Deklarata e plotë e zëdhënëses së PD Laura Vorpsi:
Qeveria e ka mbyllur farsën e konkurseve për drejtuesit e arsimit në rrethe, duke vënë dje në skenë aktin e fundit të kontrollit partiak mbi shkollat e gjimnazet e Shqipërisë.
Mimoza Kuqi që u caktua dje Drejtoresha e Arsimit për Tiranën, është një militante e njohur e Partisë Socialiste. Çdokush mban mend angazhimin e saj në të gjitha zgjedhjet e të majtëve, por veçanërisht në këto të fundit ku zonja Kuqi ishte aktore kryesore në spotin televiziv të Partisë Socialiste, ku bënte thirrje për të votuar numrin 29.
Edhe procesi i zhvilluar në rrethe, por vecanërisht konkursi i djeshëm për Tiranën nxorri në pah gënjeshtrat e përsëritura të Kryeministrit për mbajtjen e arsimit larg politikës.
Kudo janë caktuar në krye të drejtorive arsimore funksionarët më të lartë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Këta drejtues partiake të arsimit në vend, kanë filluar menjëherë nga puna, duke bërë shkarkime masive të drejtorëve të shkollave dhe mësuesve.
Në Berat e fitoi konkursin për drejtor të arsimit, kryetari i Degës së Partisë Socialistë.
Në Vlorë e fitoi konkursin për drejtor të arsimit, kryetarja e grave socialiste.
Në Gramsh, kryetarja e Partisë Socialiste të këtij rrethi.
Në Gjirokastër, udhëheqësja e fushatës së Partisë Socialiste.
Në Fier, sekretari i deputetit socialist.
Në Dibër, nënkryetari i Partisë Socialiste.
Në Elbasan, gruaja e një drejtuesi të lartë të PS-së.
Dhe kulmon me Tiranën, ku emërohet në krye të arsimit zonja e spotit të Partisë Socialiste.
Kjo është hipokrizia e Edi Ramës me standartet, ky është koncepti i Edi Ramës për shkatërrimin e arsimit, ky është revanshi i Edi Ramës në shkollat tona publike.