Fjala e plotë e Deputetit të Partisë Demokratike, Ridvan Bode në Kuvend:
Është e qartë se kryeministri Rama dhe kabineti i tij janë shumë të vendosur për të prezantuar ekonominë shqiptare si një ekonomi në krizë dhe se financat e shtetit shqiptar kanë marrë fund.
Viti zero ua kërkon një gjë të tillë edhe pse në vijimësi pas fillimit të këtij sulmi të pamoral dhe të paprecedent, edhe pse institucionet e njëpasnjëshme ndërkombëtare kanë deklaruar të kundërtën.
Dhe kjo, pikërisht për t’i treguar qeverisë që të mos shkojë larg me këtë sulm të pamoralshëm ndaj ekonomisë dhe të financave të vendit.
Raport-progresi është dokumenti që përmbledh në vetvete të gjitha konsideratat e institucioneve për ekonominë shqiptare dhe ai daton më 16 tetor publikimin për t’i kujtuar qeverisë se ekonomia shqiptare ka bërë progres të madh dhe po shkon drejt një ekonomie funksionale të tregut.
Pra nuk është në kolapsin e modelit që prezanton qeveria shqiptare e Ramës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar më datë 12 tetor,- ditën kur Ministri i Financave ishte në Washington-, se ekonomia shqiptare vijoi të performojë pozitivisht.
Pas një rritjeje prej 1.6% të vitit të kaluar pritet që sipas institucionit më konservator të rritjes ekonomike, një rritje ekonomike prej 1.2% për vitin 2013, si dhe me një tendencë rritjeje të lehtë edhe gjatë vitit 2014.
Ky institucion ka rikonfirmuar se janë nën kontroll papunësia dhe inflacioni dhe se borxhi publik për këtë vit mund të shkojë deri në 64%.
I njëjti konfirmim ka ardhur një ditë më parë edhe nga drejtoresha rajonale, Goldstein, e cila i është përgjigjur në ligjëratë të drejtë qeverisë se ekonomia shqiptare nuk është në krizë dhe se ekonomia shqiptare ka nevojë për reforma strukturore të shpejta dhe një politikë fiskale të përshtatshme, në mënyrë që të marrë ritmin e saj normal.
Ne sot, në opozitë dhe dje në qeveri kemi thënë vazhdimisht se ekonomia shqiptare po performon pozitivisht dhe më mirë se rajoni.
Kemi thënë se ekonomia shqiptare ka humbur ritmin e saj dhe kapacitetin e saj të rritjes që nga fillimi i krizës globale.
Presioni i kësaj krize, shtimi i kanaleve të komunikimit me ekonominë shqiptare në mënyrë të detyrueshme do të ndikonte në humbjen e këtyre ritmeve me të cilat abuzohet prej jush.
Reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria e mëparshme, thuhet në raportin e FMN-së bënë të mundur që ekonomia shqiptare të jetë jashtë krizës.
Qeveria do me çdo kusht që ta paraqesë në krizë punën e saj, por po bën atentatin më të madh ndaj ekonomisë së vogël të shqiptarëve që e kanë ndërtuar me mund dhe djersë dhe që i kanë dhënë dinamizëm edhe atëherë kur ekonomitë e fuqishme në mënyrë të njëpasnjëshme u kolapsën nën vorbullën e krizës globale.
Ky buxhet vjen pikërisht për të legjitimuar propagandën boshe dhe hakmarrëse të atyre që sot e kanë marrë pushtetin.
A ishte i domosdoshëm ky akt normativ për rishikimin e buxhetit? Edhe këtu u përmendën një mijë e një argumente. U përmend dhe fakti se po është ndryshuar dhe gjatë tre-katër viteve të fundit. Në këto tetë vite të qeverisjes sonë ne e kemi ndryshuar pesë herë në rritje buxhetin dhe tre herë në rishikim në ulje. Është krejt normale që një qeveri e përgjegjshme të sjellë për të rishikuar buxhetin dhe financat e vendit, por jo për ta shkatërruar atë. Diferenca këtu është përpjekja për të rrënuar në mënyrë përfundimtare financat publike të Shqipërisë.
Kush ishte fundi I periudhës tetë mujore, kur ju morët qeverisjen?
Situata ishte kjo:
Të ardhurat ishin realizuar në masën 93% të programit të tetëmujorit me një deficit prej 16 miliard lekë nga të cilat rreth 13 miliardë lekë lidhen me buxhetin qendror, ndërsa pjesa tjetër prej 3 miliardë lekë lidhen me buxhetin vendor dhe të gjitha këto janë mosrealizime. Dhe në këto 13 miliardë lekë të parealizuara, ekzistonin mundësitë për të rialokuar mosrealizimin pa ndryshuar dhe rrënuar financat publike. Rreth 7 milion lekë ishin kursime definitive, 5 milionë lekë interesa dhe 2 milion lekë ishin fondi i ministrive, I cili nuk figuron më në buxhetin që ju na keni paraqitur. Në periudhën tetëmujore shpenzimet ishin realizuar në masën 92%, pra me rreth 21 miliardë lekë më pak shpenzime nga ato të planifikuara.
Me dashje përfshini 12.5 milion lekë që lidhen me privatizimet që nuk kanë të bëjnë me programimin normal dhe nuk janë burim i deficitit, pasi kanë një pjesë të veçantë financimi.
Në këtë hapësirë shpenzimesh dhe mosrealizimesh ishte e mundur mundësia e rialokimeve pa u bërë gjëmën financave publike.
Gjatë vitit 2005 kur kemi ardhur në pushtet, gjatë periudhës tetëmujore të ardhurat ishin realizuar në masën 88% dhe në katërmujorin e fundit doganat tejkaluan planin me 120%.
Po ashtu tatimet nga 80%, kaluan në 90-92% gjatë asaj periudhe. Dhe kjo bëri që vonesat që ju përmendni i sot për thesarin, ne i kemi gjetur edhe me 21 ditë vonesa dhe 9.8 miliardë lekë nga 2005 sigurisht që janë sa 23 dhe 24 miliardë lekë e 2013. Në u morëm me përmirësimin e performancës dhe lamë pas paraardhësit, ne mblodhëm tatimet dhe taksat dhe në fund të vitit, jo vetëm që nuk ndryshuam buxhetin, por nuk rritëm deficitin duke e ulur atë nga 4.5% që ishte programimi në 2005, ne e çuam në 3.8% të PBB-së.
Ju po bëni të kundërtën, edhe një avantazh që ekziston dhe që duhet përkthyer si rotacion që t’ju mobilizojë më shumë si administratë, edhe këtë po e thyeni dhe po e rrënoni përfundimisht me këtë akt normative të buxhetit.
Çfarë po bëhet me buxhetin?
Buxheti shkurton të ardhurat e vitit dhe rrit deficitin e të ardhurave me 39 miliardë lekë dhe nga këto 35 miliardë lekë janë mosrealizime nga tatimet dhe taksat. Nëse në periudhën 8-mujore mosrealizimi ishte me 13 miliardë lekë, për katër muaj ju po e rrisni me 22 miliardë lekë mosrealizimin e të ardhurave nga tatimet dhe taksat. Nëse mosrealizimi mesatar mujor në periudhën tetëmujore ishte 1.5 mld lekë në muaj, ju programoni që në këtë periudhë mosrealizimi të jetë në 5.5 miliardë lekë në muaj. Janë pra rreth 55 milion dollarë më pak në muaj.
Deficiti në mbledhjen e të ardhurave është rreth 3.5 herë më shumë. Grumbulloni të ardhura me të njëjtin ritëm të asaj eksperience ekstremiste që ju e keni quajtur, që kishte qeverisja e Partisë Demokratike dhe në buxhet do të keni rreth 13 miliardë lekë më shumë. Ju do të merrni 13 miliardë lekë më pak borxh, deficit për të mbyllur këtë pjesë të vitit.
Të ardhurat flasin për një rritje të evazionit me rreth 30 milion dollarë në muaj në krahasim me këtë periudhë të keqe dhe shumë të dobët që pati qeverisja e PD-së, siç thoni ju.
Ku shkojnë këto të ardhura?
Sigurisht shkojnë në interesat tuaja dhe ato që jeni duke i
bërë çdo ditë përmes dinamitit.
Shpenzimet në këtë buxhet thuhet se do të shkurtohen me 16 miliardë lekë dhe këtu ministri i Financave gënjen kur thotë se ka shkurtime edhe në shpenzimet operative.
E vërteta është kjo:
Janë 6 miliardë lekë nga kursimet e interesat e borxhit publik.
Janë 3 miliardë lekë shkurtime nga të ardhurat e pushtetit vendor.
Janë 7 miliardë lekë shkurtime nga investimet publike, ajo të cilën janë ankuar se ka vonesa dhe prapambetje në investime dhe likuidime.
Të gjitha këto bëjnë në total rreth 16 miliardë lekë.
Zero është efekti i shpenzimeve administrative.
Mund të ketë ndonjë ministri që i hiqen shpenzimet. Vetëm kryeministrisë i janë shtuar 580 milionë lekë si fond rezervë, të cilat do të përdoren për ato qëllime të cilat i dimë të gjithë.
Të gjitha janë shpenzime administrative dhe operacionale të ministrive. Nëse i mbledhim këto ju për periudhën e katër muajve të fundit rrisni një kosto 330 milion dollarë, të gjitha këto janë në kurriz të shqiptarëve. Merrni hua 330 milion dollarë nga deviacioni i perfomancës së qeverisë së keqe të Sali Berishës. Sikur të shpenzonit me të njëjta ritme si ato të qeverisë së kaluar që për ju është më e keqja, shqiptarët në fund të vitit do të paguanin 330 milion dollarë shpenzime më pak.
Çfarë ndodh me deficitin dhe borxhin?
Për një periudhë të gjatë e keni bërë “gogol” borxhin dhe u bënë tre katër vjet dhe më të drejtë, sepse një vend për të qenë atraktiv kërkon parametra makroekonomik të stabilizuar.