Deklarata për mediat e zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi:
Dje, mazhoranca, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe praktikave të mira të qeverisjes, vulosi shkatërrimin e konsensusit.
Pa u fashitur gëzimi i mbarë qytetarëve shqiptarë, për rekomandimin për marrjen e statusit, ku vetëm Rama me skuadrën e tij politike nuk morën pjesë, mazhoranca sfidoi hapur rekomandimet kyçe të progres- raportit, ku shteti ligjor dhe gjithpërfshirja nënvizohen si parimet kryesore të rrugës drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Shqiptarët panë se si me një arrogancë të verbër, kjo mazhorancë mbivendosi interesin e saj të ngushtë, klientelist, mbi interesin publik, mbi interesin e shqiptarëve, për forcimin e shtetit ligjor dhe kulturës së re të bashkëjetesës së qytetëruar politike. Vetëm një ditë pas votimit të aktit normativ, qeveria nxori fytyrën e vërtetë të qëllimit të fshehur pas këtij akti antikushtetues, spastrimin e administratës dhe zëvendësimi me militantë politikë.
Sot, e gjithë administrata është vënë edhe zyrtarisht nën presion, ankth dhe pasiguri për vendin e punës dhe vazhdimin e karrierës, në respekt të meritës. Qeveria njoftoi se në të gjitha institucionet, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, profesionistët do t’i lënë vendin militantëve.
Partia Demokratike e sheh si detyrim madhor ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor, ndaj qytetarëve dhe stabilitetit të vendit, që të marrë të gjithë hapat e duhur, për të kthyer mbrapsht aktin e paligjshëm të mazhorancës. Beteja jonë politike nuk do të njohë pauza në Kuvend dhe në të gjithë aulat e komunikimit publik, për të vazhduar denoncimin një për një të efekteve të aktit normativ.
Beteja jonë ligjore kundër këtij akti ka nisur e do të vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese. Partia Demokratike do t’i bashkëngjisë ankimimit tonë fillestar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për rrëzimin si antikushtetues edhe të aktit të dytë të paligjshëm të mazhorancës dje në Parlament, në lidhje me ligjin për nëpunësin civil.
Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, të ndalë presionin mbi administratën, dhe revanshin për spastrimin e saj. Partia Demokratike fton çdo punonjës të administratës, që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat, për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin, për të cënuar ligjin dhe shtetin ligjor.