Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:
Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani: 16 oficerë të sektorit të operacioneve speciale, të trainuar nga organizatat partnere më prestigjioze ndërkombëtare si FBI, ICITAP, PAMEGA, OSBE dhe nga ekspertët e anti-terrorit në Turqi, të angazhuar për vite me radhë në ndalimin dhe arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë liruar tashmë detyra pa asnjë motiv. Me marifetin banal, shkurtim strukture, elita e policisë së shtetit, oficerë që shpesh kanë vënë në rrezik edhe jetën në përpjekjet kundër kriminelëve ju bashkuan shokëve të tyre të liruar më parë nga detyra si pasojë e shkrirjes së sektorit të hetimit të krimit ekonomik dhe sektorëve të tjerë. Partia Demokratike, e vendosur për të mos lejuar zhbërjen e shtetit apo vendosjen e tij nën kontrollin e krimit, denoncon edhe një herë përpara publikut dhe kujt-do që ka vesh të dëgjojë dhe që i dhimbset Shqipëria, se akte të tilla duhet të ndalen sa nuk është vonë dhe në policinë e shtetit duhet kthyer ligjshmëria dhe profesionalizmi. Oficerët e policisë të këtyre sektorëve jetik të luftës kundër krimit kanë fajin e vetëm se dinë shumë. Ata janë në dijeni të lidhjeve të elementëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe miqësive të tyre politike që shkojnë deri tek Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, duan ta kthejnë policinë e shtetit në një strukturë ushtarake të Partisë Socialiste për ta përdorur kundër kundërshtarëve politikë dhe për interesat e tyre mafioze dhe jo për të ruajtur rendin dhe qetësinë për gjithë popullin shqiptar. Ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit, që po i bëhet demokracisë, dhe qytetarëve. Efektet e kësaj paligjshmërie dhe veprimtarie anarkiste janë ndjerë menjëherë me pasoja të rënda për shtetasit e këtij vendi sepse policia e shtetit ka humbur aftësinë për të mbajtur nën kontroll teritorin e vendit. Vetëm në dy javët e fundit, ka mbi 20 viktima nga vrasjet, aksidentet në rrugë dhe së fundmi në minierat e braktisura.