Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:
Partia Demokratike denoncon përsëri Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm Tahiri, të cilët po vendosin ditë pas dite nën kontroll të plotë partiak, policinë e shtetit.
Në kundërshtim të hapur me ligjin, dy ditë më parë, është emëruar në detyrën e drejtorit të personelit të policisë së shtetit, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit në Fier, Xhevahir Karaj.
Ligji për Policinë e shtetit ndalon rreptësisht përfshirjen në këto struktura të personave me lidhje dhe me vokacion partiak.
Kandidati për deputet i një partie, është shërbëtor i kësaj partie, është militant i kësaj partie, është pjesë thelbësore e kësaj partie.
Është e qartë se Kryeministri në bashkëpunim me Ministrin e Brendshëm kanë caktuar drejtor të personelit në policinë e shtetit një politikan, një shërbëtor të partisë, i cili do të bëjë maksimumin për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e Partisë Socialiste, dhe jo interesat e shtetit dhe të publikut.
Shkelja e ligjit të policisë së shtetit e nisur me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë vazhdoi më tej me shkarkimet kolektive të drejtuesve të lartë të policisë.
Shkelja e ligjit dhe e çdo standardi vazhdoi me shkrirjen e strukturës së hetimit te krimit ekonomik duke e lënë vendin dhe sot që flasim pa mbikëqyrjen e kësaj strukture.
Shkelja e ligjit vazhdon me arrogancë të pashoqe me emërimin politik të drejtorit të personelit.
Kur Kryeministri, ministri dhe drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit, shkelin ligjin, çfarë garancie duhet të presin qytetarët nga kjo qeveri?
Këto janë ditët më të errëta për policinë e shtetit.
Është kjo arsyeja pse krimet shtohen, pse pasiguria e jetës rritet dhe pse aksidentet po marrin përditë e më shumë jetë njerëzish.
Kur qeveria sillet si bandë që nuk njeh ligjin, atëherë elementët kriminalë dhe të rrezikshëm për shoqërinë gjejnë terrenin më të përshtatshëm për të lulëzuar.
Ne i kërkojmë qeverisë të ndalë shkelmimin e ligjit dhe të kthejë mbrapsht aktet e paligjshme që po e dëmtojnë rëndë policinë e shtetit, dhe po rrisin pasigurinë e qytetarëve në vend.