Deklarata e plotë e deputetit të PD Arben Imami:

Zoti Rama siç u nxitua dhe tregoi prapavijën e këtij sulmi duke ushtruar presion mbi institucionet e ligjit duke dhënë vendimin për ndëshkim, po ashtu në shkelje të plotë të ligjit në një vend demokratik dhe të shtetit të së drejtës ka vënë në krye të hetimit struktura ekstraligjore.

Kallëzimi penal i depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ka ndjekur rrugën zyrtare, formale e ligjore, të hartimit dhe përcjelljes së një kallëzimi penal dhe përben një shkelje të rëndë të procedurës. Bëjmë me dije se çështja është ende duke u audituar.

 

Projekt-raporti i auditit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili po kontrollon ligjshmërinë e procedurës,  nuk ka përfunduar ende dhe sipas afateve të përcaktuara nga ligji për auditin e brendshëm, data 11.12.2013 është afati i fundit për dorëzimin e observacioneve nga ana e anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka audituar të njëjtat procedura për vitet 2010-2012 dhe nuk ka konstatuar shkelje. Pra kallëzimi nuk ka kaluar nëpërmjet institucioneve të specializuara te Ministrisë së Mbrojtjes, apo edhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj.

Pavarësisht se hetimi administrativ nuk ka përfunduar, draft raporti i grupit të auditit nuk evidenton ndonjë shkelje te procedurës ligjore e cila mund te ndiqet penalisht.

Pyes zotin Rama : Kush e ka hartuar kallëzimin penal kur hetimi administrativ nuk ka përfunduar ende?

Ç’është ky “grupi i eksperteve”, citoj Ministren e Mbrojtjes, kur qartazi nuk bëhet fjalë për Drejtorinë e Auditimit të Ministrisë së Mbrojtjes?

Si mund të hetohen në një shtet të së drejtës qytetarë apo nëpunës të shtetit nga persona të paautorizuar nga ligji?

A nuk janë këta ekspertet private të Edvin Ramës me zyrë në Partinë Socialiste dhe a nuk janë grupet famëkeqe speciale të hetimit?

Kjo mënyre të punuari me “ eksperte anonim “ pa përgjegjësi publike dhe ligjore është shtrirë në të gjitha ministritë dhe institucionet e shtetit shqiptar.

I kujtoj Edvin Ramës dhe të gjithë kësaj shpure se do te mbajnë përgjegjësi të plotë para ligjit. Historia nuk mbaron sot dhe këtu.