Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi:
Dy ditë më parë nga Qeveria është botuar në këtë fletore zyrtare me numër 163/2013, Vendimi 932 datë 30.09.2013 “Për unifikimin kompetencave të INUK”.
Sipas këtij vendimi, Edi Rama, Kryeministri ynë që zyrën e ka të vetën por pushtetin ia paska dhënë popullit, i jep të drejtë vetes së vetë të urdhërojë Kryeinspektorin, që pa asnjë kufizim paraprak, në të gjithë territorin e vendit, të rrafshojë çdo ndërtim, mbi tokë apo nën tokë, të përfunduar apo të papërfunduar, përfshirë ato pa leje, por edhe atyre pronarëve me tapi, sipas një ndërtimi që:
1- E kanë me leje ndërtimi, por që sipas Kryeinspektorit të Ramës leja e ndërtimit qenkërka e kundraligjshme, (pika 4 germa c e VKM)
2- E kanë me me leje ndërtimi, por po sipas këtij Kryeinspektori, paskan kryer ndonjë shkelje gjatë ndërtimit, (pika 4 germa b e VKM)
3- E kanë me leje ndërtimi, por që nuk e kanë mbaruar akoma ndërtimin brenda afatit dhe meqë ka kaluar afati duhet të shembet…(germa 5 pika c)
4- E kane tapinë e shtëpisë me leje legalizimi, por sipas Kryeinspektorit leja e legalizimit qenkërka e kundërligjshme. (pika 5 germa b)
5- E kanë shtëpinë në proces legalizimi, por po sipas këtij Kryeinspektori, kot që presin sepse nuk do ju legalizohet, ndaj duhet të rrafshohet (pika 4 germa ç)
Të gjitha këto ndërtime me leje gjithmonë, sipas këtij vendimi të Kryeministrit tonë do të rrafshohen siç thotë ai: pa asnjë kufizim…në të gjithë territorin e vendit (pika 1 germa 1 e kesaj VKM)
Pronat që shqiptarët kanë ndërtuar me leje, janë prona të ligjshme, të mbrojtura nga nenet 41 e 42 të Kushtetutës së vendit, neni 6 i Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, neni 1 i protokollit shtesë të saj dhe këto prona janë të pacenueshme. Prona nuk mund të preket përveçse nga një proces gjyqësor. Sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të vendit, që në bazë të nenit 132 të Kushtetutës kanë fuqi detyruese të përgjithshme, leja e ndërtimit e dhënë nga autoritetet ligjore, mund të anulohet vetëm nga sistemi gjyqësor i vendit, (vendimi nr.6/2006)
Vendimi për të rrafshuar ndërtimet me leje, është arbitrar, antiligjor dhe antikushtetues.
PD i bën thirrje të gjithë punonjësve të rendit publik dhe nëpunësve të shtetit, të mos prekin pronat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë, në zbatim të urdhrave arbitrare, antikushtetues dhe antiligjor të atyre, që janë verbuar nga pushteti dhe hakmarrja për pronat e shqiptarëve. Shkatërrimi i pronave të ligjshme të qytetarëve është krim dhe ndëshkohet.
PD i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare; Mos lejoni që pronat tuaja të preken nga gangsterët e pushtetit, që kërkojnë t’ju marrin djersen dhe gjakun tuaj, mundin tuaj dhe fëmijëve tuaj, në mënyrë arbitrare me justifikimin e vetëm se ata janë mbi ligjin.
Mos ju nënshtroni veprimeve arbitrare as të urdhëruesve delirantë, dhe as të ekzekutorëve të verbër.
Njoftoni në kohën më të shkurtër deputetin tuaj të opozitës për të kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja të ligjshme, pronën, djersën, gjakun tuaj.
Dokumentoni gjithçka me audio dhe video, nëse ndonjë punonjës i verbër i Policisë i bindet urdhrit arbitrar dhe antikushtetues për të shkatërruar pronën tuaj të ligjshme. Ata duhen të përgjigjen. Dhe ne ju garantojmë se do përgjigjen.
Prona juaj e ligjshme, është djersa juaj, është gjaku juaj dhe i fëmijëve tuaj. Mos lejoni ata që në emër të pushtetit duan t’ua shkatërrojnë pa pyetur për ligj, Kushtetutë, konvente dhe gjykata.
Ky vendim i Qeverisë është marrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, me të paktën 20 vendime të Gjykatës së Strasburgut, me të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetutës të vendit, që mbrojnë pronën private të ligjshme, garantojnë parimin e sigurisë juridike.
Ndaj dhe Partia Demokratike do t’i drejtohet brenda kësaj jave Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar në mënyrë të menjëhershme, mbrojtjen e pronave të shqiptarëve dhe shpalljen si antikushtetues të tij.
Deri atëherë mos lejoni askënd t’ua prekë pronën tuaj të ligjshme.