Deklaratë për media e deputetit të PD-së Arben Ristani:
E ashtuquajtura rilindje e policisë së shtetit nuk është asgjë më shumë se goditje shkatërrimtare e organizatës së policisë brenda natës. Ky veprim i paprecedent i likuidimit të profesionistëve që asgjësuan bandat e krimit të organizuar, të lidhura ngushtë me drejtuesit më të lartë të qeverisë sotme është preludi i rikthimit të Policisë shqiptare në një organizatë të nënshtruar ndaj krimit të organizuar dhe bosëve të tij, njësoj si para vitit 2005.
Një ndëshkim i tillë kolektiv në nivelin e lartë drejtues të policisë nuk ka ndodhur as në vitin 1992, as në vitin 1997 dhe as në vitin 2005. Dje filloi shfryrja e urrejtjes, mllefit dhe hakmarrja e rilindasve Rama – Tahiri, ndaj atyre drejtuesve profesionistë që në këto vite luftuan dhe çuan para drejtësisë bandat e trafiqeve vdekjeprurëse, trafikut të drogave të rënda dhe në vijim dhanë një kontribut të çmuar në liberalizimin e vizave dhe bënë të mundur vendosjen e partneritetit të plotë të policisë shqiptare me të gjitha organizmat homologe euro-atlantike .
2. Emërimi në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të Artan Didit, është një shpërblim i pastër politik për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2001 të kryedhunuesit të opozitës së asaj kohe. Ky emërim është në kundërshtim të plotë me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi zoti Didi nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit.
1. Nuk ka mbaruar Akademinë e Rendit Publik qe është detyrim i pakapërcyeshëm ligjor
2. Nuk ka shërbyer për një periudhe kohe 3-vjecare ne gradën drejtues i pare pasi është larguar me gradën kryekomisar
3. Nuk plotëson kriterin e detyrueshëm për 16 vjet pune ne polici ne 20 vjetet e fundit.
3. Emërimi i dy zv. Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë është në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi nuk plotësojnë kriteret e detyrueshme të nenit 24, Ligjit për Policinë e Shtetit, pasi nuk kanë shërbyer tre vjet me gradën drejtues i parë. Gjithashtu, zoti Bizhga është me masën disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 1 vit”.
4. Ripranimet dhe emërimet në detyrë të Niko Brahimaj, Neritan Nallbati, Shaban Nexhi, Edmond Targaj, Perlat Cullhaj janë kryer në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi ripranimi i tyre është në kundërshtim me nenin 58 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Edhe tani që flasim ata nuk kanë kryer procedurat administrative formale për tu ripranuar në polici, siç janë kërkesa me shkrim, ose vërtetimi i personalitetit për periudhën që këta zotërinj nuk kanë qenë pjesë e policisë, procedura këto të detyrueshme për tu plotësuar.
Po kështu, për personat e mësipërm janë shkelur procedurat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në policinë e shtetit dhe ekuivalentimin e tyre”.
Niko Brahimaj është shpërblyer me këtë post, në shkelje të plotë dhe flagrante të ligjit, me meritën e vetme se ashtu si Artan Didi, ka vjedhur me dhunë zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, dhe ka dhunuar opozitën.
Neritan Nallbati është shkarkuar nga detyra e Drejtorit të Policisë së Qarkut në kohën e qeverisjes socialiste, ne vitin 2004 për shkelje të rënda të ligjit, gjatë kryerjes së detyrës, lidhjet e tij me organizatat kriminale, persona me precedent kriminale dhe për cënimin e provave gjatë hetimit të Hakmarrjes për Drejtësi.
Perlat Cullhaj, i shkarkuar nga detyra në vitin 2009, për shkelje të rënda të ligjit, në ushtrimin e detyrës, dhe I hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas të dhënave të shërbimeve partnere të huaja dhe Shërbimit Informativ Shqiptar, për lidhje me organizata kriminale, persona të inkriminuar dhe veprën penale të pastrimit të parave.
Edmond Targaj, është shkarkuar për veprime të dhunshme kundër opozitës së asaj kohe gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, në detyrën e shefit të komisariatit në rrethin e Gjirokastrës. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm disponon materiale të plota për ushtrimin e veprimtarisë se paligjshme nga ana e Targajt, për trafik lëndësh narkotike dhe falsifikim të pasaportave.
Emërimet në detyrë edhe të Drejtorëve në Policinë e Qarqeve Ardian Cipës, Perlat Vatocit, Ilirjan Ballës, Lorenc Panganikës, Ervin Hodajt, Kastriot Skënderit dhe Haki Cakos janë në kundërshtim të plotë, ligjin për Policinë e Shtetit, kreu 3, konkretisht të neneve 33, 34, 35, dhe 40, si dhe në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në policinë e shtetit dhe ekuivalentimin e tyre”.
5. Ndryshimet në strukturën e Policisë së Shtetit cënojnë drejtpërdrejt strukturat më rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimit të aseteve kriminale, struktura që janë ngritur asistuar dhe trajnuar nga ekspertët e ICITAP dhe PAMECA dhe kanë marrë vlerësimet maksimale në të gjithë progres raportet e Komisionit Europian.
Çifti Rama Tahiri nuk njohin ligjin, por duan të jene mbi ligjin.
Parimi Një Shtet Një polici u kthye në Një Shtet një Bandë Drejtuese e lartë në Polici.