Fjala e plotë e kreut të PD Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar:

Të nderuar deputetë,

Në pararendje të fundjavës dhe ditës së shënuar të Rinisë, Shqipëria nuk mori dhuratë por një shuplakë. Një nga kardinalët e certifikimit dhe kredibilitetit financiar të kombeve, shteteve dhe korporatave Standard&Poor e uli vlerësimin e saj nga B+ në B për Shqipërinë.  Që të kuptohet më mirë nga qytetarët dhe nga publiku i gjerë, vlerësimi shkon nga “Stabel” që ishte në qeverisjen tonë, në “Negative”. 

Ky është një lajm i keq për çdo shqiptar, është një lajm i keq për ekonominë, për sipërmarrjen, për investitorët e huaj që operojnë tashmë në Shqipëri, për të tashmen dhe të ardhmen e investimeve vendase e të huaja në vendin tonë.

 

Për herë të parë pas thuajse një dekade investitorët e huaj ju thuhet nga një agjenci prestigjioze dhe e besueshme, se janë të paralajmëruar në sy nëse duan të marrin rreziqe të shtuara për shkak të investimit të tyre në Shqipëri.

Për herë të parë prej më shumë se një dekade, Shqipëria dhe ekonomia e saj humbasin vlerësimin e domosdoshëm për tu konsideruar një destinacion tërheqës e nxitës për investimet e huaja.  Ky vlerësim nga “S&P” është de fakto një sinjal “SOS”  për çdokënd që kërkon dhe planifikon apo kanë nisur tashmë procesin e një investimi në vendin tonë.

Kujtojmë se vlerësimi dhe parashikimi i “S&P” për Shqipërinë nga viti 2007 e këndej   ka qenë “Stabel”. Edhe në vitet e pikut të krizës botërore, kur vlerësimi u ul për shumë  vende të zhvilluara të botës, vlerësimi për Shqipërinë mbeti “Stabel”. Efektet e krizës globale u ndien, u prekën në ritmet e ulëta të rritjes ekonomike, por stabiliteti ekonomik dhe kolonat kryesore të këtij stabiliteti nuk u cënuan.

Tani edhe ky vlerësim u përfshi, apo të themi më saktë u ngjit menjëherë në top listën e gjatë të zhbërjeve dhe përkeqësimeve sistematike të qeverisë “ Rama”.

Shkaku kryesor i uljes së vlerësimit për Shqipërinë,  që përfaqëson padyshim paralajmërimin më serioz për recesionin, pra rënien e parë në negativitet të  gjendjes dhe perspektivës së afërt të  ekonomisë sonë, shkaku kryesor është padyshim papërgjegjshmëria, arbitrariteti dhe paaftësia që po dëshmon qeveria “Rama” në menaxhimin e financave publike dhe ekonomisë në tërësi.

Në argumentimin e vlerësimit të  e saj “S&P” thekson si faktor kryesor të përkeqësimit,  rritjen e stokut të borxhit në 67 për qind të PBB deri në fund të vitit 2013 me një paparashikueshmëri afatshkurtër akoma më pesimiste për vitin 2014. Rritja drastike dhe amatoreske e borxhit,  në injorim të çdo logjike të shëndoshë ekonomike, do të  bëjë që taksat e shqiptarëve,  në vend që të përdoren për investime publike të shkojnë për financimin e kostos së  rritur të borxhit.

Prandaj mesa duket nuk janë parashikuar investime publike për vitin 2014. As rritje rrogash apo pensionesh. Prandaj viti 2014 do të jetë viti i parë me rritje 0 të rrogave dhe pensioneve, dhe me investime publike zero për shqiptarët. Tani po e shohin të gjithë shqiptarët se simboli dhe realiteti i të ashtuquajturit premtim për “Rilindje ” është  Zeroja.

Nuk mund të flitet për përgjegjësi kur kryeministri dhe qeveria e tij braktisin në bllok pa u skuqur fare pothuajse gjithë paketën e premtimeve elektorale me të cilën u kanë marrë votën zgjedhësve që i besuan.

Mashtrimi më i fundit në listën e gjatë të mashtrimeve; është ai i legalizimeve falas,  premtim super i bujshëm i Edi Ramës në mbyllje të fushatës elektorale,  goditje e minutës së fundit për të mos i lënë kohë kërkujt për t’ja prishur gënjeshtrën,  të cilën e shiti për vota si një mall kallp, dhe e tërhoqi javës që shkoi në mënyrën më të turpshme dhe poshtëruese, duke i trajtuar qytetarët jo si individë të pjekur e të përgjegjshëm që mbajnë mend shumë mirë se çfarë i është premtuar, por si fëmijë çerdhesh.

Mashtrim-zhbërje- përkeqësim- këto janë tri fjalët kyçe të tre muajve të parë të kësaj qeverisje. Rama ka gënjyer e mashtruar shqiptarët me premtimet e tij të bujshme elektorale. Nuk ka e nuk do të ketë ulje të borxhit, nuk ka e nuk do te jetë  shërbim shëndetësor falas, nuk ka e nuk do të ketë legalizim falas, ulje të taksave, rritje të asistencës, punësim masiv, rend brenda njëqind ditëve e plot e plot premtime të tjera që frynë  tullumbacen e tyre të Rilindjes. Ka vetëm përkeqësim në të gjitha aspektet, vetëm rritje të papunësisë, vetëm rritje të borxhit, vetëm rritje të vrasjeve, aksidenteve, pasigurisë së përgjithshme, vetëm paligjshmëri, arbitraritet, megalomani.

E kanë bërë nga paaftësia apo e kanë në gjak mashtrimin?!-pyesin sot shqiptarët kur shohin se nga tullumbacja e shfryrë  e Rilindjes, është shfryrë dhe nuk ka mbetur më asgjë nga ajo.

Për ne si opozitë paaftësia dhe mashtrimi në politikë janë anë të së njëjtës medalje. Paaftësia e tyre dhe mashtrimet e tyre janë në veprim. Së bashku po gatuajnë simbolin e ri, qeveria po inauguron me shpejtësi marramendëse Zeron si simbol të ri të shumicës, mesa duket akoma pa pasur rastin të festojë 100 ditëshin. Ky simbol, do të jetë simboli “Minus”.

Në këto kushte, ne si opozitë kemi si detyrë të angazhohemi fuqimisht në çmontimin e mashtrimeve të shumicës, dhe në zbardhjen e të vërtetave për publikun dhe qytetarët shqiptarë. Asgjë e mirë nuk i vjen vendit nëse do ta lëmë qeverinë të këndojë ninullën e rrenave.

Qytetarët, duhet të informohen për keqqeverisjen, për faktin se ata 6 muaj më parë u mashtruan. Në zonat tona zgjedhore, në media, në çdo formë komunikimi duhet të bëjmë të ditur, se asnjë prej premtimeve të qeverisë nuk po mbahet dhe nuk është në rrugë të mbajtjes, përkundrazi, ky ekzekutiv p e fut vendin në një kurs kolapsi ekonomik, çka do t’i kushtojë çdo shqiptari dhe të ardhmes së tyre.

Janë dashur vite reformash dhe angazhimesh për të marrë vlerësimet e gjigantëve botërorë të ekspertizës si Standard & Poor. Dhe kësaj qeverie iu deshën vetëm 3 muaj, për të na kthyer mbrapsht, e për të dëmtuar në palcë ekonominë dhe imazhin e vendit.

Po kaq i rrezikshëm është kursi i zgjedhur nga ky ekzekutiv edhe në drejtim të rendit, e sigurisë publike. Të revanshit ndaj administratës dhe të triumfit hipokrit të partitokracisë ndaj meritokracisë.

Këto janë të vërtetat, dhe ne nuk do të lejojmë që Rama dhe të tijtë t’i fshehin ato përmes shfaqjeve “demode” televizive, e vetmja fushë në të cilën kanë shënuar arritje deri më sot.