Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi:
Bashkëkryeministrat Rama dhe Meta janë kontribuuesit kryesorë të rritjes së perceptimit të korrupsionit në Shqipëri.
Kur shqiptarët e shohin korrupsionin me zë dhe figurë, perceptimi i tyre për korrupsionin ngjit shkallët, ndërsa besimi i tyre në institucione bie.
Nëse qeveria blen votat si në Korçë, mes shqiptarëve është ulur këmbëkryq forma më e egër e korrupsionit, korrupsioni politik, që është nëna e të gjitha formave të korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Kur policia e shtetit vihet nën kapistallin politik të qeverisë, kur në krye të saj vihen numëruesit e parë dhe donatorët e partisë në pushtet, mesazhi që marin shqiptarët është se duhet të jenë të bindur dhe të paguajnë haraç tek taksidarët e qeverisë. Kjo vetëm rrit perceptimin e korrupsionit.
Nëse në krye të Albpetrolit vihet shërbëtori i Kokëdhimës, kur në krye të tatimeve dhe doganave emërimet bëhen sipas kritereve të klientelizmit dhe militantizmit, perceptimi i korrupsionit veçse rritet.
Kur kryeinspektori i INUK ka leje nga Kryeministri të prishë çdo ndërtesë, me leje apo pa leje, me diskriminim apo pa diskriminim, qytetarët do të kuptojnë se e vetmja zgjidhje nuk është ligji por të paguajnë gjobën tek Kryeministri.
Kryeministri Rama kërkon të gënjejë shqiptarët dhe partnerët duke sjellë, pa asnjë konsultim, projektligje që gjoja do të luftojnë korrupsionin. Partnerët tanë ndërkombëtare si OPDAT pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE e quajnë këtë propozim demagogjik, si një hap prapa në luftën ndaj korrupsionit.
Demagogjia në luftën ndaj korrupsionit është po aq e rrezikshme sa korrupsioni.