I nderuar Kryetar
Të nderuar kolegë

1. Edhe pak dite dhe mbushen 23 vjet që kur nxënësit e gjimnazit Naim Frashëri në Durrës shkruan në tabelat e klasave “Solidarizohemi me studentët”. Me ata studentë që me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” vranë frikën nga komunizmi dhe për herë të parë shpallën qëllimin më të lartë, integrimin në Europë.

2. Në krye të këtyre nxënësve adoleshentë të Naim Frashërit, e më pas të gjithë gjimnazistëve të Durrësit, u vu një djalosh inteligjent, karizmatik, me instiktin e liderit. Sokol Olldashi. 23 vjet më pas, pikërisht kur të gjithë ne jemi tek portat e Europës, Sokoli nuk është më mes nesh, u largua para kohe, por gjurma e kontributit të tij në rrugëtimin tonë europian gjatë këtyre viteve, është e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme.

3. Në mesin e tetorit të shkuar, Komisioni Europian propozoi për të dytin vit radhazi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Kësaj radhe pa asnjë kusht shtesë. Kjo nuk është aspak një rastësi. Kryeministri Berisha dhe mazhoranca që ai drejtoi për tetë vjet e pati integrimin europian si projektin më madhor, i dedikoi atij të gjitha enrgjitë dhe përpjekjet. Puna e bërë ka qenë kolosale dhe transformuese.

4. Prova është Shqipëria që morëm në 2005 krahasuar me atë që është sot. Është si nata me ditën. Në 2005 morëm një Shqipëri që nuk kishte të sigurt as Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, ndërsa sot kemi të sigurtë marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor.

5. Midis këtyre dy momenteve nuk ka vetëm raporte të Komisionit Evropian që bëjnë një matje të ftohtë dhe objektive të progresit të Shqipërisë në tetë vitet që shkuan. Midis tyre qëndron një mal me punë e përpjekje të qeverisë së Partisë Demokratike dhe të të gjithë shqiptarëve. Pa këtë punë, propozimi i statusit dhe marrja e tij do ishin po aq ëndërr sa ç‘ishin në korrikun e 2005 kur fituam zgjedhjet.

6. Kryeministri Berisha lançoi devizën “integrim i bazuar në meritë” dhe raportet e progresit i ktheu në plan pune të qeverisë, sepse për ne, çdo reformë në kuadër të integrimit europian transformonte vendin, cilësinë e jetës së shqiptarëve, konsolidonte të drejtat dhe liritë e tyre dhe i bënte ata më dinjitozë.

7. Sigurisht kjo është krejt e kundërta e asaj që Kryeministri Rama u përpoq të bënte duke sjellë në mungesë të plotë transparence armë kimike për t’u shkatërruar në Shqipëri. Ky Kryeministër mendoi se armët kimike do t’i sillnin mbështetje edhe për integrimin europian. Preferoi t’i binte shkurt dhe të mos mundohej shumë duke zbatuar reforma modernizuese që duan dedikim, vullnet dhe energji. Ramës nuk i interesojnë meritat, ai peshkon oportunitetin. Nëse ky i fundit e bën të duket populist, aq më mirë.

8. Prirja e përgjithëshme është që dhëndërrit të ri të mos ia vënë në dukje të metat gjatë muajit të mjaltit. Por Ramën shqiptarët nuk zgjodhën për dhëndër por për kryeministër. Dhjetori po vjen dhe vendimmarrja e Bashkimit Evropian është pas porte. Qeveria ka hyrë në muajin e tretë dhe tashmë e kemi humbur llogarinë e zullumeve të saj. Më vjen të qesh kur kujtoj se si skandalizohesha nga rikonstruksioni pa tender i Kryeministrisë në ditët e para. Kjo sot duket ushtrim për parashkollorë përpara këtij orteku paligjshmërie me të cilin kjo qeveri i ka përmbytur shqiptarët në më pak se tre muaj. Po numëroj disa prej tyre.

9. Statusi i Nëpunësit Civil.
Më 30 maj të këtij viti arritëm konsensus të plotë për një nga reformat më të rëndësishme. E kërkonin qytetarët, shoqëria, e kërkonin ndërkombëtarët si parakusht për në BE, u ndërgjegjësua edhe politika. Kështu menduam, por Edi Rama dhe Ilir Meta marrëveshjen e bënë më 1 prill, prandaj edhe konsensusi që dhanë ishte i gënjeshtërt. Me një akt normativ antikushtetues e shtynë hyrjen në fuqi të ligjit nga data 1 tetor në 1 prill 2014. Përsëri 1 prill. Shtyrjen e justifikuan me nevojën për bërjen e akteve nënligjore. Thanë se afati 3 mujor, pra nga 1 tetor ne 31 dhjetor nuk mjaftonte.

10. Po cila është e vërteta? Ministrja përkatëse deklaroi pardje se aktet nënligjore do të jenë gati më 15 janar?! Pra vetëm 15 ditë më vonë se afati që ishte përcaktuar me konsensus. Do kishim mbyllur një sy të gjithë për kaq vonese, por sot për shkak të kësaj gënjeshtre 1 prilli, kanë humbur punën mbi 2500 nëpunës të trajnuar. Nëse do zbatohej ligji konsensual, sot ata do vazhdonin të shërbenin në administratë. Sot në vendin e tyre janë militantë socialistë. Mijëra të tjerë do të largohen nga puna se mijëra militabtë të tjerë presin radhën.

11. Gjykatat administrative kanë filluar ta refuzojnë këtë paligjshmëri. Besojmë se edhe Gjykata Kushtetuese do refuzojë aktin normativ antikushtetues. Përndryshe Rama edhe ndryshimet e kushtetutës do na i bëjë me akt normativ, siç çuditi gjykatën dje përfaqësuesja e qeverisë.

12. Pasiguria e pronës dhe biznesit.
Siguria e mardhënies juridike është parim kushtetues. Në dy muaj, qeveria e ka dërrmuar këtë parim. Kryeministri Rama është betuar se do prishë prona private me leje dhe pa leje. Një arrogancë e tillë nuk është parë. Prona e një personi, me leje apo me legalizim nuk cënohet pa një proces ligjor. Po pse, a pyet Rama? Ligj, po çfarë është ky? Të çon ministrin e tritolit dhe e zgjidh çështjen. Kur italianët pushtuan Durrësin në vitin 39, dëmshpërblyen për banesat e bombarduara. Qeveria nuk kap sot as standartin e pushtuesit. Ai ta prish shtëpinë dhe pikë. Delikatesat si ligj, kushtetutë, gjykatë nuk i hyjnë në sy. Pra me këtë qeveri prona nuk është më e sigurt.

13. Ka marrë ndokush kontratë apo konçension para se Duçja modern të hyjë në pallatin e qeverisë? Kot e ka. Do t’i prishet kontrata. Nëse paguan te qeveritarët e rinj gjobën, ia rikthejnë konçensionin. Justifikimi gjendet pa problem. Por të prishësh kontrata vetëm pse janë bërë nga qeveria rivale brenda mandatit te saj kohor, është antikushtetuese. Edhe kur na pushtuan, kontratat dhe bizneset nuk i prekën, por Rama as këtu standart nuk arrin dot. Me këtë qeveri biznesi nuk ka asnjë siguri juridike.

14. Institucionet e Pavarura.
Analistët e hollë kuptuan se çpo ndodhte kur Qeveria vendosi t’i heqë foton presidentit. Kjo është një fyrje ndaj Kushtetutës. Po Ramës nuk i skuqet fytyra. Por edhe kjo ishte qesharake ne raport me çfarë po ndodh. Ky kryeministër guxoi të mbante në terr informativ Presidentin e Repulikës që është komandant i përgjithshëm dhe drejtues i Këshillit Kombëtar të Sigurimit. Ky është gjest i hapur nënvlerësimi dhë përçmimi për Kreun e shtetit, eshte më shumë se fyerje, është dhunim arrogant i Kushtetutës. Po ky ishte kërcenim per institucionet e pavarura.

15.Kush e ka radhën? ILDKP është nën sulm antikushtetues nga mazhoranca që e ka vënë objektiv kapjen e instucionit të pavarur. ILDKP kontrollon pasurinë e bashkëkryeministrave, ministrave etj. Për rrjedhojë pse të mos e shtijnë Rama-Meta në dorë këtë institucion? Pastaj radhën e ka KQZ të cilën vazhdojnë ta lenë të paplotësuar, SHISH, KLD, gjykatat, etj. Pasi të mbarojnë institucionet e pavarura, do t’i turret shoqërisë civile dhe asaj jo civile.

16. Blerja e votes.
Kjo qeveri në fushatë premtoi shumë, por në mes të shtatorit mori një mandat ku i kishte fshirë premtimet e dhëna. Por ajo nuk ka shqetësim si do japë llogari para zgjedhësve. Kur e blen votën si në Korçë, edhe atëherë kur dihej që e kishin të lehtë fitoren, vo
ta humb çdo vlerë demokracie dhe kthehet në një letër të thjeshtë me vlerë, me shënimin si mbi kartëmonedhe “e pagueshme rilindasit me të parë”.

17. Gjithëpërfshirja. Kjo është një kusht i panegociueshëm i europianëve. Dhe shumë mirë e kanë. Por qeveria po lançon ato që i quan reforma, atë të ndarjes territoriale, në drejtësi, atë zgjedhore, atë të zhvillimit të territorit por asnjë gjurmë gjithëpërfshirje nuk ka, por vetëm arrogancë të 1 milion shuplakave. Disa konferenca, ku ndërkombëtarët vijnë sepse e kërkon kortzia diplomatike, nuk janë procese konsultimi dhe gjithëpërfshirjeje.

18. Pa një proces bashkëpunimi me konsensus të mirëfilltë, kjo qeveri ta harrojë që këto reforma kyçe do të pranohen dhe do të kenë jetë të gjatë. Sigurisht do të na tregojë përsëri 1 milion shuplakat, por ne po flasim për shtrengim duarsh. Do na tregojë shumicën e tij kushtetuese, por ai me votë mori vetëm 83 mandate që nuk i mjaftojnë. Të tjerat i ka marrë me pazare të ulëta. Pazari nuk është konsensus.

19. A mos pati gjithëpërfshirje për çështjen kritike të armëve kimike të Sirisë, reagimi i popullit, shoqërisë civile dhe opozitës e ndali, sepse nuk do ishte çudi që do shpallte emergjencën në Siri dhe do nxirte akt normativ për sjelljen e armëve kimike.

20. E pengon kushtetuta sepse kjo e fundit shtyn drejt konsensusit. Kollaj e ka qeveria, e tha përfaqsuesja e saj para Gjykatës Kushtetuese. Në kushte emergjence me akt normativ qeveria mund të ndryshojë edhe Kushtetutën. Tani vetëm të presim e të dëgjojmë kush është emergjenca kushtetuese që do justifikojë aktin normativ për ndryshimin e kushtetutës.

21. Të nderuar shqiptarë, unë listova vetëm pak nga zullumet e kësaj qeverie dhe të Kryeministrit të saj. Kam vetëm 8 minuta në dispozicion dhe do doja të kisha rreth 8 orë e përsëri nuk do reshtja së treguari.

22. Me të tilla zullume, qeveria është kokë e këmbë në rrugën e dëmtimit të marrjes së statusit. Mund të dalin shtete të BE që të shqetësuara nga reperkusionet e arrogancës antiligjore të Ramës, të votojnë kundër dhe ta bllokojnë sërish statusin. Rama, sa ishte në opozitë bëri çmos ta pengonte procesin duke bojkotuar parlamentin, me grevë urie të pashqetësuar nën dritaret e Kryeministrit, me sulmin ndaj Kryeministrisë më 21 janar, e në fund me bllokimin e miratimit të ligjeve që ishin kusht i BE-së.

23. Pyetja që lind vetiu është: a e do Rama vërtet marrjen e statusit kandidat? Ndoshta nuk e do në dhjetor se nuk do ishte sukses i tij por i Sali Berishës. Ndoshta nuk e do fare. Ne Londër tha se sa më shumë i afrohemi, aq më pak na i ngjante BE me atë që paskemi ëndërruar. Ky është euroskepticizëm i pastër. Kjo është shqetësuese sepse 87% e shqiptarëve e mbështesin futjen në BE. Kësaj qeverie nuk i kanë dhënë madat të bëjë euroskeptikun.

24. Bashkëkryeministrat bëjnë mirë ta ndalin këtë revansh antiligj sepse po dërrmon themelt e demokracisë dhe shtetit të së drejtës por që janë pikërisht edhe themele të integrimit të shqiptarëve në Europë. Të jenë të sigurtë, për zullumet e tyre këta të dy do përgjigjen me votë. Por nuk kanë absolutisht të drejtë të venë në rrezik vendimin e Bashkimit Europian për dhënien e statusit të vendit Kandidat. Mos harroni, votimi i kësaj rezolute nuk është për të kaluar radhën, sepse shqiptarët do ua tundin përpara syve sa herë të bëni paudhësi të tjera.

Faleminderit