Kreu i opozitës z.Lulzim Basha priti sot në një takim Raportuesin në Parlamentin Europian për Shqipërinë z. Nikola Vuljaniç, të cilin e siguroi për mbështetjen e plotë të opozitës në procesin e integrimin për të shkuar një orë e më parë në hapjen e negociatave.
Deklarata e plotë e kreut të opozitës z.Lulzim Basha pas takimit:
Vizita e parë e raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian përkon me progres-raportin e Bashkimit Europian, të cilin Partia Demokratike dhe opozita shqiptare e ka përshëndetur njëzëri. Progres-raporti demonstron qartë se Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme dhe thelbësore në luftën kundër krimit, korrupsionit, reforma të gjithanshme kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, madje edhe rritjen ekonomike në vitin që shkoi, përkundër pseudo-diagnozave pesimiste që dëgjojmë çdo ditë në raport me gjendjen.
Duke ndërtuar mbi këtë bazë vizionin dhe përkushtimin tonë për të ardhmen, e sigurova se Partia Demokratike dhe opozita janë të vendosura të kontribuojnë pozitivisht në të gjithë kursin e gjatë dhe të vështirë deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke u zotuar për të bërë pikë së pari gjithçka për hapjen e negociatave një orë me më parë. Shqipëria e meriton. Shqiptarët e meritojnë hapjen e negociatave dhe Partia demokratike zotohet në gjithçka për hapjen e negociatave.
E informova për situatën në vend, për klimën politike pas shkelmimit të konsensusit nëpërmjet Aktit Normativ nga ana e maxhorancës dhe Kryeministrit Rama, për sinjalin e keq që kjo jep në mëngjes të kësaj qeverisje përsa i përket shkallmimit të kulturës së te dhe europiane të politikbërjes që është një kulturë e gjithëpërfshirës dhe dialogut dhe jo e akteve të njëanshme arbitrare të zhbërjes së konsensusit unanim, si dhe për të tjera veprime të tjera të javëve të fundit që tregojnë qartë një mentalitet jo vetëm antikonsensus, por edhe antiligj dhe antikushtetues.
E sigurova se pjesëtarët tanë në Komisionin e Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri do të japin kontributin e tyre në dialogun e përhershëm me parlamentarët europianë dhe se ne shikojmë tek Parlamenti Europian dhe institucionet e tjera të BE-së, si institucione dhe partnere që kanë dhënë dhe japin ndihmën e tyre të çmuar për ecjen përpara të vendit në integrimin europian. Natyrisht që detyrat kryesore i kemi ne si shqiptarë, i ka maxhoranca, natyrisht edhe opozita. Opozita do të bëjë të sajën siç e bëri kur ishte maxhorancë dhe presim që qeveria të bëjë të sajën.