Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në emër të opozitës u shpreh i gatshëm të dialogojë me mazhorancën në interes të vendit, vetëm pasi të tërheqë aktin normativ, përmes të cilit në mënyrë të paprecedentë në 23 vite shkatërroi konsensusin. Duke iu përgjigjur interesimit të medias për letrën e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, zoti Basha theksoi se nuk mund të ketë konsensus për të prishur konsensusin.
“Opozita, PD, unë si kryetar i saj jemi dhe kemi qenë gjithmonë të hapur për dialog, për bashkëpunim, për gjithpërfshirje dhe në këtë kuptim nuk ngurrojmë të përgjigjemi pozitivisht për asnjë kërkesë për takim, për të diskutuar çdo çështje në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve. Ky është standardi i Lulzim Bashës, ky është standardi i PD, ky është standardi i opozitës shqiptare.
Në rastin në fjalë është shumë e rëndësishme të kuptohet se çfarë kërkohet; kërkohet konsensus, për të prishur konsensusin. Kjo është e papranueshme, madje e dënueshme në sytë e opinionit qytetar. Ka ndodhur një akt i rëndë dhe i paprecedentë në 23 vite demokraci. Është arritur konsensusi në mënyrë unanime dhe 4 orë para se ligji i miratuar unanimisht dhe me konsensus të hynte në fuqi, është anuluar në mënyrën më arbitrare, duke anashkaluar Parlamentin, e le më konsensusin ndërpartiak, me një akt normativ.
Përgjigja e vetme e opozitës së unifikuar është kjo; Tërhiq aktin normativ dhe opozita ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë e gatshme të ulet dhe të dialogojë për interesin publik, për interesin e Shqipërisë, për interesat e mëdha të kombit, siç është integrimi europian i vendit, siç është mirëqënia e qytetarëve shqiptarë!” deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.