Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Florion Mima:
Në Ligjin Nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, neni 29, paragrafet 2 dhe 4, thuhet se: “Kryeministri i vendit, miraton buxhetin në qeveri deri më datën 25 tetor dhe se, brenda datës 1 nëntor, ai duhet t’i jetë paraqitur Kuvendit”.
Sot është data 11 dhjetor dhe jo që në Kuvend nuk ka mbërritur asgjë, por as në qeveri nuk është miratuar projekt-dokumenti më i rëndësishëm ekonomik, financiar, social dhe zhvillimor i vendit.
Ajo çka publiku ka dëgjuar deri më sot, është kënga me refrenin e çakorduar, se 95% e shqiptarëve do të paguajnë më pak taksa, këngë e cila u këndua, u dëgjua dhe u duartrokit solo edhe në shfaqjen e mbrëmshme të këngëtarit, kompozitorit, dirigjentit dhe spektatorit të vetëm të shfaqjes, kryeministrit të vendit.
Partia Demokratike do të shpojë me shifra, fakte dhe argumente këtë tullumbace demagogjike dhe propagandistike të kryeministrit sapo dokumenti buxhetor dhe politikat e shkruara të vijnë në Kuvend.
Paraprakisht, vërejmë se projekti i ri buxhetor dhe politikat e taksave, janë jo në mbështetje të 95% të shqiptarëve, por kundër interesave të 100% të tyre. Ky është buxheti i demagogjisë, i pasigurisë, i terrorit mbi biznesin dhe konsumatorin, është buxheti i mllefit dhe urrejtjes ndaj shtresës së mesme dhe buxheti i varfërimit të mëtejshëm të të varfërve.
Me këtë akt, do të varfërohen më shumë të tërë konsumatorët shqiptarë, do të varfërohen qindra mijëra nxënës dhe studentë, do të goditen pronarët e bizneseve të vogla, të cilët, atë që gjoja do të fitojnë nga taksa më e ulët mbi biznesin e vogël, do ta lënë shumëfish nga rritja e tatimit mbi pasurinë. Do të varfërohen mbi një milion konsumatorë të produkteve të duhanit dhe mbi çerek milionë shqiptarë që përdorin karburantin për lëvizjen me automjetet e tyre.
Me këtë akt do të goditen të gjitha bizneset e mëdha, të cilëve, do t’u duhet të paguajnë më shumë për të kënaqur premtimet ekstravagante të qeverisë për gjoja taksim të drejtë e të ndershëm.
Atyre do t’u duhet të paguajnë më shumë duke kyçur në sirtar planet e tyre për më shumë investime, më shumë eksport, më shumë punësim. Projekti i ri dhe paketa shoqëruese fiskale do të rrënojnë edhe atë avantazh modest krahasues që ekonomia dhe vendi ynë u ofronin investitorëve të huaj të drejtpërdrejt.
Ne jemi këtu për të qëndruar dhe do të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesave të të gjithë shqiptarëve!