Tiranë, 13 tetor 2013
Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër dhe Kryetar i Partisë Socialiste
Për dijeni: Z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i LSI
Z. Vangjel Dule, Zv. Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PBDNJ
I nderuar z. Rama,
Në përgjigje të letrës suaj, në emër të opozitës ju shpreh qëndrimin tonë për sa vijon.
Miratimi me konsensus i Ligjit 152/2013 “Për Nëpunësin Civil” ishte një nga tre kushtet që iu parashtruan Shqipërisë nga Komisioni Europian për të formalizuar dhënien e rekomandimit për statusit e vendit kandidat për dhe shqyrtimin e tij nga Këshilli Europian. Për fat të keq, refuzimi i konsensusit nga Partia Socialiste pamundësoi këtë proces edhe në dhjetorin e 2012-tës edhe në pranverën e 2013-tës.
Arritja e konsensusit u evidentua si qëllim e kusht më vete nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian të cilët, publikisht, e cilësuan konsensusin ndërpartiak më të rëndësishëm se madje edhe vetë aprovimi i tre ligjeve përmes një referendumi.
Pas negociatash të gjata dhe pasi u humb çdo shans për marrjen e statusit të vendit kandidat para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ligji “Për Nëpunësin Civil” u miratua me konsensus unanim në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj 2013. Me kërkesë të vetë Partisë Socialiste hyrja e ligjit në fuqi u shty nga 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare në datën 1 tetor, njëkohësisht duke njehsuar datën e hyrjes në fuqi me atë të fillimit të efekteve, ndërsa u përcaktua se Këshilli i Ministrave duhet të përgatisë aktet nënligjore brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, pra brenda datës 31 dhjetor 2013.
Theksojmë se këto përcaktime të ligjit sikundër i gjithë ligji u miratuan me konsensus dhe u votuan me unanimitet.
Një ditë pas konstituimit të qeverisë së re, opozita mësoi nga burime jo-zyrtare synimet e mazhorancës për të zhbërë konsensusin e 30 majit duke anulluar efektet ligjore të Ligjit për
Nëpunësin Civil për një periudhë 6 mujore pas datës 1 tetor përmes një akti normativ të Këshillit të Ministrave.
Për më shumë se dhjetë ditë, opozita i bëri thirrje publike e në mënyrë të përsëritur mazhorancës, ju personalisht dhe z. Meta, për të mos shkelur konsensusin e arritur me 30 maj.
Duke injoruar këto thirrje, mbrëmjen e 30 shtatorit, vetëm pak orë para hyrjes në fuqi të ligjit, Këshilli i Ministrave nëpërmjet një akti normativ anuloi konsensusin parlamentar të 30 majit dhe zhbëri efektet e votës unanime në Kuvend.
Shkelja e njëanshme e konsensusit është një akt i paprecedent në historinë 23 vjeçare të demokracisë shqiptare. Ky akt ka pasoja të rënda për klimën politike në vend dhe evidenton para opozitës por edhe para mbarë qytetarëve shqiptarë pabesueshmërinë tuaj për t’iu përmbajtur angazhimeve tuaja më solemne, siç është konsensusi parlamentar.
Në bindjen tonë, prekja nëpërmjet një akti normativ të miratuar vetëm nga Këshilli i Ministrave e çdo ligji të miratuar nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, aq më shume unanime në këtë rast, është një akt arbitrariteti i skajshëm anti-kushtetues si dhe shprehje e një përçmimi jo vetëm ndaj konsensusit parlamentar si vlerë por edhe ndaj parlamentit si institucioni më themelor i republikës.
Në letrën tuaj, ju shpreheni se nuk keni dëgjuar nga opozita asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore. Natyrisht që s’kishit si ta dëgjonit pasi nismën e ndërmorët njëanshmërisht e në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut e të opozitës. Nëse do të donit të dëgjonit zgjidhjet alternative nga opozita, do të duhej që, në momentin më të parë, të shtronit çështjet konkrete që ju preokuponin dhe të kërkonit mirëkuptim e bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e arsyeshme dhe konsensuale.
Nëse do të kishit vepruar kështu ne do të kishim dhënë të gjithë mirëkuptimin tonë si dhe do të ofronim të gjitha kapacitetet teknike të opozitës për të trajtuar e zgjidhur çështjet – ato të qenësishme e jo të sajuara – për zbatimin e ligjit të ri, çështje të cilat, të paktën nga këndvështrimi juridik, ishin e janë lehtësisht të kapërcyeshme e në kohë shumë të shpejtë – çështje ditësh e jo muajsh – pa patur fare nevojë për shtyrjen që ju i bëtë zbatimit të ligjit të ri.
Për më tepër, faktet e këtyre ditëve të fundit tregojnë se veprimet tuaja mbi administratën janë jo vetëm në kundërshtim të hapur me frymën e ligjit të ri për nëpunësin civil por edhe në shkelje flagrante të ligjit të vjetër dhe ligjeve të tjera në fuqi, veprime këto që parathonë qartë se çfarë do të pësojë administrata deri më 1 prill 2014.
Sa i përket argumenteve tona në lidhje me aktin normativ, opozita ka folur fare qartë, se akti normativ i qeverisë është antikushtetues. Argumentet tona janë bërë publike dhe janë shtjelluar qartësisht edhe në ankimin tonë në Gjykatën Kushtetuese, ankim i cili në vetvete demonstron se opozita e sotme sillet në respekt të plotë të demokracisë dhe shtetit ligjor, në respekt të institucioneve kushtetuese të vendit, ndryshe nga ajo e djeshmja.
Ky akt normativ është edhe antikonsensual vetiu. Vetë natyra e aktit normativ përjashton edhe dialogun e jo më konsensusin. Siç përcakton neni 101 i Kushtetutës akti normativ nuk mund të ndryshohet nga Kuvendi. Ai ose miratohet ose rrëzohet. Ndaj, ndryshe nga rasti i një projekt-ligji që mund të ndreqet përmes procesit parlamentar, kjo është e pamundur me aktin normativ.
Në gjithë këtë kontekst, ftesa për të dëgjuar arsyet tuaja se pse kërkoni të prishni konsensusin, vjen dy javë pasi prishjen e konsensusit e keni bërë fakt të kryer përmes aktit normativ.
Nëse mazhoranca kërkon me të vërtetë të gjejë rrugën e humbur të dialogut dhe arsyetimit me opozitën atëherë zgjidhja është e thjeshtë dhe evidente; tërhiqni aktin normativ me të cilin u shkelmua konsensusi e bashkë me të edhe besueshmëria juaj për t’ju përmbajtur angazhimeve tuaja.
Ky nuk është kusht. Kjo është rruga e arsyes për të gjetur zgjidhjen së bashku.
Për çdo nevojë të përligjur le ti drejtohemi procedurave normale parlamentare dhe frymës së konsensusit gjithëpërfshirës. Një ligj i miratuar me konsensus mund dhe duhet të ndryshohet vetëm me konsensus.
Në këtë frymë opozita është e gatshme të dialogojë dhe të ofrojë konstruktivitetin e saj për këtë çështje dhe për çdo çështje që ka të bëjë me interesat madhore të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.
Me respekt,
Lulzim Basha
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë