Fjala e ish kryeministri Sali Berisha në Parlament:

 

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, që ndiqni këtë seancë, e cila në një farë mënyre po dëshmon fundin e këtij Parlamenti.

Të dashur protestues, para Parlamentit dhe në rrugët e Shqipërisë, kudo që jeni.

Zonja dhe zotërinj.

Të nderuar deputete dhe deputetë.

Zoti bashkëkryetar.

Ne mblidhemi sot, në një ditë më të rëndën në historinë 23 vjeçare të Parlamentit përsa i përket qëndrimit të Parlamentit ndaj ligjeve dhe Kushtetutës se vendit. Ne mblidhemi këtu pasi Parlamenti i vendit, një javë më parë kreu, në kuptimin absolut të fjalës, një puç antikushtetues.

Ne mblidhemi sot, pasi ju një javë më parë udhëhoqët Parlamentin, zoti kryetar, në një votim të tipit nazist. Dhe unë do e shpjegoj fjalën time. Ju këtu, në kundërshtim me ligjin dhe institucionin, shkarkuat zonjën Zana Xhuka dhe morët përsipër të anuloni vendimin e Parlamentit, të cilën ju e gjetët të zgjedhur jashtë kushteve ligjore, por për t’i marrë pushtetin Presidentit të Republikës, të cilit ligji ia njeh se duhet dekret me dy kandidatura , ju thatë se ajo është e vlefshme për tu votuar, pasi e larguat. Nuk ka akt më të shëmtuar dhe më qesharak.

Të dashur qytetarë dhe qytetare.

Në vitin 1937 Adolf Hitleri fitoi zgjedhjet me 17.2 milion vota. Çfarë bëri? Dy gjëra. Së pari, çoi një ligj në Parlament, në të cilin autorizoi kryeministrin, qeverinë, të ndërhynte e të ndryshonte, pra te tejkalonte Kushtetutën në vendime, dhe ligji u votua. Pra, Neroni i kohërave moderne, veprimet i bëri pasi votoi një ligj në Parlament, kurse Edvin Kristal Rama, pa asnjë ndryshim ligjor, ka dhunuar një nga një nenet e Kushtetutës së Shqipërisë, duke filluar nga neni i simboleve të shtetit dhe të Republikës, duke vazhduar me nene që garantojnë pronën private, me nenet që garantojnë privatësinë e banesës dhe sigurinë  e saj, me nenet që garantojnë ndarjen e pushteteve, sepse mendja e tij e sëmurë elaburon konceptin e vendimeve të pavlefshme të gjykatave, të shpallura nga ekzekutivi, sepse mendja e tij e sëmurë miratoi vendimin e INUK-ut, me të cilin qesh mbarë Europa sot, sipas të cilit për ekzekutivin nuk ka gjykata, sipas tw cilit ekzekutivi të mos ketë kufizime. Në njërën anë themelet e jetës së njeriut të jetë banesa, çlirohet tërësisht nga kufizimi i pushtetit nëpërmjet gjykatave.

Radhën e kaluar ju i morët pushtetin Presidentit të Republikës. Nuk ndodhi kjo as në Gjermaninë naziste. Ai vepro ndryshe. Vdiq Hinderburgu dhe tha tani Gjermania nuk ka nevojë më për president dhe kryeministër, duhet të jetë një.

Jam dakord që ju mendoni se këto nuk duhen krahasuar, po e vërteta kështu ka ndodhur. Historia këtë thotë. Tek po bisedoja me një mikun tim gjerman, kur kryekreu desh të bëhej kryetar i Agjencisë Kombëtare të Hetimit, kë kopjon ky tha?

Këto janë veprime, të cilat ju i bëni për t’u pushtetuar në mënyrë të paimagjinueshme, duke dhunuar çdo standard europian.  Duke dhunuar çdo standard demokratik dhe të gjitha këto bëhen në një mënyrë të rrufeshme, duke dhunuar rregulloren e Parlamentit, me një fjalë, faktikisht në këtë parlament për opozitën ka zero hapësirë. Këto ndodhin pse? Pse gjithë kjo ethe për pushtet? Sepse në të vërtetë ka gjashtë muaj që janë shkatërruar mbi 26 mijë vende pune dhe se nuk është krijuara një vend pune i vetëm. Pse kjo me kaq vrull? Me kaq epsh për pushtetin dhe revansh primitiv? Sepse shqiptarët po shkojnë me shpejtësi drejt një mjerimi të tejskajshëm. Pse kjo në këtë mënyrë? Sepse premtimet që bëtë në fushatë elektorale, u faktuan mashtrime, të cilat kanë hequr fund e krye legjitimitetin e regjimit tuaj.  Ju i premtuat shqiptarëve shërbim shëndetësor falas, sot e paguajnë më shtrenjtë se kurrë  shërbimin e shpartalluar shëndetësor. Ju premtuat shqiptarëve uljen e taksave, sot biznesmenët në vend janë hedhur në protesta në greva për taksat e larta. Ju premtuat shqiptarëve luftën kundër korrupsionit, keni ndërtuar me kënaqësi piramidën më të lartë në Europë të kleptokracisë. Ju premtuat shqiptarëve rendin dhe qetësinë, e shndërruat Shqipërinë në vendin e tritolit dhe qeverinë tuaj në  tritol-qeveri. Vetëm në një hark kohor të shkurtër, nga 1 janari deri më sot, tritolet në Shqipëri tejkalojnë tritolet në këtë vend në 20 vitet e fundit, tejkalojnë tritolet ne Ballkan në 10 vitet e fundit., tejkalojnë ditë për ditë tritolet e Afganistatit. I premtuat Shqipërisë rend dhe morët drogën, po e shndërroni këtë vend në Kolumbinë e Europës.. Po more zotëri, se të gjithë trafikantët i fut në polici për të trafikuar për llogari tuaj. Shkatërruat me një vendim policinë rrugore. Shqiptarët nuk e kuptuan çfarë po ndodhte. Policia rrugore u shkatërrua sepse duhet të hapeshin akset kombëtare për mega-trafikun e drogës që bëni çdo ditë. Shkatërruat policinë kriminale, sepse bandat tuaja duhet të bëjnë ligjin, edhe në Vlorë dhe kudo. Filluat të akuzoni opozitën për tritole, por ja ku iu doli në oborrin e Partisë Socialiste, banda e urryer e tritolit. Ja ku doli që Sinanaj, Karçini, Mitroja, Gjokoni,  që të gjithë ishin shtabi terrorist i celulave tuaja, që të gjithë ishin të porositur nga eksponent të partisë suaj. Hodhët në erë me tritol pallate të ndërtuara, por njeriu që ka fytyre nuk mund ta bënte kurrë atë, sepse ju kishte thënë shqiptarëve se ndërtesë pa leje nuk mund të prishen kurrë edhe sikur Enver Hoxha po të ngrihet nga varri. Ndërsa ai si i çmendur, prishi shtëpitë me leje, çka nuk ndodh kurrë ne Europë, vetëm për urrejtjen e tij patologjike për kundërshtarin politik. Ndaj ju duhen ju këto veprime. Po çdo e bëni ju pushtetin more të zi? A e dini ju o të zi, se këtë pushtet ai sovran që po proteston aty, ai sovran që ishte me 20 shkurt, e bën pluhur brenda 5 minutash. Dëgjojeni mirë këtë që ju them unë.

Ju dëgjoja tek bënit komente se ishin 5 mijë dhe jo 150 mijë, por a e dini ju që 5 mijë nuk ka Polici në botë që ti përballojë. Po ju jeni naiv. A e dini ju se me 5 mijë nuk matet dot asnjë polici edhe në manualet më të sigurta. Ku e çoni veten ju në këtë mënyrë. Ju që ndërseni policët, që janë vërsulur dhe gjobisin qytetarët.  A e dini ju që shtoni urrejtjen qytetare ndaj një institucioni, i cili duhet të jetë ndër më të respektuarit. A e dini ju çfarë bëni apo jo. A e dini ju që rrokullisët Shqipërinë, ju që llomotitni nga kjo platformë katër vite resht kundër borxhit. Ky që dilte nga sheshi në shesh dhe ju thoshte shqiptarëve, – “se ju mbyti Sali Berisha me 3 mijë dollarë borxh”, vjen këtu dhe me shpejtësi të madhe, me një skenar makaber për vendin, rrit borxhin në një vit dy herë e gjyswm më shumë sesa ç’e rritëm ne në tete vite. Ku do të shkojmë në këtë mënyrë. Kush e urdhëroi këtë? Kush e shtyn këtë të bëjë këto veprime? Cili është ai apo ajo? Mendja e tij e sëmurë. Unë nuk besoj në teorira konspirative. Ai ka në mendjen e tij Shqipërinë e etërve. Atë quan ideale ai. Shqipërinë e lirë e quan Shqipërinë e zezë dhe është vërsulur me t
ërbim për ta rrënuar atë. A e dini ju që shqiptarët po vuajnë për kafshatën e gojës dhe ju u vërsulët t’ua merrni 20 mijë liçensa, të merrni me një vendim 20 mijë familje, vetëm e vetëm për te gjobitur dhe per ti bere licensat 1500 euro, për të vendosur me kompanitë tuaja monopolin. A e dini ju që kundërshtoni vendimet e gjykatësve që kryesojnë krimet e rënda, që kryesojnë apelet, vetëm që të pranojnë pazaret tuaja për të liruar vrasës dhe kriminele.

A e dini ju qytetare se ky zotëri dërgon sekserë të pafytyrë dhe të ulët për të kompromentuar zyrtarët e këtij shteti pasi nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zbatuar ligje. A i dini ju këto apo jo? Ky parlament, këta të cilët e akuzonin Sali Berishën për tenderin e linjës se interkonjeksionit me Kosoven se kompania ishte e djalit të tij, dje firmosi në prezencë të njëjtin tender, per te njejten kompani. A mund ta thonë këta, e firmosën për djalin tim tenderin? Po ata që nuk kanë fytyrë nuk kanë se çfarë të thonë.

A e dini ju se këta vodhën serverin tatimeve për të prerë gjoba dhe sot në sistem nuk raportohen më të punësuarit. A mund të ndodhin këto në një afat gjashtë mujor. Ky regjim po humbet legjitimitetin me shpejtësi të rrufeshme. Ne erdhëm këtu me vendosmërinë më të madhe për të kontribuar. Ne erdhëm këtu te vendosur për një bashkëpunim pozitë-opozitë në çështjet themelore të interesit të vendit, kurse ju shkelmoni çdo ditë dhe të gjitha këto i bëni në prag të vendimeve të mëdha, të gjithë këto i bëtë pa ardhur dhjetori. Ndonëse evidente, porositë ishin të qarta. Të gjitha këto i bëni para qershorit dhe me vrap. Ne ju themi këtu se të gjitha këto kanë një potencial të jashtëzakonshëm destabilizues për vendin. Ne i themi këtu atij, të cilit votat nuk i mori si energji pozitive ndaj vetes së tij por si shuplakë ndaj nesh, njëlloj si i ati që e merrte si plumb ndaj armikut ndersa ky e zbriti nga plumbi në shuplake, ne i themi këtu se kjo politikë është një politikë anti-kombëtare, është një politikë ant-qytetare, është një politikë anti- integrim.  Po ju nuk keni interesa integrimi. Ju keni vetëm interesa pasurimi, ju nuk keni interesa punësimi, ju keni vetëm interesa plaçke dhe grabitje. Ju nuk keni interesa për të luftuar varfërinë, ju keni interesa për të pasuruar klanet tuaja. Dhe atëherë çfarë mbetet. Çfarë na lidh ne me ju këtu në Parlament. Ne kaq jemi. Kaq vota. Ne nuk bllokojmë dot vendimet tuaja, por të mbetet ty zoti bashkëkryetar, turp i madh që theve Rregulloren, që solle në një procedurë që nuk ekziston në asnjë rregullore të Parlamentit, një proces i cili përjashton opozitën dhe që i mori pushtetin Presidentit të Republikës dhe kjo vetëm e vetëm se ai president i përkiste mazhorancës së kaluar nga propozimet. Unë mendoj se e keqja duhet përpjekur të kufizohet, kjo është në tagrin e njerëzve të qytetëruar, kjo është në tagrin e njerëzve të përgjegjshëm. Ndaj dhe si akt të parë, unë kërkoj nga ju të zhbëni seancën e turpshme që bëtë. Të zhbëni seancën e turpit të Parlamentit. Kërkoj të hiqni dorë nga marrja e pushteteve, kërcënimet e drejtuesve të institucioneve në mënyrat më mafioze, kërkoj të zbatohen ligjet, të ndryshohen, të reformohen sipas interesave te vendit dhe jo sipas interesave të pushtetit personal tuaj dhe te mazhorancës tuaj. Në rast të kundërt ju pastaj do të na detyroni të shkojmë atje ku nuk kemi dashur. Absolutisht nuk kemi dashur. E merrni thjeshtë, por e keni gabim. Keni përgatitur kushtet për një destabilizim të atillë që mendja juaj nuk e merr dhe ne nuk dëshirojmë”.