Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri:
Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri: Zyrat e Partisë Demokratike në Mat, janë dhunuar, janë thyer, janë bastisur mbrëmë në darkë. Zyrat e Partisë Demokratike në Mat nuk kanë ndonjë mall me vlerë që të jenë në vëmendjen e hajdutëve. Kjo ngjarje nuk është një vjedhje, por është një dhunim, është fragment i klimës së terrorit, të anti-ligjit që po krijon Kryeministri Rama dhe qeveria e tij në gjithë vendin. Dhunohet vota e lirë në Korçë, dhunohet zyra e demokratëve në Mat, dhunohet siguria e qytetarëve për të drejtën themelore të pronës. Dhuna është e vetmja gjë që po prodhon kjo qeveri, sepse asgjë tjetër nuk po prodhohet në vend. Klima e frikës dhe e terrorit po ndihet mbi qytetarët e vendit, por në veçanti qeveria e Edi Ramës është e interesuar të vejë nën presion demokratët, opozitën e vendit. Me blerje votash, me blerje mandatesh, me dhunim zyrash, e dhunë të çdo natyre, Kryeministri 20 mijë lekësh po rreket të shkurajojë demokratët dhe qytetarët e këtij vendi, këdo që nuk brohoret për të. Por e ka gabim. Demokratët nuk tremben. Ne nuk tulatemi për asnjë moment. Jemi dhe do të jemi përballë anti-ligjit, anti-kushtetueshmërisë, përballë dhunës qeveritare.