Basha: Opozita e vendosur të bëhet një barrierë e pakapërcyeshme për arbitraritetin, abuzivitetin, arrogancën dhe mungesën e transparencës Asamblea Politike e Partisë Popullore Europiane, e cila përbëhet nga 73 parti, nga 39 vende, zgjodhi sot si Presidentin e saj te ri Joseph Daul. Daul, i cili mbante postin e Kryetarit të Grupit të PPE-së në Parlamentin Europian, u zgjodh me 112 vota nga 124 vota në total. Presidenti i ri i PPE-së, e ka konsideruar shumë të rëndësishëm zgjedhjen në krye të Partisë me ndikimin më të madh politik në Europë. “Është një nder i madh për mua të marrë këtë mandat për të çuar përpara Partinë, veçanërisht në një kohë me sfida të rëndësishme, si zgjedhjet europiane të majit të vitit 2014 . Unë do të bëj çmos për të vazhduar punën e jashtëzakonshme të Wilfried Martens , udhëheqja dhe angazhimi i të cilit e ka bërë PPE-në Partinë më të madhe dhe me ndikimin më të madh politik në Europë “, deklaroi Joseph Daul.  Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi një lajm shumë të mirë zgjedhjen në këtë post të zotit Daul, i njohur për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit. “Eshtë lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Presidenti i ri Joseph Daul, është një person jo i panjohur për publikun shqiptar, për shkak të rolit të tij konstruktiv dhe në momente të vështira, siç ishte momenti i asaj që publiku shqiptar njeh si “kriza e krokodilit”, por që natyrisht është vetëm maja e ajsbergut e kontributit shumë vjeçar të Joseph Daul, që Shqipëria të avancojë në rrugën e integrimit europian, që shqiptarët të mos vuajnë as nga stigmat e të kaluarës dhe as të ndëshkohen padrejtësisht nga probleme të drejta dhe legjitime të së tashmes, por që shqiptarët të përfitojnë si çdo komb tjetër nga procesi i anëtarësimit në BE”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Zoti Basha ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në këtë Asamble, për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, sikundër i ka njohur me goditjen e rëndë që i është dhënë demokracisë në Shqipëri përmes blerjes së votës në Korçë. “Kam kërkuar mbështetjen e të gjithë të pranishmëve, shumica e të cilëve janë në qeverisje sot në Europë, sepse e djathta është shumicë si në qeveritë e kombëtare, ashtu edhe në Parlamentin Europian edhe në Komisionin Europian, pra përkrahjen e tyre, që Shqipëria të marrë statusin në dhjetor.
Kam shprehur qëndrimin e prerë të Partisë Demokratike, në koherencë me qëndrimin tonë si mazhorancë,  tani në opozitë, se Shqipëria e meriton statusin, që shqiptarët e meritojnë statusin. Natyrisht në këto biseda kam theksuar faktin që progres-raporti i KE-së, nënvizon përparimin e dukshëm që u arrit edhe gjatë vitit të fundit, të qeverisjes së Partisë Demokratike si mazhorancë. Pra është një kërkesë e bazuar në fakte, është një kërkesë e bazuar në argumente, është një kërkesë e bazuar në një realitet të marrë në analizë tashmë nga Komisioni Europian.
Nga ana tjetër kemi diskutuar jo për herë të parë, por në mënyrë edhe më të thelluar për shqetësimet e mëdha me të cilat po përballet opozita shqiptare, Partia Demokratike, publiku shqiptar në raport me goditjen e rëndë që i është dhënë shtetit ligjor dhe së fundmi edhe votës së lirë, me episodet e shëmtuara të blerjes së votës në Korçë.
Partia Demokratike e ka ngritur zërin fuqishëm, në mënyrë institucionale por edhe në mënyrë popullore siç tregoi edhe protesta në Tiranë dhe sot ka siguruar mbështetjen e gjerë dhe të fuqishme të PPE-së, ka siguruar mbështetjen e fuqishme të partive simotra, me të cilat po bashkërendojmë një aksion të fuqishëm në kuadër të PPE-së, për të ndalur këtë revansh ndaj shtetit ligjor dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që guxuan të ngrinin rrethin kriminal me të cilin u dëmtua demokracia shqiptare dhe kërcënohet edhe sot e kësaj dite kjo demokraci nëpërmjet shitblerjes së votës”, deklaroi zoti Basha . Kryetari i opozitës, ka theksuar se ecja përpara në etapat që e presin vendin për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian siç është statusi i vedit kandidat e më pas, hapja e negociatave, është korniza e duhur për të trajtuar çdo problem dhe shqetësim, përfshirë të ashtuquajturat prioritete kyçe të Komisionit dhe natyrisht shqetësimet ekzistenciale për demokracinë dhe shtetin ligjor që janë natyrisht shumë më të rëndësishme, dhe shumë më themelore se çdo prioritet tjetër. “Pra besojmë së është pikërisht procesi integrimit europian, që do të japë më shumë mundësi opozitës shqiptare, shoqërisë shqiptare për të vënë para përgjegjësisë dhe llogaridhënies një qeveri që sot bënë shurdhin, jo transparentin, hesht për çështje të rëndësishme për publikun, hesht për çështje jetike për publikun dhe shkelmon ditë për ditë ligjin dhe Kushtetutën dhe demokracinë. Nga ana tjetër nuk është fare e çuditshme që mazhoranca bënë të paditurin në këtë drejtim sepse kursi i veprimeve që po ndërmerr është në konflikt të plotë me procesin e integrimit europian të vendit, thënë shkurt, ky paradoks ku opozita e re po investohet fuqishëm në procesin e integrimit europian të vendit dhe qeveria tashmë ka komplekse ta përmendë atë, është treguesi më i qartë se mazhoranca është në konflikt interesi me axhendën europiane, me aspiratën mbarë popullore të shqiptarëve për integrim në Bashkimin Europian”, u shpreh zoti Basha. Lidhur me debatin për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, Basha e konsideroi papërgjegjshmëri të kryeministrit Rama, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve shqiptarë. “Ne kemi folur që ditën e parë për këtë çështje, është mungesë transparence, është mungesë llogaridhënie, është mungesë përgjegjshmërie para qytetarëve shqiptarë dhe kjo qeveri ia lejon vetes këtë luks sepse mendon se kur të vijë dita që të përballet me qytetarin shqiptar, mund t’ja blejë votën, këtë e pamë fare qartë në Korçë. Por opozita është e vendosur që për këtë çështje të rëndësishme dhe për çdo çështje tjetër së bashku me qytetarët shqiptarë, të bëhet një barrierë e pakapërcyeshme për arbitraritetin, abuzivitetin, arrogancën dhe mungesën e transparences”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.  Për pampjet e plota ju lutem klik: https://www.wetransfer.com/downloads/d5e08dcdaec1479b9c18038e05c5690a20131113113153/096f79a806e