I nderuar Z. Kryetar i seancës
Të nderuar kolegë
Në krye të fjalës sime dua të theksoj faktin që jam krenare që flas sot për një proces që opozita e sotme dhe mazhoranca e djeshme arritën ta sjellin deri në këtë pikë ku rekomandimi për marrjen e statusit të vendit kandidat është dhënë dhe statusi është gati për t’u marrë veçse nëse kjo qeveri e refuzon me vendimet e saj amatoreske që kanë vënë në alarm miq e partnerë evropianë.
Për të dytin vit radhazi Shqipëria ndodhet afër marrjes të statusit të vendit kandidat. Ndodhet afër dhe vlerësohen reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së kaluar e veçanërisht ato të vitit të kaluar. Ndodhet afër sepse ne patëm vullnetin të punojmë dhe të arrijmë konsensusin që sot po shkelet dhe ndodhet afër sepse më shumë se të gjitha qytetarët shqiptarë e meritojnë, sepse qytetarët shqiptarë janë evropianë në sjellje e në mendim.
Nuk është i largët viti kur Shqipëria aplikoi për marrjen e statusit të vendit kandidat prill i vitit 2009, kur përkundër dhe mendimit të opozitës së atëhershme ishte një aplikim shumë i herët se gjykonit që ne nuk ishim gati. Një aplikim i cili u shoqërua me një fushatë lobimi nga ish-Kryeministri Berisha, i cili personalisht takoi kryeministrat e vendeve anëtarë për t’i bindur se Shqipëria ishte gati dhe e meritonte të fillonte proceset integruese. Menduam dhe lobuam për faktin se Shqipëria kishte arritur pjekurinë e nevojshme dhe kishte kaluar të gjitha fazat e tranzicionit sepse pikërisht atëherë përfundon dhe tranzicioni, kur vendi është gati për të filluar proceset integruese.
Sot fatkeqësisht, unë shoh një kryeministër i cili nuk është gati. Nuk është gati për t’i udhëhequr shqiptarët në këtë proces të rëndësishëm. Një kryeminstër që përveç udhëtimit të pardjeshëm në Austri nuk ka përmendur një herë të vetme fjalën integrim në takimet e tij jashtë Shqipërisë, megjithëse ka qenë jashtë vendit më shumë se çka qenë brenda. Sot unë dëgjoj një kryeministër që i duket që sa më shumë po i afrohemi Evropës, aq më shumë ajo po na largohet ne. Sot shoh një kryeministër që thotë që nuk ka rëndësi data se kur. Por fatmirësisht sot në opozitë ndodhemi ne, ndodhet PD dhe nuk do të lejojmë që bilbilat e të dërguarit në kancelaritë e Evropës ta largojnë këtë proces akoma dhe më shumë nga shqiptarët.
Të nderuar kolegë!
Me kënaqësi në progres raportin e Tetorit të vitit 2013 vura re një sërë detyrimesh të përfunduara e një sërë aktivitetesh të kryera por ka akoma punë në pesë drejtime kryesore për të cilat fatkeqësisht akoma nuk shoh angazhim nga ana e qeverisë për t’u realizuar plotësisht.
Shqipëria ka ndërmarrë hapa fillestarë drejt përmirësimit të efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjes penale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me qëllim që të kalojë në stadin tjetër dhe të hapë negociatat e anëtarësimit, Shqipëria duhet të plotësojë përparësi të tjera kyçe, me fokus të veçantë në reformën administrative, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore. Cilat janë masat që po merren për një administratë publike Evropiane? Çfarë po bën qeveria për shkollën e administratës publike përveç emërimeve politike?
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 u kryen në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt. Cilat janë masat që ju po merrni për procese zgjedhore të tilla? Korça është shembulli juaj?A e vutë re që në Progres Raport përmendet fakti që KQZ ishte e paplotë sepse ju tërhoqët anëtarët tuaj? Pse nuk tregoni një shembull vullneti politik për hir të integrimit dhe të plotësoni vendet bosh?
Pritet që vendi të marrë masa konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Javën e kaluar jemi njohur me një plan veprimi në këtë fushë dhe unë personalisht jam ndjerë keq. Jam ndjerë keq duke qenë se kam marrë pjesë në grupin e punës për përgjigjet e pyetësorit dhe përgatitjen e planit të parë të veprimit i cili është vite larg për sa i përket cilësisë të dokumentit që lexova dhe cilësisë të stafit të ri që pretendohet të jetë pararojë për integrimin e vendit. Përveç trajnimeve dhe aplikimeve për projekte cilat janë masat që po merrni në këtë drejtim?
I kërkohet qeverisë që të respektojë dhe të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me opozitën parlamentare. A ka qenë pjesë opozita e vendimeve më të rëndësishme të ndërmarra deri më tani? A është diskutuar me opozitën ligji për INUK i cili prek autonominë e Pushteteve Vendore? Apo juve quani bashkëbisedim sjelljen e një akti normativ në parlament? Është e qartë që juve kini numrat, por integrimi kërkon gjithpërfshirje, konsensus për reformat kyçe, kërkon dakortësi.
Cilat janë masat që po merren për reformën në drejtësi? Sa reale janë këto masa dhe sa po bazohen në rekomandimet e progres raportit? A i keni diskutuar nismat që po i shpallni si ndryshime në ligjin antimafia etj. me grupet e interesit e opozitën? A po tentohet që përmes strukturës së re të kemi një qeveri që tenton të kontrollojë në mënyrë abuzive qytetarët e saj përmes kontrollit të pushteteve të pavarura nga një ent i ri që po përflitet se do krijohet? A kemi transparencë e gjithëpërfshirje në vendimet më të rëndësishme? A po i impononi pushteteve vendore politika fiskale dhe riorganizim pa i përfshirë në vendimmarrje?
Unë përgjigjen këtyre do kisha preferuar të dëgjoja në këto 3 muaj qeverisje. Pak vizion do kisha dashur të kishte kryeministri i vendit. Po fatkeqësisht në këto 3 muaj qeveria juaj nuk ka sjellë asnjë ligj, reformë, dokument a ide këtu në parlament që të jetë në shërbim të procesit të integrimit. Por përgjigje nuk kemi, vepra nuk kemi. Vazhdojmw akoma tw dwgjojmw fabulën një milion shuplakave.
Do kisha uruar që qeveritaret e sotëm ta nisin me një ndjesë publike për kohën që u morën qytetarëve për interesin e ngushtë të një njeriu që e konsideron karrigen e pushtetin mbi çdo interes të qytetarëve të këtij vendi. Fatkeqësisht këtë e dëshmoi dje në opozitë e dëshmoi dhe sot në qeveri. Nëse ju do t’iu interesonte sado pak ky proces sot ndoshta do ishim duke diskutuar për fillimin e negociatave për anëtarësim. Por e vetmja fjalë që nuk kam dëgjuar këto 3 muaj ka qenë pikërisht fjala negociata.
Në Progres Raport njihet fakti që Shqipëria ka bërë progres në përmirësimin e aftësisë së saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësisë nëpërmjet përafrimit të legjislacionit dhe standardeve të saj me ato të BE-së, veçanërisht në fushat e prokurimit publik, statistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë dhe bashkimit doganor. Dhe rol kyç ne përafrimin e legjislacionit e ka Ministria e Integrimit. Por sot në aq mbledhje sa ka bërë Komisioni i Integrimit, as edhe një ligj i vetëm nga këto që vijnë këtu nuk është analizuar nga Ministria e Integrimit si nga përputhshmëria ashtu dhe nga pikëpamja e detyrimeve. A mos vallë edhe në pikën e integrimit ku raportet tregojnë progres juve duhet të rinisni nga viti zero, sikundër keni bërë në ç’do ministri tjetër?!
Sot do kisha preferuar që ne të kishim një Ministri Integrimi më të mirë e më të fuqishme, e cila pavarësisht rritjes së stafit është e dobët në kapacitete cilësore. Sot kemi një Minsitri Integrimi e cila ka lëvizur e pushuar nga puna stafet më cilësore, të cilat ishin memoria institucionale e procesit të integrimit. Sot kemi një Ministri Integrimi e cila në dy javë ndërron dy sekretarë t
ë përgjithshëm. Pararoja e integrimi duket se praparoja.
Shpresoj shumë, që ministria e integrimit të rivijë në vijë të parë, aty ku i takon, të vazhdojë të forcojë rolin e saj si koordinator i procesit të integrimit dhe të ketë mbështetje tek strukturat e integrimit të cilat janë në ministritë e linjës, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve janë pushuar nga puna ose lëvizur.
Duke pasur parasysh ecurinë e këtyre 3 muajve, e duke pasur parasysh perspektivën e integrimit, Partia Demokratike mori iniciativën e përgatitjes së kësaj rezolute për procesin në fjalë. Duke gjykuar që shumë nga veprimet e aksionet tuaja të deri më tanishme nuk kanë qenë në frymën e integrimit, ne si opozitë duam të luajmë rolin tonë. Ne këtë kemi, fjalën! Por cilitdo prej jush që mendon se ne i urojmë të keqen integrimit të vendit dhe kësaj qeverie në udhën e integrimit gabohet. Integrimi nuk është palë apo proces vetëm i një force të vetme politike përkundrazi ajo është një e mirë e përbashkët, ndaj dhe kërkesa jonë dhe skepticizmi jonë vijnë në të mirë dhe funksion të këtij procesi.
Për këtë arsye i bëj thirrje të gjitha forcave politike, i bëj thirrje shoqërisë civile, medias, intelektualëve dhe akademikëve që të bëhen pjesë e këtij propozimi duke ndihmuar këtë proces. Duke gjykuar se qytetarët Shqiptarë do të jenë më të mbrojtur, se bizneset do të jenë më të sigurta, se institucionet më të pavarura se nesër me statusin e vendit kandidat dhe me hapjen e negociatave punonjësit do të jenë më të mbrojtur dhe qeveria ndoshta më e përgjegjshme, Partia Demokratike ka propozuar masat e paraqitura në rezolutë.
E nisëm udhëtimin tonë me ëndrrën për ta bërë vendin si gjithë Evropa, tanimë duket se ëndrra është më pranë. Ne do të përpiqemi të jemi kritika e fortë ndaj ç’do veprimi që do cenojë këtë ëndërr, kemi mbi supe përgjegjësinë për të qenë aktorë me të njëjtën peshë në këtë proces sikundër dhe peshën për të qenë rojtarët e tij.
Ju faleminderit!