Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka në Kuvend:
Të nderuar kolegë deputetë,
Brendia e aktit normativ për “Disa ndryshime në buxhet “, që na serviret sot këtu, nuk dëshmon gjë tjetër përveçse atë që Partia Demokratike dhe kjo opozitë kishte paralajmëruar që në seancën e pak javëve më parë, që kjo qeveri është tërësisht kaotike, që është pa program dhe pa alternativë zhvillimi dhe qeverisjeje dhe se përbën rrezik për stabilitetin.
Shumë kush, që sigurisht kishte parë atë seancë në televizion hartimin tuaj me kopertinë të zbukuruar dhe të ngjyrosur me kujdes, por që nuk e kishte lexuar, mund të na ketë paragjykuar, mund të ketë thënë që: “Po pse kështu e nisni, pse kaq agresiv që ditën e parë”, apo të tjera skepticizma kur ne sulmuam dhe paralajmëruam atë që po ndodhte dhe do të ndodhte.
Por sot, pas këtij Akti Normativ, besoj se nuk ka paqartësi se debati ynë ishte paralajmërim i qartë, që hartimi i paraqitur si program, ishte vetëm çelja e siparit të ”Kohës së rrënimit “ dhe se sot shqiptarët kanë mbi kokë “Qeverinë e rrënimit”.
Kur ish- kryeministri Berisha ju kujtoi këtu, se premtimet e z. Rama në fushatë, ishin premtime “alla Papandreu” dhe se kryetari juaj po përgatitet t’i ofrojë vendit tonë të njëjtin fat që ja ofroi Greqisë Papandreu ,nga shumë ju kolegë socialistë, pati reagime. Dhe ishte normale, pasi shumë prej jush nuk e dinit ç’bluante në kokë kryetari juaj dhe se gjithashtu mendonit se do të kontribuonit në forcimin e shtetit dhe zhvillimin e tij. As një muaj nuk ka kaluar dhe gjysma e juaj nuk mendoni njëlloj si para një muaji , dhe për këtë jam i bindur. Prisni, prisni se shumë shpejt do shikoni edhe më shumë!
Thelbi jo vetëm i këtij akti normativ, ndër të tjera duket qartë se është hapi i parë i asaj që ne paralajmëruam.
Dhe, hapi i parë i një qeverisje të paaftë apo qeverisje “alla Papandreu”, është larja e duarve nga premtimet.
Por, që Papandreu shqiptar të mundësonte që në sy të opinionit të lante duart nga premtimet e bujshme me të cilat gënjeu shqiptarët, duhet tu binte fillimisht daulleve të krizës, të falimentimit të financave të vendit.
Dhe kjo përpjekje nisi që më dt, 24 Qershor e në vazhdim. E filloi me mohimin e gjithçkaje që është arritur në këtë vend pavarësisht se shqiptarët i prekin, i ndjejnë aritjet dhe shijojnë frytet e arritura nga qeveria Berisha.
Është muaji i katërt që kudo ku ka shkuar dhe shkon, në çdo kamera që i del përpara, dëgjon termin krizë ekonomike, kolaps financiar dhe nevojë për të filluar vitin zero si të vetmin artikulim tërësisht të qëllimshëm të Papandreut shqiptar.
Të artikuluara në opozitë, ishin dëshirë që i buronte nga shpirti z.Rama, por të artikuluara si kryeministër, janë oguri me i keq për të ardhmen që i pret shqiptarët, megjithëse nuk kanë lidhje me realitetin që trashëgoi.
Dhe, faktin që Shqipëria nuk trashëgoi krizë, e jo më rrënim të financave, nuk e themi vetëm ne që qeverisëm deri dje, por e thonë ndërkombëtaret që na kanë monitoruar vazhdimisht.
Shikoni Progres raportin e 2013-ës që thotë se: “Shqipëria ka vazhduar të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike”.
Raportuesi në bordin e FMN-së për Shqipërinë z. Sacomani, deklaron, që rritja ekonomike për 2013-ën, pritet të jetë afër 2%, papunësia 12.8%, borxhi 64 % të PPB.
E thotë edhe kjo qeveri në shifrat që paraqet në relacion, pavarësisht se me gojë nuk e pranon. Edhe vete z. Rama është i detyruar ta pranojë në letër më së fundi, që ju dorëzuam pushtetin me rritje ekonomike pozitive me shifrën 1. 6%, por ama rritje pozitive e jo negative siç thonit deri para pak kohësh.
Dhe për borxhin publik, që thonit se është mbi 100% të PBB-së, sot e ka firmosur vetë z.Rama, që është 64%, aq sa kemi thënë ne vazhdimisht.
Z. Rama ka harruar që trumbetonte me të madhe, se janë 1 milion të papunë, pasi tani në këtë akt normativ thotë se papunësia është 12.8%, dmth 142 mijë, e jo 1 milion.
Z. Rama ke nxjerrë gënjeshtar veten me firmën tënde, pasi thoje vazhdimisht, që për këtë shifër, ne gënjejmë.
Por, cili është preteksi për rishikim buxheti dhe thellim te borxhit publik ku ju kapeni? Tek mos realizimi i te ardhurave!
Ju akuzoni, se ne ju lame realizimin e të ardhurave 93% ose 16 miliard më pak se plani , mgjse 13 miliard është impakti real në buxhet.
Dhe keni thënë se do të shohim performacë tatimore dhe doganore, çka do të tjotë se po të kishte 1% vërtetësi kjo mburrje, do të kalohej lehtësisht ky mosrealizim?
A e dini se kur na dorëzuat pushtetin në 2005 realizimin e të ardhurave për 8 mujorin na e latë 88%, pra 5% më poshtë se e lamë ne? Dhe ne, edhe pse përgjysmuam taksat për 4 muajt që kishin ngelur, arritëm të realizojmë 127% planin .
Megjithatë të pranojmë, se nuk mund të bëni këtë gjë, por ju duhet të merrni borxh. Pse nuk merrni borxh për investime ashtu sikundër është e sanksionuar dhe është bërë këto vitet e fundit, por merrni borxh për shpenzime?
Të më falni, por më vjen për të qeshur, seriozisht, kur shoh kolegët e mi, të njëjtët që para një viti ulërinin këtu, që nuk duhet rritur borxhi, që rritja e borxhit është rrezik për ekonominë, që ne po falimentonim ekonominë, që një qeveri që rrit borxhin është antikombëtare etj, etj si këto, sot po të njëjtët i ka detyruar të dalin këtu në të njëjtën foltore dhe të argumentojnë pse duhet rritja e borxhit. Dhe cili është ndryshimi nga dje në sot? Sepse dje kundërshtonin rritjen e borxhit për investime.
Sot i ka detyruar të dalin e të lëpijnë atë që kanë pështyrë, por shumë më rëndë, sulmuesit e rritjes borxhit, dje për investime, sot i sheh të bëhen avokatët më të zjarrtë të rritjes së borxhit për shpenzime. Sa qesharake, por njëkohësisht edhe shumë e rëndë është kjo te nderuar kolege. Po nejse të kthehemi tek çështja.
Po pse nuk merrni borxh 13 miliard lekë që është efekti real në buxhet, por merrni afërsisht 40 miliard lekë kur nuk keni ndërmend të bëni fare investime, sepse realisht investimet po i ulni me 7 miliard lekë? Çfarë dmth kjo?
Kjo të nderuar zotërinj, ka edhe një shpjegim tjetër. Ju po bëni atë që ne kishim paralajmëruar. Po merrni borxh jashtë nevojave reale sepse ju duhet të rrisni shpenzimet e administratës, pra, po faktoni atë që kemi thënë, se do jeni qeveria më e kushtueshme që ka patur ky vend në demokraci.
Ju duhet ky borxh, sepse nuk mund të përballoni ndryshe dot krijimin e administratës shtesë të ministrive të reja, se jeni të qartë gjithashtu, se spastrimi politik që keni filluar në administratë,
do të ketë kosto financiare. Pra, jeni të qartë se në shume raste, ju do ju duhet të paguani dy administrata.
Ju duhet borxh, sepse dyshja bashkëkryeministrore ka borxhe të mëdha për të shlyer tek klientët e çiftit Rama –Meta, që paguan paratë për
të blerë vota në fushatë. Shumë, shumë para u derdhën për të blerë vota dhe këtë nuk besoj që e kundërshton ndonjëri, se vazhdojnë barcaleteat për shit-blerjen e votës, edhe sot e kësaj dite.
Tani klientët e dyshes Rama –Meta që paguan, jua kërkojnë t’jua dy ose trefishoni ato para të pista që ju dhanë. Pra, një arsye tjetër pse merrni borxh, është se klientët duan dyer jo thjesht të hapura në dogana dhe tatime por duan dyer të shqyera. Kjo do të thotë, merr borxh shtetëror për të shlyer borxhin personal të dyshes.
Ju po merrni borxh pasi përpos qëllimit për të krijuar idenë e krizës, doni që me këtë akt, t’i paraprini mbajtjes së të vetmit premtim të përrallave të fushatës që keni ndërmend të mbani: Rritjes së taksave.
Kjo zhurmënajë ka qëllim edhe justifikimin e rritjes së taksave duke ja servirur opinionit si shpëtimin e vetëm nga situata e ashtuquajtur e “Rëndë financiare”. Pra, ky akt është edhe një paralajmërim i fortë për kamxhikun që do t’i fshikullojë fort biznesit në periudhën e mëpasme.
Ky akt është dhe çelja e siparit të rrënimit ekonomik të vendit pasi shenjat i ka dhënë me kohë, që në fushatë Papndreu shqiptar me premtimet në ajër që bëri.
Shqetësuese, madje alarmante është fakti, që shqiptarët do vuajnë pasojat e rrënimit që po u troket në derë.
Si përfundim, më lejoni t’ju them, se ajo që u servir me shumë bujë, si Rilindje, po nis qartësisht si rrënim, dhe qeveria e rilindjes që nga sot meriton të quhet qeveria e rrënimit.
Zoti i ruajttë shqiptarët nga ju!
Faleminderit.