Deklarata për media e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi:
Sot, kryeministri Edi Rama konfirmoi sot zyrtarisht se personat me aftësi të kufizuar, të verbërit, paraplegjikët e tetraplegjiket, personat në nevojë dhe ata që marrin asistencë ekonomike për papunësinë, nuk do të festojnë as krishtlindje, e as vitin e ri.
Qeveria si asnjëherë më parë në këtë vend, u mohoi atyre festën duke mos u dhënë shpërblimin që u takon e me të cilin ata jetojnë.
Lajmin e dha Ministri Erion Veliaj sot, me një gjakftohtësi absurde kriminale, kur tha se pagesat e prapambetura do të merren vetëm nga janari 2014.
Po bëhen tre muaj që kjo kategori në nevojë e shoqërisë tonë nuk merr asnjë nga pagesat që ju takojnë.
Administrata e Ramës gjeti më shumë se 4 miliardë lekë në buxhet të destinuara pikërisht për të kryer këto pagesa.
Nevojiteshin vetëm 2 ose 3 milionë dollarë për të mbuluar këtë zë deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Çfarë bëri qeveria Rama?
Me rishikimin që i bëri buxhetit, duke e zhytur vendin në borxhe, thjesht harroi të parashikonte vetëm 2-3 milionë dollarë për të verbërit, paraplegjikët, tetraplegjikët apo për të papunët nga plot 220 milionë dollarë që mori borxh.
Qeveria harroi Personat me Aftësi të Kufizuara dhe të papunët, por nuk harroi të akordonte fonde për shpenzimet e Kryeministrit, të ministrave, për udhëtime, dieta e rregullime zyrash etj.
Qeveria u zhyt në luks, por i doli nga mendja të jepte, nga 220 milionë dollarë, vetëm 3 milionë për personat me aftësi të kufizuar dhe të papunët.
Kjo vërteton edhe një papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e kësaj qeverie.
Partia Demokratike e dënon fuqishëm këtë akt të turpshëm të qeverisë dhe i kërkon Ramës të rishikojë vendimin dhe të kryejë sa më shpejt detyrimet që ka ndaj shtresave në nevojë.