Kryetari i Partisë Demokratike z.Lulzim Basha priti në takim Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri z.Ettore Sequi i cili i dorëzoi zyrtarisht Progres-raportin të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2013.
Pas takimit Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri z.Ettore Sequi, dha këtë prononcim për mediat:
“Faleminderit shumë. Unë mendoj që kjo është një arritje shumë e rëndësishme. Dëshiroj që për kët të njohim dhe ti japim merita të gjitha forcave politike. Dhe të njohim kontributin që ka dhënë qeveria e mëparshme, pra opozita e sotme për arritjen e këtij rezultati.
Ne besojmë se integrimi evropian është një proces kombëtar dhe kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve, kërkohen fjalët kyçe që ne përdorim, gjithëpërfshirje, bashkëpunim dhe dialog.
Dëshiroj shumë që të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar në mënyrë të veçantë ish-Ministren e Integrimit Europian dhe sot kryetaren e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Integrimit Europian. Të nderuarën znj. Majlinda Bregu me të cilën ne kemi pasur mundësi dhe shansin që të bashkëpunojmë në të kaluarën për të arritur pikërisht në këtë rezultat që ne shohim sot.
Jam shumë i sigurt që ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe për të arritur rezultate më të mëdha në të ardhmen.
Ky është urimi im dhe është ajo që unë mendoj”.
Me pas Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një deklaratë për mediat theksoi:
Partia Demokratike vlerëson Progres-raportin e Bashkimit Europian si një fotografim realist të përparimit të Shqipërisë dhe ecurisë së reformave të arritura në qeverisjen e Partisë Demokratike.
Progres-raporti konstaton se gjatë 12 muajve të fundit Shqipëria ka bërë përparim thelbësor, të qenësishëm në reforma që prekin të gjitha fushat; nga gjyqësori, përmirësimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri tek prokurimet publike dhe doganat.
Progres Raporti konstaton se Shqipëria përkundër krizës ekonomike globale arriti të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe rritjen pozitive ekonomike, duke shënuar edhe uljen e papunësisë, në kontrast me situatën diametralisht të kundërt tek vendet partnere kryesore ekonomike.
Progres-raporti përgënjeshtron kësisoj me fakte nihilizmin e kryeministrit, i cili investon përditë energjitë dhe kohën e tij e të bashkëpunëtorëve të tij për një fushatë nxirëse dhe mohuese, në vend që të qeverisë.
Në mënyrë të veçantë përshëndes rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat tashmë që tre kushtet themelore, miratimi i tre ligjeve në Kuvend është kryer.
Një vëmendje e posaçme ndaj Shqipërisë për këtë vlerësim pozitiv i është kushtuar zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në vend, të cilat Partia Demokratike edhe në kushtet e një bojkoti institucional të opozitës në KQZ, ja doli t’i organizojë me sukses të plotë.
Është ky progres i arritur gjatë mazhorancës së Partisë Demokratike, që bindi Komisionin Europian për të propozuar dhënien e statusit të vendit kandidat.
Sot është një ditë e gëzuar për mbarë qytetarët shqiptarë, që mbështesin prej vitesh, në mënyrë konstante dhe pothuajse unanime integrimin e vendit në Europë. Ne ketë ngjarje është e ftuar të gëzojë edhe qeveria aktuale, pavarësisht se nuk i bëri detyrat e saj kur ishte koha. Nuk ka sens që Kryeministri të bëjë sot modestin që nuk gëzon, kur nuk ka akoma punë për të treguar. Nuk ka sens të mburret se nuk po shan opozitën e tij, kur sot është dita për t’i drejtuar një falënderim publik kësaj opozite që përgatiti kur ishte në qeveri marrjen e statusit.
Por ky nuk është moment për të rënë në vetkënaqësi. Kjo është koha për të parë drejt së ardhmes që na pret për të hapur sa me shpejt negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Partia Demokratike zotohet për të bërë gjithçka për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shqipëria e meriton. Shqiptarët e meritojnë.
Tashmë kryeministri Rama ka një sfidë madhore përpara që të dalë nga sindroma e vitit zero, e të ndalë panikndjelljen, alarmpërhapjen se Shqipërinë e paska marrë në gjendje katastrofike e alarmante, siç pëlqen ta cilësojë.
Dhe me pas të bindë edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian se ai është seriozisht i angazhuar për të ecur përpara në procesin e integrimit europian të vendit.
Qeveria dhe Kryeministri Rama duhet të bëjnë të tyren. Për këtë arsye duhet te përmbushin kërkesat e BE-s për hapjen e negociatave ku spikasin dy parime të pakapërcyeshme të Europës siç janë, shteti i së drejtës dhe gjithpërfshirja nëpërmjet dialogut politik.
Partia Demokratike përshëndet fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, duke shpresuar që ato të mbyllen sa më shpejt.