Basha: “Blerja e votës është vrasja e demokracisë, hetim organizatorëve, ekzekutorëve dhe burimit të financimit të blerjes së votave!”
Basha: “Blerja e votës është vrasja e demokracisë, hetim organizatorëve, ekzekutorëve dhe burimit të financimit të blerjes së votave!” Deklarata për media e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha: Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista, zgjedhjet e mbajtura ditën e dielë në qytetin e Korçës. Emisioni investigativ “Fiks Fare”, i televizionit “Top Channel” kapi me presh në duar një prej bandave të rrjetit kriminal, organizuar me regjistra, me kompjuter dhe para të thata, për të blerë votën e qytetarëve korçarë, në bazë të një plani të detajuar, të përgatitur me kujdes në zyrat e Partisë Socialiste. Dëshiroj të falënderoj stafin e këtij emisioni, për shërbimin e vyer që i ka bërë të vërtetës së zgjedhjeve në Korçë. Banda e filmuar nga kamerat e “Fiksit” dhe simotrat e saj, të vendosura në pika të ndryshme të qytetit, për të blerë vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve të supozuar si kundërshtarë të Partisë Socialiste dhe për të ushtruar presion mbi zgjedhësit në përgjithësi, e ushtruan veprimtarinë e tyre kriminale nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës dhe mbarë kupolës së qeveritarëve dhe mercenarëve të tyre që kishin zbarkuar në Korçë dy ditë me radhë, për të drejtuar dhe siguruar operacionin e manipulimit të zgjedhjeve me metodën e tyre perverse dhe kriminale të blerjes së votës. Në Korçë, Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqëndruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe i paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem, në qeverisjen e tyre: eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet blerjes së votës i gjykimit të drejtë popullor. Partia Demokratike denoncon fuqishëm këtë krim të rëndë, jo vetëm ndaj qytetarisë korçare por ndaj gjithë shqiptarëve pa dallime politike. Blerja e votës është vrasja e demokracisë. I kërkojmë prokurorisë, që në mënyrë urgjente, të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve, në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korçë, të kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat, në shkëmbim të parave por mbi të gjitha të organizatorëve që përdorën para të mafias, për të blerë pushtetin e Bashkisë së Korçës. Ky hetim duhet domosdoshmërisht të shtrihet tek burimet e financimit. Ku u gjetën paratë, si u transferuan, kush janë financuesit e këtij krimi që tronditi shqiptarët?! Vetëm hetimi i plotë i këtij krimi dhe parave të krimit, do e bëjë të besueshëm këtë proces. Kemi përgatitur dhe do të zyrtarizojmë kërkesën për anulimin e zgjedhjeve botërisht të manipuluara të së dielës në Korçë dhe krijimin e kushteve për përsëritjen e tyre në një kohë të përshtatshme, me garancitë e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese. E dimë mirë se kur preken themelet e demokracisë, çështja e mbrojtjes së saj thërret në skenë popullin sovran, e dimë mirë se qytetarët korçarë, të fyer e të lënduar si asnjëherë tjetër me skenat e ulta të blerjes së votës në qytetin e tyre, nuk janë aspak të trembur, por të revoltuar. Mbarë qytetarët shqiptarë kanë arsye të revoltohen dhe të ngrenë zërin e fuqishëm të protestës, kur shohin qeverinë të sillet si bandë edhe me votën e lirë. Partia Demokratike po bën e do të bëjë të gjitha përpjekjet, për ndëshkimin dhe kapërcimin në rrugë ligjore, institucionale të pasojave të rënda të krimit zgjedhor në Korçë, por ne jemi sot të vendosur të hedhim çdo hap tjetër, për të ndaluar dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafias politike në vend. Ne jemi forca politike që ka ndryshuar historinë e këtij vendi, duke e kthyer me fytyrë nga Perëndimi. Zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë! Kushtetutën dhe ligjin nuk i japim! Demokracinë nuk e japim!