Fjala e plotë në Kuvend e deputetes së PD, Jorida Tabaku:
Gjatë fjalës sime të parë në parlament në rastin e prezantimit të programit të qeverisë, shpreha mendimet e mia në lidhje me faktin që qeveria po përgatiste opinion publik për mosrealizimin e premtimeve si dhe kishte disa javë që nxirrte zëdhënës për të alarmuar qytetarë e biznese se në çfarë gjendje të keqe ndodhej ekonomia shqiptare. Njëkohësisht u shpreha se megjithëse konfuze, pa bosht, pa ide të qarta të hedhura në programin e prezantuar qeveria tregonte se nuk kishte një vizion për ndërtimin e një modeli ekonomik.
Dua të ndalem shkurtimisht në 3 drejtime kryesore që besoj se mund të jenë me vlerë dhe për qeverinë për t’i dëgjuar!
Së pari në një kohë rekord për një qeveri normale po sillni dy akte normative, të cilat në vetvete e kanë reduktuar fuqinë e ligjvënësit dhe të debatit parlamentar. Akti Normativ a nuk shpreh vallë vullnetin, unin dhe egon e kryeministrit dhe jo një debat konstruktiv mbi buxhetin?
Ne si opozitë e kuptuam sjelljen ndaj nesh në fjalën e parë që mbajti Z. Rama, por shpresoj të jenë komodë deputetët tuaj me këtë mënyrë të re të funksionuari të parlamentit. E dini kur e ka përdorur aktin normativ për herë të parë qeveria Berisha? Për herë të parë është përdorur në vitin 2006 po për Buxhetin! Por ky është një standart shumë i lartë për tu arritur nga ju!
Së dyti, në çdo dalje tuajën në katër vitet e fundit, në çdo deklaratë, në çdo takim me ndërkombëtare si dhe së fundmi në programin e qeverisë shprehni qëndrimin tuaj për borxhin. Sigurisht kategorikisht kundër! Dhe cili është veprimi i parë që bëni si qeveri? Merrni borxh! Jo për investime, jo për projekte zhvillimi por për paga, për shpenzime operative. Ju po e rilindni vendin në kohën më të keqe të socialistëve, në vitin e fundit të qeverisjes Nano, në atë kohë kur borxhi përdorej për shpenzime rutinore operative! Ndërkohë që në 8 vite te qeverisjes Berisha, stoku i borxhit publik u rrit 404 miliard lekë (rreth 4 miliard dollarë), ndërsa shpenzimet për investime publike ishin 540 miliard lekë (rreth 5.4 miliard dollarë). Edhe pse buxheti i shtetit u luhat në nivelin 26-29 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto, raporti mes investimeve publike dhe shpenzimeve operative u përmirësua ndjeshëm.
Ndërkohë që morëm në 2005 një vend me investime publike që mezi arritën të ngjiten deri në nivelin 15% të buxhetit të shtetit, gjatë 8 viteve të kaluara, kapën edhe nivelin 33% të buxhetit në vitin 2008. Sot, në kundërshtim me ligjin për manaxhimin e shpenzimeve publike, në kundërshtim me parimet e vendosura për ruajtjen e parametrave të qëndrueshmërisë fiskale të vendit, po marrim plot 10 miliardë lekë borxh për shpenzime operative, për zyra, për pritje përcjellje, për ministri të reja e për staf të ri! Qeveria Berisha kurrë nuk e ka marrë një borxh të tillë, ndërkohë që sot deklarohet një rritje e borxhit publik me 6 pikë përqindje në 4 muaj, aq sa u rit në 4 vitet e fundit të presioneve të krizës globale.
Unë personalisht, jam e idesë se borxhi i përdorur për zhvillim dhe që gjeneron punësim, borxhi i shëndoshë, sigurisht mbetet borxh por stimulon ekonominë dhe një nga arsyet që Shqipëria arriti të ketë këto tregues që ka sot është pikërisht fakti që borxhi u përdor ashtu siç duhej! Ndërkohë që në 4 muaj parashikoni që reduktim në të ardhura prej mbi 20 miliardë lekë, ndërkohë që 8 muaj ky mosrealizim ishte vetëm 13 miliardë lekë. Sa e aftë do të jetë kjo qeveri të grumbullojë të ardhura vitin tjetër? Përsëri do të vazhdojmë po me këtë tendencë? N.q.s. e lamë Shqipërinë me një borxh për frymë prej 280 000 lekë me këtë borxh të ri prej 24 miliard lekësh, ju po e rrisni në 325 000 lekë një rritje prej mbi 13 përqind për borxhin e çdo shqiptari që rëndon në xhepat e tyre.
Se treti, si ne relacionin e përgatitur, dhe ne diskutimet ne komisionin e ekonomisë, ashtu dhe ne konferencat për shtyp, akoma nuk janë sqaruar shumë detaje. Së pari, metodologjia e realizuar për parashikimin e të ardhurave duke ndjekur të njëjtin trend që kishte realizimi i të ardhurave për 8 muajt e parë të vitit, të kishte ruajtur të paktën raportin 93% që keni deklaruar po ju. I cili duke pasur parasysh dhe efektet e politikave reduktuese që janë parashikuar në buxhetin fillestar në asnjë rast, në asnjë skenar nuk parashikonte një gropë prej 40 miliardë lekësh. Çfarë metodologjie, çfarë faktorësh kanë ndikuar që ç’do muaj administrata juaj tatimore do të gjenerojë 6 miliardë lekë më pak, mesatarisht ç’do ditë 3 milionë lekë më pak
A ka një analizë si do të ndikojë kjo politikë e marrjes hua të një vlere kaq të madhe për kaq pak muaj në vitin e ardhshëm? Në qershorin e afërt ju deklaruat se tregu i brendshëm ka nevojë të menjëhershme për likuiditet e po kështu premtuat ne program. Madje ky veprim i kritikuar fortë edhe nga vetë Banka e Shqipërisë, të cilës sipas programit të qeverisë aktuale do t’i jepeshin dhe çelësat e përcaktimit të tavanit dhe këmbora për t’i tërhequr veshin qeverisë kur ta kalonte atë. Edhe pse kritikë të qeverisë së djeshme sot po merrni hua nga tregu i brendshëm i bankave duke mos i dhënë mundësi tregut të brendshëm të zhvillohet dhe duke i vendosur depozitat vendase të blejnë dhe rifinancojnë borxhin.
Akti normativ tregon një mungesë të theksuar transparence. Për herë të parë marrim një dokument që nuk sqaron në detaje se cilat janë projektet e investimeve që do të shkurtohen, se në të vërtetë do të shkurtohen plot 7 miliardë lekë investime publike, cilat janë njësitë e pushtetit vendor që do ti shkurtohen shpenzimet, sepse në të vërtetë përveç shkurtimit prej 3 miliardë lekë si rezultat i të ardhurave ka dhe një shkurtim prej 6.5 milionë lekë në fondin për buxhetin e pushtetit vendor. Po ky buxhet është transparent në diçka, këtu shikohet qartë se shpenzimet operative do të shtohen, plot 17 miliardë lekë në krahasim me planifikimin tonë dhe sipas analizës këto shpenzime variojnë nga 4.2 milionë lekë në Ministrinë e Ekonomisë në 600 000 lekë në zyrën e Kryeministrit. Për çudi juve pretendoni të bëni shkurtime në administratë!
Dua t’i rikujtoj ish kryetarit të Bashkisë se si e la atë para dy vitesh. 24 milionë dollarë borxhe për vendime gjyqësore të papaguara, 20 milionë dollarë shpronësime, 35 milionë dollarë punë të papaguara. Çfarë bëmë? Nuk u qaravitëm por dolëm të mbledhim të ardhura!
Në këtë buxhet nuk shohim as hijen e një vendi që siç pretendoni ju është në krizë. Këtu nuk shohim asnjë politikë stimuluese për biznesin. Këtu nuk janë as borxhet e pretenduara nga ju që qeveria i ka lënë biznesit që ulen e ngrihen nga 10 miliardë që deklaroi dje Ministri i Financave në 50 miliardë që deklaroi të premten po Ministri i Financave. Në këtë buxhet nuk ka asnjë politikë stimuluese për asnjë nga sektorët që ofrojnë shërbime për qytetarët, as nuk do të fillojnë ato trajnimet profesionale për të rinjtë sepse shpenzimet për tregun e punës ulen dhe rriten shpenzimet për administratën, as nuk do të kemi reformim në sistemin shëndetësor e shoqëror sepse dhe k
ëtu do të shpenzojmë më pak e priten të rriten kontributet! Ky ndryshim në buxhet paralajmëron vetëm diçka! Një ndryshim buxheti për kollandrisjen e qeverisë se re! Asgjë më shumë! Shqipëria që lamë ne është ajo që dëgjuat në takimet me FMN me rritje të parashikuar 2 përqind për këtë vit, Shqipëria që lamë ne është ajo që dëgjuat nga raporti i progresit të BE me borxh rreth 63 përqind të GDP, Shqipëria që lamë ne është ajo që përsëri dëgjuat nga raporti i FMN me papunësi 12.8 përqind e rritje të punësimit me 2.8 përqind. Është ajo që siç tregon progres raporti i BE ka pasur rritje të sipërmarrjeve të reja më 8 përqind! Kjo është Shqipëria që ju pretendoni të rilindni?! Edhe sikur të mos bënit asgjë, ashtu siç kanë qejf shpesh herë ministrat tuaj të thonë, mendoj se do ti bëni më pak dëm vendit! Dhe sikur të mos bënit asgjë, por vetëm të vazhdonit të ruanit të njëjtin trend që la qeveria Berisha vendi sot të paktën do të kishte 13miliardë lekë të ardhura më shumë!
Për të gjitha këto arsye, si dhe për të mirët e qytetarëve që më kanë votuar mua dhe Partinë Demokratike shpreh votën time kundër këtij drejtimi që doni të çoni ekonominë shqiptare!