Fjala e deputetit të PD, Sokol Olldashi:
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë!
Drafti që vjen sot, është një ligj shumë i mirë i cili i jep një hap para administratës tonë detare, veçanërisht çështjeve të sigurisë në porte dhe anije që kanë çështje të një problematike të ndjeshme e serioze dhe ka përjetuar Shqipëria gjatë gjithë dekadave të fundit.
Nuk bëhet fjalë vetëm për këto 20 vite. Duke iu referuar disa nga diskutimeve që bënë deputetët e maxhorancës, do të kujtoj disa gjëra. Për të gjithë ata që e njohin situatën e porteve shqiptare 8 vite më parë, dhe që kanë grimcën më të vogël të realizmit, e dinë që kjo situatë sot është krejt e ndryshme. Po ju kujtoj se në portin e Durrësit kemi investuar 5.4 miliardë lekë. Kemi ndërtuar terminalin, kalatë lindore, kalatën 7 dhe 8. Në portin e Shëngjinit kemi ndërtuar kalatë të re.
Në portin e Vlorës është në procedurë dhe mund të pyesni pranë Ministrisë së Transporteve, një prokurim prej 15.3 milionë eurosh kredi nga qeveria italiane për rikonstruktimin e Portit të Vlorës. Në portin e Sarandës kemi ndërtuar kalatën e re të anijeve “kruiz” dhe kemi rindërtuar kalatë e Limjonit për të zhvendosur trafikun e mallrave nga qyteti i Sarandës drejt Limjonit. Tani të vish këtu dhe të flasësh, dhe pse i ka bërë këto qeveria e mëparshme, nuk është serioze.
Të thuash që pijnë rojet lëngje nuk ka të bëjë me sigurinë në anije dhe porte. Roje pinë lëngje sepse është vapë dhe trupi i njeriut ka nevojë. Të vish dhe të thuash se porti është i rrethuar me kangjella, më falni por këto janë toçllëqe. Nuk ka port në botë që është bulevard apo shëtitore për cilindo. Të gjithë portet në botë janë të rrethuar dhe kanë elemente sigurie. Të vish e të flasësh për standardet e anijes dhe të fajësosh administratën shqiptare është gabim sepse nuk ka asnjë anije pasagjerësh që të jetë e regjistruar në regjistrin shqiptar detar. Janë të regjistruar në regjistrat detarë të shteteve fqinjë, shumë më të konsoliduar, seriozë dhe më të monitoruar sesa ne.
Porti i Durrësit ka kapacitet përpunues 11 mln ton në vit dhe sot ka 6.5 mln ton kapacitet të pashfrytëzuar, nuk është problem thellimi por kanali. Administratat detare është duke negociuar me bankat për të marrë kredi për të bërë kanalin thellues të Portit të Durrësit.
Koncesionet janë bërë sipas procedurave transparente dhe asnjë procedurë e përshpejtuar.
Janë bërë mbi një masterplan hartuar nga BB dhe miratuar me vendim të Qeverisë.
As unë e askush tjetër nuk keni tagër të hiqni të drejtën e dyshimit. Jeni në qeveri, hapni letra e verifikoni e mos bëni konkluzione të paqenë. Vetëm në muajt e fundit në portin e Durrësit kanë ardhur 5 kroçera. U bë administrata e re detare, me ndihmën bujare të qeverisë spanjolle. Po kështu u mundësua ngritja e sigurisë portuale dhe e gjithë kjo është një arritje shumë e madhe për forcimin e sigurisë në porte. Mos i jepni konotacion politik, sepse uji i detit është blu nuk është i kuq.