Deklarata e plotë e deputetes së PD Jorida Tabaku:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar sot Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor, për të zbardhur manipulimin që ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në një akt të paprecedentë, në shkelje te ligjit, dhe me bekimin e qeverisë një grup specialistësh, të udhëhequr nga këshilltari i Ministrit të Financave që është edhe vëllai i Ministrit të Energjetikës, kanë ndërhyrë në serverin qendror të të dhënave të Drejtorisë së Tatime.

 

Puna e zhvilluar gjatë natës dhe në ditë pushimi në errësirë të plotë ngre dyshime të forta se kjo ndërhyrje është bërë për interesa klienteliste të qeverisë.

Kjo ndërhyrje ka sjellë mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se dy javë, janë cënuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve të mbrojtura me ligj, si dhe i është shkaktuar një dëm i madh biznesit dhe arkës së shtetit.

Duke e konsideruar këtë çështje, me interes të lartë publik, i kemi drejtuar sot kërkesën Kuvendit të Shqipërisë për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm parlamentar të kësaj ngjarjes, në mënyrë që të zbardhen të vërtetat e të nxirren në dritën e diellit përgjegjësitë dhe përgjegjësit.

Për të gjitha këto arsye, ne kërkojmë që Parlamenti të ngrihet në përgjegjësinë që i takon, dhe të hetojë këtë veprimtari anti-shtet dhe anti-ligj, në mënyrë që shkaktarët të mbajnë përgjegjësi dhe që të tilla fenomene të mos përsëriten më.