Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha priti në një takim drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, ambasadorin Jan Kickert, i cili shoqërohej nga drejtori i sektorit për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, z. Johann Sattler.
Kryetari Basha falënderoi z Kickert, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit dypalësh dhe në veçanti në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Z. Kickert konfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë austriake, për të vijuar të ndihmojë dhe të mbështesë Shqipërinë, në të gjitha fushat dhe në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE, por njëkohësisht edhe për punuar ngushtësisht edhe me opozitën shqiptare, në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimit të Shqipërisë.
Duke u ndalur tek rekomandimi i Komisioni Europian, për statusin e vendit kandidat, në takim u theksua se kjo përbën një tjetër vlerësim të punës dhe të arritjeve të rëndësishme të qeverisë së PD, gjatë 8 viteve të shkuara, por njëkohësisht edhe vlerësim të veçantë për zgjedhjet e 23 qershorit, si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare por edhe për qëndrimin thellësisht demokratik të qeverisë së Partisë Demokratike ndaj rezultatit.
Kryetari Basha theksoi se rekomandimi për marrjen e statusit është një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe është për të ardhur keq që statusi erdhi me kaq vonesë, për shkak të bllokimeve dhe qëndrimit jo konstruktiv të opozitës së Partisë Socialiste.
“Shqipëria e meriton statusin dhe Partia Demokratike do të japë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor dhe do të bëjë gjithçka, për hapjen e negociatave për anëtarësim” – deklaroi z. Basha.
Më tej, në takim u diskutua mbi situatën aktuale politike në vend. Z. Basha shprehu shqetësimin jo vetëm të opozitës shqiptare, për sfidimin e hapur të shtetit ligjor, fushatën e sulmeve që mazhoranca ka ndërmarrë ndaj institucioneve të pavarura si dhe për klimën e panikut, për sa i përket situatës financiare e fiskale në vend.
“Konceptimi i qeverisjes, si një fushatë kundër ligjit dhe kushtetutës, kundër institucioneve të pavarura, kundër konsensusit dhe kundër të vërtetave ka në themel jo vetëm mungesën e vizionit dhe programit të kësaj mazhorance por dhe përpjekjen për të instaluar me shpejtësi në Shqipëri, praktikën e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, si pararojë e instalimit të kleptokracisë” – theksoi z. Basha, gjatë takimit me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë.