Fjala e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka, në Kuvend:
Në vazhdën e akteve të paturpshme të saj, qeveria na ka sjellë këtu një projektligj me të cilin shpreson të vazhdojë të mashtrojë shqiptarët. Një projektligj me anë të të cilit kërkon t’ju tregojë shqiptarëve se sa shumë po sakrifikojnë këta zotërinj për qytetarët e këtij vendi. E këtë e bëjnë pasi nuk ka mbetur shqiptar pa pare si këta zotërinj, me paratë e vjedhura shqiptarëve. Vetëm pak ditë më parë, ju blenë votën dhe dinjitetin mijëra qytetarëve në Korçë. Kur Rama ndërmori aktin normativ i cili shkatërronte konsensusin politik dhe poshtëronte Parlamentin, ne deklaruam se nuk kishte akt më të rëndë kundër parlamentarizmit në Shqipëri. Por, Rama na kishte paralajmëruar ( dhe ne e dinim në fakt ), “Se nuk kishim parë asgjë akoma”. E pamë këtë të diel në Korçë. E pamë se si ajo që duhet të jetë themeli i demokracisë vota e lirë e qytetarëve shitej dhe blihej në mënyrën më të mirë. Dukej sikur ishe në dyqanet e tollonit të dikurshëm ku shitësja pasi të thërriste emrin nga lista të hidhte copën e kockës të futur në një qese dhe me të regjimi u blinte heshtjen dhe bindjen qytetarëve të tij edhe për disa ditë më shumë. Ajo që pamë në fakt, ishte shumë më e rëndë. Jo se nuk e dinim sepse e kemi denoncuar fenomenin më 23 qershor dhe çdo gjë që ne kemi denoncuar konfirmohej në mënyrë më të qartë me pamjet e transmetuara nga Top Channel. Kushdo që i ndoqi sekuencat kuptonte lehtësisht se kishim të bënim me një skemë të organizuar tërësisht e deri në detaje nga PS. Një skemë që dilte po aq qartë se kishte funksionuar në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Por ajo që mua mu duk edhe më e rëndë, ishte arroganca me të cilën procedohej me qetësinë më të madhe. Sot ju paraqisni shqiptarëve një projektligj me të cilin do i hiqni deputetëve dhe disa zyrtarëve të tjerë, nga 1 litër naftë prej racionit të tyre dhe do kurseni rreth 1 milionë dollarë. Sa tollona janë 1 milionë Dollarë? Sa vota? Zbarkoi e gjithë qeveria në Korçë. Përpara zgjedhjeve bashkë me tabor policësh e badigardësh e kaq para’ sa do të kursejë nga ky projektligj, i harxhuan në pak ditë në Korçë. Por për çfarë? Për të vënë nën presion qytetarët e Korçës. Për t’ju thënë se kush nuk do të merrte kulaçin 2 mijë lekësh të Ramës, do të merrte kërbaçin. Ose 2 mijë lek, dhe votën për PS-në, ose mos guxo të dalësh nga sgtëpia sepse do futesh në rreth të kuq dhe nesër mund të të shkatërrohet biznesi, apo edhe shtëpia ku banon. Nuk mund ta fsheh se transmetimi i atyre pamjeve akuzë të drejtpërdrejta ndaj PS-së dhe Ramës, në një televizion pranë mazhorancës, më habiti mua dhe shumë të tjerë. Dikush mendoi se është ndonjë nga ato lojërat që dy krerët e qeverisë së sotme janë mësuar t’i bëjnë njëri-tjetrit e që nuk mjaftohen me blerje votash të qytetarëve apo edhe të vetë deputetëve, por një i njohuri i Ramës më dha edhe një variant, që nuk e di sa i vërtetë mund të jetë, por që për një si Rama që vazhdon të shohë në ëndërr Enverin është plotësisht i besueshëm. I ka transmetuar vetë, tha. Mbase Rama me arrogancën e tij prej burracaku në pushtet, kërkon t’u thotë shqiptarëve se unë ju mashtroj, pastaj ju shkatërroj bizneset, ju shkatërroj edhe shtëpitë e ju nxjerr në rrugë. Nuk pyes as për ligje, as për Kushtetutë, por ju dhunoj dhe ju poshtëroj e ju nuk keni se çfarë të bëni se pastaj në fund ju marr edhe votën me dhunë, po nuk pranuat me para. Dhe e gjithë kjo bëhet duke ju zhytyr po këtyre qytetarëve. Keni një sjellë një ligj për të kursyer 1 milionë dollarë, gjoja për qytetarët, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, keni marrë borxh plotë 250 milionë Dollarë për të mbuluar qejfet si qeveri, por edhe për të rifutur në xhepat tuaja milionat me të cilat bletë votat më 23 qershor. Zotërinj, keni shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Keni shkelur me të dy këmbët liritë themelore të qytetarëve shqiptarë. Shkelni çdo ditë mbi pronën dhe dinjitetin e tyre dhe këto nuk mund të ndodhin jo në një vend që pret të bëhet pjesë e BE-së, por as në atë vend që ekziston në imagjinatën e Ramës e ku ai po me atë imagjinatë është Sulltan. Kjo nuk mund të ndodhë sepse ne nuk do e lejojmë, shqiptarët nuk do e lejojnë. Sot mbase ndjeheni të fortë e prandaj bëheni edhe arrogantin, por do shihni se sa shpejt ndryshojnë gjërat. Nëse dikush mendon se e mori dhe mund ta mbajë pushtetin me para të pista, me banda apo me vota të blera, gabon rëndë. Kështu si e keni nisur shumë shpejt këto para nuk do ju mjaftojnë.