Deputeti Ristani denoncon situatën e rënduar kriminale dhe kërkon marrjen e masave për rivendosjen e rendit dhe sigurisë publike.

 

Partia Demokratike nuk do reshti në komunikimin e saj me shqiptarët për gjendjen e kriminalitetit në vend dhe për të gjitha problemet që shqetësojnë shoqërinë tonë.

Ne jemi të vendosur që nëpërmjet këtij komunikimi të tërheqim sadopak vëmendjen e qeveritarëve mendjembyllur për katastrofën ku po e çojnë Shqipërinë.

Tritoli, grabitjet dhe trafiku i drogës sunduan edhe javën që po mbyllim.

Jemi në një atmosferë të rënduar kriminale.

Shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin.

Policia e udhëhequr, tashmë jo ligjërisht, nga Ministri i Brendshëm, tregon gjithë forcën e saj me protestuesit paqësorë të furgonave që kërcënohen për bukën e gojës nga qeveria, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje.

Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar.

Tirana është nën pasigurinë e grabitjeve, ku vetëm dje kanë rënë pre e maskave të armatosura një koncesionar makinash e një pikë karburanti.

Çdo ditë grabiten njësi tregtare në kryeqytet. Dhe kush është përgjigja e Kryeministrit, ai tregon muskujt ndaj protestuesve të bukës së gojës dhe i kërcënon ata.

Ndërkohë, situata e rendit dhe e sigurisë është më e përkeqësuar në rrethe.

Mbrëmë në Vlorë një 14 vjeçar humbi jetën për shkak se moshatari i tij luante me armë, dhe sot një tjetër 14 vjeçar në Tiranë qëlloi me armë në mes të ditës.

Partia Demokratike ka një javë që ka publikuar fakte dhe foto që tregojnë lidhjet e forta të trafikantëve të drogës me Ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin.

Asnjë reagim nga shefat e tyre qeveritarë.

Përgjigja vjen nga Italia dhe Greqia ku droga me origjinë shqiptare po sulmon përditë kufijtë e tyre.

2 Ton marijuanë janë kapur dje në brigjet e shtetit fqinj. Bëhet fjalë për dy tonë dhe disa trafikantë shqiptarë që janë lejuar nga policia e Saimir Tahirit, ta mbledhin marijuanën, ta paketojnë dhe ta transportojnë në territorin tonë, drejt Italisë.

Partia Demokratike, në interes të gjithë shqiptarëve, i bën edhe një herë thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të reflektojë për situatën kriminale dhe për pasigurinë që ndjejnë qytetarët e vendit, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit nga politika, ta dekriminalizojnë atë nga njerëzit e lidhur me krimin dhe të vendosin në krye të detyrës profesionistët.

Është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit.