Deputeti i PD Ridvan Bode analizon treguesit fiskale të vitit 2013 si dhe trendin e ekonomisë shqiptare për vitin 2014. Bode shfaq shifra zyrtare alarmante për ekonomisë shqiptare e cila sipas tij, po shkon drejt rrënimit dhe recesionit. Deputeti i PD analizon financat publike duke vërtetuar rënien e tyre në buxhet. Nga ana tjetër, borxhi historik i marrë nga qeveria prej 120 milionë dollarësh nuk ka shkuar në shlyerjen e faturave të biznesit, nuk ka shkuar për rimbursimin e TVSH-së dhe nuk ka shkuar për pagesën e aftësisë së kufizuar, shtresës më në nevojë në Shqipëri. Bode shfaq të dhëna edhe për kreditimin kur për herë të parë ai është një nivele negative me minus. Po ashtu, sipas deputetit Bode, niveli i investimeve të huaja direkte ka rënë në nivele historike.

 

Sot po paraqesim të dhënat përfundimtare të vitit 2013 edhe pse qeveria i publikoi më së fundi pas një muaji e gjysmë dhe mbylljen e vitit 2013, ende nuk ka një koment nga ana e tyre pasi kanë preferuar të bëjnë paradë suksesesh. Në të vërtetë shifrat e konsoliduar të buxhetit flasin për një trend tërësisht ndryshe nga ai i shitur, i reklamuar dhe publikuar nga qeveria. 

 

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për vitin 2013 arritën në 328.6 miliardë lekë duke qënë rreth 1.8 miliardë lekë më pak ose 0.5 % më pak nga fakti i vitit 2012, dhe duke pasur një tejkalim me planin tepër të reduktuar me të cilën eci qeveria për tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Me këtë nivel të realizimit të të ardhurave sigurisht që niveli në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto arrin në minimum, pra rendimenti i të ardhurave në buxhet në këto nivele minimale, barazohet me vitin 2004.

 

Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit arritën në 394 miliardë lekë duke qënë 17.8 miliardë lekë më shumë në krahasim me një vit më parë ose rreth 5 % më shumë sesa fakti i vitit 2012. Ato janë nën nivelin e programuar, qoftë edhe në aktin e dytë normativ të qeverisë, dhe shkaku i rritje së shpenzimeve të përgjithshme në krahasim me një vit më parë dhe rënies të së ardhurave të përgjithshme në krahasim po një vit më parë, është burimi kryesor i rritjes së deficitit dhe borxhit publik.

 

Por qeveria nuk pranon dhe nuk ka pranuar që të diskutojë e të analizojë në mënyrë integrale vitin 2013. Këtu ne kemi paraqitur të ardhurat në tremujorin e katërt të 2013 ku qeveria ka pranuar se është përgjegjëse për ecurinë, dhe përtej “sukseseve”, siç shihet në tabelë të ardhurat nga një konsolidim që kanë pasur një vit më parë me një tendencë rritje të qëndrueshme, siç e shikoni filluan si dhëmbët e sharrës ku në muajin nëntor patën një rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin dhjetor duket një rritje, një tejkalim. Dhe ky tejkalim siç e tregon pjesa e mëposhtme e grafikut, tregojnë se e gjitha ka ardhur nga doganat dhe e gjitha nga ç’doganimi i të gjithë mallrave të akcizës për shkak të rritjes së tyre, të cilat janë importuar edhe në një periudhë të vitit në vijim. Pra kemi një përputhje të plotë dhe gjithçka ka ndodhur dhe është shkaktuar nga një faktor i jashtëm, të themi manipulativ i ekonomisë, që ka krijuar këtë rritje të të ardhurave në muaj dhjetor në krahasim me një vit më parë. Por siç e shikoni të ardhurat e përgjithshme në rangun e një viti mbeten nën nivel.

 

Dhe për të vërtetuar këtë shikoni të ardhurat e muajit janar të cilat janë publikuar dje. Ato janë më të ulëta në krahasim me një vit më parë me rreth 1.8 %. Qeveria, edhe pse në vitin 2014 ka programuar një rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 18 %, në muajin janar ka programuar të ardhura më të ulëta nga fakti i vitit 2013 me po 2 %, dhe siç e shikoni, fundi i muajit janar, “sukseset” që shet qeveria me figurantët që nxjerr për tejkalim të të ardhurave, të dhënat flasin për një performancë më të dobët në krahasim me janarin e një viti më parë 2013. kjo dëshmon se ecuria e të ardhurave do të jetë shumë larg objektivave dhe asaj që është miratuar ku është parashikuar që të ardhurat të jenë 18 % më të larta në krahasim me vitin 2013. Kjo do të thellojë gropën e mosrealizimit të të ardhurave dhe vështirësitë financiare të buxhetit në muaj që vijnë.

 

Në grafikun më pas kemi defiçitin dhe huamarrjen përgjatë vitit 2013. Në 2012 niveli i përgjithshëm i deficit të buxhetit ishte 45.8 miliardë lekë. Në vitin 2013 qeveria programoi 83 miliardë lekë dhe në fakt deficiti ka rezultuar 65 miliardë lekë, dhe deficiti që vjen nga huamarrje e re e qeverisë është 57 miliardë çka do të thotë se në krahasim me një vit më parë, rreth 120 milionë dollarë janë marrë hua më shumë.

 

Qeveria rriti nivelin e huamarrjes me njësërë pretendimesh ku u përqendrua në 3 çështje. Çështja e parë kishte të bënte me pagimin e faturave të investimeve të prapambetura. Dhe siç e shihni në 3 mujorin e katërt të 2013, pra tremujorin e qeverisjes socialiste, janë likuiduar dhe paguar fatura për investime publike vetëm në vlerën 13 miliardë lekë, ndërkohë që në vitin 2012 për të njëjtën periudhë janë paguar 21 miliardë lekë dhe do të thotë 80 milionë dollarë më shumë, edhe pse qeveria e shtri dorën për të marrë një borxh më të madh për një hua më të madhe me pretendimin me pretendimin se do të shlyente këto fatura.

 

Në të vërtetë, ky grafik flet për një rritje të mëtejshme të borxhit që qeveria krijon ndaj kompanive dhe të kolapsit ku ajo po fut ekonominë dhe biznesin.

 

Çështja e dytë që qeveria deklaroi se do të merrte një hua të madhe dhe rriti nivelin e borxhit në kufi të paparë historikë për ekonominë e vendit, ishte rimbursimi i detyrimeve që ka ndaj biznesit. Ky grafik tregon ecurinë përgjatë vitit 2013 të shlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit dhe respektivisht Tatimit të Vlerës së Shtuar. Dhe siç e shihni ka një konsolidim përgjatë këtij viti me rreth 800 milionë lekë ose 8 milionë dollarë në muaj rimbursim, kurse në 3 muajt e fundit të qeverisë siç e shikoni edhe në grafik, ka zbritur në nivelet më të fundit. Dhe të 3 muajt së bashku nuk bëjnë as sa shuma e një muaji të vetëm të rimbursuar ndaj kompanive. Pra e gjitha rezultoi në një demagogji dhe një mashtrim për biznesin dhe çka flet për një rritje të mëtejshme të detyrimeve që qeveria nuk shlyen ndaj biznesit në përpjeke për të realizuar programin e të ardhurave. Dhe nga ky marifet qeveria i ka mbajtur biznesit për periudhën e fundit me të njëjtat ritme si më parë po të vitit 2013 rreth 1.7 miliardë lekë të palikujduara, ose 17 milionë dollarë.

Çështja e tretë me të cilën qeveria kërkoi të justifikoi rritjen e borxhit ishte shlyerja e detyrimeve ndaj pagesave për ndihmën ekonomike, papunësinë dhe aftësinë e kufizuar të individëve dhe për këtë bëri dhe një akt normativ në muaj muajin janar të këtij viti dhe me gjit
hë shtesën që u pagua përmes këtij akti normativ siç e shikoni, pagimi i kësaj kategorie që është më e ekspozuar ndaj krizës dhe reformave, është shumë më i ulët krahasuar me vitin 2012 me të njëjtën periudhë. Pra nga 4.8 miliardë që janë shlyer në vitin 2012 për këtë kategori përfituesish, ajo ka zbritur në 4.4 miliardë lekë.

 

Kështu që gjithçka që u tha për rritjen e borxhit dhe deficitit, marrjen e një huaje të re nga sistemi bankar për të përballuar këto 3 elementë siç na u deklarua nga qeveria si përgjegjësi e qeverisë së mëparshme, rezulton që të tre të jenë nën nivelin e vitit 2012 dhe e gjithë huaja e marrë nga qeveria u destinua për qëllime të tjera. Pra jo vetëm që u morën 120 milionë dollarë më shumë hua në krahasim me vitin 2012 brenda një tremujori, por nga ana tjetër u paguan më pak për ato objektiva të shprehura nga qeveria rreth 100 milionë dollarë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar viti 2012.

 

Po ekonomia?! Unë kam prezantuar disa të dhëna të fundit që janë të muajit nëntor. 11 mujori është i përfshirë. Për trendin e treguesve kryesorë të ekonominë dhe për burimet e financimit të ekonomisë. Trendi dhe tendencat janë jashtëzakonisht negative dhe reflektojnë frymën e terrorit, revanshit dhe abuzivizmit të qeverisë në raport me ekonominë dhe biznesin.

 

Siç e shihni, grafiku blu flet për nivelin e depozitave dhe në krahasim me tremujorin e kaluar të vitit 2013, nga 6.3 që ishte niveli i kursimeve, ka zbritur në 2.2 % dhe është pakësuar me gati 3 herë. Kursimet e popullatës kanë rënë dhe burimet e financimit të ekonomisë në të njëjtën masë.

 

Më e dhimbshme është niveli i kreditimit total për ekonominë. Ka 2.4 % dhe sigurisht i ulët por ka zbritur në minus 2.4. Është për herë të parë në gjithë këtë periudhë tranzicioni që kreditimi i ekonomisë zbret në terma negativë. Pra jo vetëm që nuk është dhënë kredi e re për të financuar zgjerimin e bizneseve, hapjen e vendeve të punës, por është tërhequr nga kredia që ka pasur në dispozicion nga sistemi bankar dhe me një shifër prej 4.4 % të nivelit të kredive dhe do të thotë që mundësitë për të financuar zgjerimin e biznesit dhe modernizimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, janë tashmë të ezauruara. E njëta tendencë shprehet edhe për dy llojet. Kreditimi për biznesin drejtpërdrejtë për ekonominë private që ka zbritur nga 1.8 % në minus 3.5 % dhe niveli për kredinë konsumatore për kredinë për individët i cili ka zbritur nga 0.5 % në minus 0.3 %. Pra të gjithë parametrat e kreditimit të ekonomisë, biznesit dhe konsumit, kanë rënë në terma negativë çka do të thotë se ekonomia nuk vijon të financohet as në krahun e ofertës të rritjes së investimeve dhe as në krahun e konsumit.

 

Sigurisht që një pjesë e treguesve janë ende të publikuar dhe nuk janë nxjerrë përfundimisht por mjaftojnë vetëm këto për periudhën 11 mujore për të nxjerrë një parashikim ose një tendencë të ekonomisë tonë.

 

Inflacioni ka rënë po ashtu në nivelet më të fundit në nivele historike. Dhe kjo dëshmon jo një kontroll të inflacionit por për një rënie të pulsit të ekonomisë, për një mehje totale të ekonomisë shqiptare e cila nuk mund të reagojë dot as përmes inflacionit, përballë rënies së kërkesës konsumatore në treg dhe besimit të konsumatorit mbi ekonominë.

 

Për ta ilustruar impaktin e kësaj panorame të politikave të papërgjegjshme në politikat e paqëndrueshmërisë në politikat fiskale, të abuzivitetit ligjor, dhe të revanshit të përgjithshëm që ka qeveria aktuale, kam ilustruar edhe investimet e huaja direkte. Tremujori i katërt bën fjalë për një nivel shumë të ulët. Në qoftë se periudhë 9 mujore pati rreth 700 milionë euro investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare, tendenca e tremujorit të fundit flet për nivele tepër të ulëta krahasuar me trendin historik të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare çka është një dëshmi për rënien e besimit dhe krebilitetit të qeverisë aktuale në raport me investitorët e huaj dhe qëndrimet e tyre kaotike për prishjen tërësisht të kontratave, mungesa e sigurisë për investitorët dhe mungesa e orientimeve dhe strategjive të qarta për të mbështetur rritjen e ekonomisë.

 

Sigurisht që këto ishin disa të dhëna që lidhem me buxhetin dhe me të dhënat që jep Banka e Shqipërisë për trendin në 3 mujorin e fundit. Ato do të kompletohen më tej me të dhëna të tjera dhe është e qartë se ekonomia shqiptare dhe financat publike po vijnë duke u dobësuar. Ekonomia shqiptare në tërësi mbetet pa burimet e financimit të saj dhe qeveria po fut vendin drejt një rrënimi të shpejtë ekonomik dhe një recesion për vitin 2014.