Fjala e plotë e kreut të opozitës Lulzim Basha në selinë e Partisë Demokratike pas reagimit të Kryeministrit për armët kimike:
15 nëntor 2013 Të nderuar zonja dhe zotërinj! Të rinj dhe të reja, të dashur bashkëqytetarë! Pak minuta më përpara i gjithë populli shqiptar i dha fund ankthit dhe alarmit të vet shumëditor, duke e detyruar Edi Ramën të bashkojë “jo”në e tij të mekur me “Jo”-në e fuqishme mbarë popullore për marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë ne territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një fitore e madhe e shoqërisë së lirë shqiptare, që mori në dorë fatin e saj, kur kryeministri i vendit tentoi të luante me të për interesa dhe përfitime ngushtësisht personale, një fitore që dekretoi fuqinë e saj sovrane në sheshet e protestave masive si në çdo demokraci të pjekur, të denjë për familjen e kombeve të lira ku kemi zgjedhur e jemi të vendosur të bëjmë pjesë. Partia Demokratike dhe mbarë opozita politike shqiptare ndihen pjesë e gëzimit të ligjshëm mbarë popullor jo vetëm se ndan me bashkëqytetarët e saj të lirë të këtij vendi kuptimin për vlerat e përgjegjësisë, llogaridhënies dhe transparencës në demokraci, por edhe sepse ishte pa asnjë ekuivok në krahun e qytetarëve dhe bëri detyrat e saj si opozitë parlamentare për të demaskuar e penguar gënjeshtrat, mashtrimet dhe papërgjegjshmërinë flagrante të kryeministrit, duke depozituar zyrtarisht kërkesën për referendum popullor për armët kimike. Thënë këtë, dua ta përsëris me krenari se punën e madhe e bëri populli i bashkuar pa dallime politike, e bëri rinia, rinia si forcë, rinia si shpresë, rinia si ëndërr dhe aspiratë demokratike e shëndetshme, europiane e moderne. Si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës së vendit, por edhe si qytetar e si prind, u shpreh mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin tim gjithë të rinjve e të rejave, gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës, e ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike. Një problem i madh u zgjidh sot, por një problem tjetër i madh ka dalë tani në dritë të diellit për gjithë shqiptarët. Ky është problemi “Edi Rama”. Edi Rama e kurdisi me megalomaninë dhe papërgjegjshmërinë e tij skandalin dhe turpin e armëve kimike.
Edi Rama u ofrua për çështjen e armëve kimike, por jo si kryeministri serioz i një vendi serioz që dëshiron të kontribuojë, siç ka kontribuar prej vitesh për paqen dhe sigurinë në botë; jo si miku dhe partneri i mirë që dëshiron të ndihmojë me mundësitë që ka vendi në kuadrin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ofrua si hileqar dhe pazarxhi për interesa dhe përfitime meskine të vetat. U ofrua si çifligar, duke mos u kujtuar se Shqipëria nuk është çifligu i tij, nuk është prona e tij private me të cilën mund të bëjë çfarë t’i dojë qejfi. Po të ishte kujtuar se Shqipëria është një vend i lirë me njerëz të lirë, do të ishte treguar serioz me aleatët, duke ju ofruar për çështjen madhore dhe shumë të ndjeshme të asgjësimit të armëve kimike vetëm aq sa mund të bënte vendi, do të ishte konsultuar me Presidentin e Republikës, do të ishte konsultuar, pse jo, me opozitën e vendit, me Kuvendin, me aleatët e tij, me grupet e interesit nga shoqëria civile, pa qenë nevoja të fuste në siklet dhe më keq se në siklet aleatin tanë me garancitë e tij arbitrare, që në fakt ishin mashtrimet e tij. Nuk u konsultua me kërkënd në Shqipëri, nuk bëri transparencë më kërkënd në Shqipëri. E mbajti për vete për ta kapitalizuar për vete këtë çështje kaq të rëndësishme. Shpresonte të fitonte me armët kimike kapitalin politik që po humb me shpejtësi në Shqipëri me paligjshmerinë dhe arbitraritetin e tij të përditshëm. E gënjeu mendja për shumë gjëra, duke harruar se vetë ndërtesa madhështore e demokracisë amerikane është ngritur mbi vlerat e përgjegjësisë dhe transparencës me publikun. Edi Rama gënjeu në fillim publikun se amët kimike ishin një çështje e NATO-s. Edi Rama gënjeu protestuesit. Edi Rama gënjeu aleatin tonë strategjik. Në fund, falë barrikadave shpirtërore e mendore që u ngritën nga të katër anët në Shqipëri e jashtë saj kundër aventurizmit të tij, Edi Rama mbeti i vetëm në rrethin e gënjeshtrave të tij, i pabesueshëm për publikun shqiptar, i pabesueshëm edhe prej partnerëve tanë. Dështimin e tij të dyfishtë, fiaskon e tij të pashembullt, Edi Rama nuk e fsheh dot as me “jo”-në e mekur kur s’kishte rrugë tjetër dhe as me akuzat dhe sulmet e mjera kundër Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare. Sot, në vend që t’u kërkojë ndjesë mbarë shqiptarëve që i mashtroi dhe u prishi gjakun dhjetë ditë më radhë, në vend që t’i kërkojë ndjesë aleatit tonë të madh për papërgjegjshmërinë me të cilën e llangosi këtë çështje kaq të ndjeshme për ta dhe për mbarë botën e lirë ka kurajon të merret me sportin e tij pervers të sulmeve ndaj opozitës. Ka kurajon t’i konsiderojë shqiptarët përshirë votuesit e tij të deridjeshëm vegla qorre, ashtu siç i ka trajtuar qëkurse ka hyrë në zyrën e kryeministrit dhe ashtu siç i trajtoi gjatë gjithë ditëve të protestave kundër armëve kimike. E ndërsa kurseu me hipokrizi dhe servilizëm tipik të gjithë ata deputetë të Partisë Socialiste që këto 24 orë ju bindën zërit të arsyes dhe jo logjikës së mashtrimit, ai ju përvesh me gjuhën dhe zakonet e një satrapi oriental mediave të lira, ekspertëve dhe zërave të pavarur të shoqërisë civile e çdo faktori tjetër që ngriti zërin e argumentit, duke u rrekur si përherë ta projektonte përgjegjësinë kudo tjetër përveçse tek vetja e tij. E ka kot. Edi Rama ka cënuar besimin rëndë e qytetarëve. Ka cënuar besimin e SHBA. Ai është përgjegjësi i vetëm dhe ekskluziv i kësaj ndodhie të pakëndshme me SHBA.
Për Partinë Demokratike, që ka lindur si parti e vlerave të lirisë dhe orientimit euroatlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet me SHBA kanë qenë janë e do të jenë marrëdhënie kyçe të dorës së parë në të gjitha drejtimet.
E kemi dëshmuar në qeveri, e dëshmojmë e do ta vazhdojmë ta dëshmojmë në opozitë. Qeveria e Partisë Demokratike ka bashkëpunuar si aleate e ngushtë me SHBA për një varg çështjesh me rëndësi të veçantë për paqen dhe sigurinë globale, duke ofruar gatishmërinë dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Nga Iraku në Afganistan, nga kontributi për çështjen e ndjeshme të Guantanamos, tek marrja e përgjegjësive të plota për të zgjidhur problemin e MEK të cilin vetëm dje Rama e sulmoi me gojën e një shpifësi serial në kabinetin qeveritar, e shumë, e shumë çështje të karakterit politik dhe sigurisë. Ndryshe nga kryeministri i mekur e gojështhurur sonte, aleatët tanë e njohin shumë mirë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë nën drejtimin tonë. Qytetarët shqiptarë i kanë dëgjuar vlerësimet për Shqipërinë aleate e palëkundur e SHBA nga deklaratat e njëpasnjëshme të Presidentëve George Bush dhe Barak Obama, të sekretareve të shtetit Condoleeza Rice dhe Hillary Clinton, e dhjetëra zyrtarëve të lartë të mikut tonë të madh. Ky bashkëpunim i sinqertë dhe serioz nuk është prekur në asnjë rast të vetëm nga hija më e vogël e interesave dhe përfitimeve personale të njërit apo tjetrit politikan, por ka patur në themel dhe në princip interesat e ndërsjellta të dy vendeve, mike dhe aleate. Sot në opozitë në ndjemë detyrimin të vazhdojmë të japin të njëjtin kontribut, me të njëjtin përkushtim, në radhë të
parë duke shërbyer si mbrojtës dhe promovues të vlerave të demokracisë perëndimore në vend, ku transparenca, llogaridhënia dhe konsultimi i qeverisë me publikun janë sa elementare, aq edhe jetike. Busulla e PD-së ka qenë dhe është Shqipëria euroatlantike, Shqipëria europiane, në miqësi të ngushtë e të pandashme me aleatin tonë strategjik SHBA. Kjo është dhe do të mbetet e pandryshueshme jo vetëm se ky është vizioni ynë, por edhe sepse është vullneti i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që nga viti 1990 e këndej. Çdo spekulim në këtë aspekt pritet me keqardhje dhe përçmim nga ana jonë. Partia Demokratike thekson se kryeministri gënjeshtar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë të papërgjegjshmërisë së tij. Partia Demokratike do të vazhdojë te kërkojë transparencë për gjithë këtë histori. Si nisi dhe si u fry mashtrimi i Kryeministrit qe ju kushtoi ditë e net të tëra ankthi shqiptarëve, që ndikoi keqazi në dëmtimin e imazhit te vendit tonë, që vuri në pozitat më të papërgjegjshme vendin tonë karshi aleatëve tanë strategjikë. Fitorja e sotme është një atribut i mbarë popullit e në veçanti i rinisë shqiptare. Por beteja me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe arrogancën e pushtetit vazhdon në qindra fronte të vegjël e të mëdhenj brenda shtëpisë sonë të përbashkët. Për ta dhe me ta, ne do të vazhdojmë këtë betejë në çdo hapësirë institucionale, ligjore dhe qytetare. Për ta dhe me ta, do ta fitojmë.