Një ditë pas marshimit të protestës, Kryetari i Partisë Demokratike falenderon qindra-mijë qytetarët që erdhën në shesh dhe kërkon nga Kryeministri të tërheqë projektligjin që shkatërron konsensusin për Nëpunësin Civil, të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të pushojë menjëherë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura, të pranojnë në rrugë institucionale konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative, të përcaktojë menjëherë, bashkë me opozitën një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE në muajin qershor dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

 

Jam sot para mediave, një ditë pas marshimit madhështor të protestës popullore dhe paqësore kundër qeverisjes “Rama-Meta”, për t’ju shprehur sërish, në emrin tim, dhe në emër të Partisë Demokratike, falënderimet dhe mirënjohjen me të thellë të gjithë qytetarëve shqiptarë, të rinjve e të rejave, burrave e grave për vendosmërinë dhe qytetarinë e treguar, për mënyrën civile dhe demokratike të të protestuarit, për leksionin e demokracisë dhe mesazhet e qarta në adresë të qeverisë.

 

“Shqipëria në protestë” ngriti dje në Tiranë një barrikadë vendimtare kundër mashtrimit, në mbrojtje të demokracisë, besimit dhe shpresës për të ecur përpara.

 

Një pol i ri politik lindi dje, një lidhje e ngushtë, një aleancë e re midis opozitës politike, rinisë së lirë dhe njerëzve të lirë, përballë shumicës parlamentare të votave të blera dhe të përftuara përmes mashtrimeve elektorale, kundër qeverisë më konfliktuale, më arrogante dhe më të papërgjegjshme të njëzet e tre vjetëve të fundit.

 

Nga dita e djeshme kjo qeveri duhet t’i bëjë llogaritë me sheshin, me marshimin, me protestën popullore, me polin e ri të demokracisë pjesëmarrëse në vend.

 

Si opozitë jemi të entuziazmuar, të inkurajuar, dhe akoma më të vendosur për të kryer detyrat tona para vendit dhe qytetarëve, por edhe shumë të vetëdijshëm për të administruar e drejtuar me modesti, urtësi dhe përgjegjësi të lartë Shqipërinë në protestë, shpresat dhe pritshmëritë e qindra mijëra shqiptarëve.

 

Krerët e shumicës qeveritare Rama dhe Meta, janë njoftuar dhe paralajmëruar dje se populli nuk harron, se populli nuk mashtrohet, se populli nuk gënjehet dhe as nuk pajtohet me mashtrimet dhe gënjeshtrat e aq më pak me dështimet. Se populli nuk e pranon arrogancën e tyre, populli nuk e dorëzon demokracinë, liritë dhe të drejtat me asnjë çmim.

 

“Shqipëria në protestë” tha dje fjalën e parë dhe tani varet prej tyre a do të duan dhe a do të mund të dëgjojnë. Varet prej tyre a do të mund të kuptojnë pse u ngrit dhe pse po ngrihet në këmbë Shqipëria. Varet prej tyre a do të duan dhe a do të mund të reflektojnë.

 

Ne emër të opozitës dhe në emër të qindra mijëra shqiptarëve në protestë, të Shqipërisë në protestë, u kërkoj sot:

 

– të tërheqin menjëherë projektligjin famëkeq që synon shkatërrimin e ligjit konsensual për Nëpunësin Civil që ka qenë dhe është një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

 

– të zbatojnë menjëherë vendimin Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetues aktin normativ për këtë ligj.

 

– të ndalin menjëherë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura përmes vendimeve antikushtetuese dhe të paligjshme si rasti i djeshëm flagrant i sulmit të paligjshëm ndaj kreut të ILDKP-së

 

– të pranojnë në rrugë institucionale konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative dhe aspekteve të tjera të kësaj reforme që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe procesin elektoral.

 

– të ulen dhe të përcaktojnë menjëherë, bashkë me opozitën po të kenë vullnetin e nevojshëm, një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE në muajin qershor dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

 

Të marrin përgjegjësi për premtimet e tyre elektorale të 23 qershorit.

 

Protesta e djeshme e ka përcaktuar shtratin e saj.

 

Përballë shpërfilljes dhe arrogancës së qeverisë ajo do të pasohet me protesta të tjera të shumta, do të rritet e do të shndërrohet në një uragan popullor të lirisë dhe dinjitetit.

 

Përballë paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë “Shqipëria në protestë” mbetet e do të jetë imperativi i kohës, puna jonë si opozitë, puna e gjithë njerëzve të lirë të këtij vendi.

 

Faleminderit mediave për punën profesionale në mbulim dhe përcjelljen e protestës së djeshme.

 

Faleminderit!