëm me qytetarët shqiptarë, për këtë rrezik që i kanoset kaq herët, në një mëngjes të keq të kësaj mazhorance të re e cila e fillon jo duke u rrekur të plotësojë premtimet para qytetarëve, por duke shkelmuar edhe ato të mira me të cilat u angazhua bashkarisht në të kaluarën jo fort të largët, siç ishte konsensusi.
Jeni konsultuar me Brukselin dhe a ka shanse që të keni realisht një takim me komisionerin Stefan Fyle, një takim i mundshëm është përfolur në media, z. Basha?!
Kryetari i PD-së Lulzim Basha: Partia Demokratike ka dialog të vazhdueshëm me të gjithë partnerët tanë europianë dhe amerikanë. Për këtë, të mos shqetësohet askush. Por askush të mos heqë vëmendjen nga ky atentat i rëndë që i ka ndodhur demokracisë dhe të mos kujtojë se Partia Demokratike apo opozita do të qëndrojnë të heshtur përballë tij. Ne do të kryejmë detyrën tonë para Kushtetutës, do të kryejmë detyrën tonë para qytetarëve, do të kryejmë detyrën tonë para demokracisë, do të kryejmë detyrën tonë para kulturës së re politike, duke qëndruar forcërisht, para vjetërsirave të shkelmimit të konsensusit dhe arbitraritetit që na serviren sot nga mazhoranca e re.