Deputetja Bregu, bën të ditur qëndrimin e Partisë Demokratike, pas Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.

 

Qëndrimi është ai që kemi bërë publik edhe dje, pavarësisht formati të prezantimit të opozitës në këtë takim, pavarësisht se ne në këtë takim kishim kërkuar të njëjtin nivel përfaqësimi që opozita e djeshme sot në maxhorancë ka patur, pra në nivel përfaqësimi të kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare, ne vendosëm të jemi prezent në respekt të detyrimit të madh që ka Shqipëria dhe të gjitha palët politike në procesin e integrimit europian.

Sigurisht që në këtë takim kemi shprehur gatishmërinë tonë për të mbështetur qeverinë në çdo reformë e cila ka të bëjë me procesin e integrimit dhe që ndihmon që ky proces të ecë përpara. Por kjo nuk do të thotë dhe nuk besoj se është standard europian, as kriter i Kopenhagenit, që të fshehësh faktet dhe ato që po ndodhin në realitet; shkeljen e Kushtetutës, shkeljen e ligjeve, dhunimin e institucioneve të pavarura.

Të kuptosh se sa e vështirë është të ruhet konsensusi politik në Shqipëri, apo kur ky konsensus arrihet me vështirësi, ditën tjetër shkatërrohet lehtësisht. Si dhe të bëhesh pjesë e një ideje që të mos i themi gjërat siç janë për faktin se ndoshta kjo do të na dëmtojë qeverinë në plotësimin e detyrimeve për integrimin europian, nuk e ndihmon procesin.

Pra unë besoj se shqiptarët kanë nevojë për qartësi dhe BE, vendet anëtare, të kenë të qarta dy gjëra; së pari, ne mendojmë që statusi tashmë është i vonuar dhe duhej të ishte marrë prej kohësh sepse detyrimet e vëna para Shqipërisë për marrjen e statusit, siç është shprehur Komisioni Europian, janë plotësuar dhe këtë e ka thënë në raportin e tetorit.

Por, nga ana tjetër, ne mendojmë se përkeqësimi i zbatimit të standardeve europiane nuk e ndihmon Shqipërinë dhe nuk e çon askund. Në rast se në qershor nuk konfirmohet marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, besoj dhe uroj dhe për më tepër shpresoj t’i largohemi gjuhës së barcaletave ku kryeministri thotë që e kanë fajin vendet europiane, të akuzave për islamofobi apo për ekstremistë europianë dhe të pranohet se shkelja e standardeve europiane i trondit vendet e BE-së më shumë se çdo batutë tjetër politike.

Pyetje: A i shërben ky dialog i nivelit të lartë marrjes së statusit kandidat në qershor?

Takimi i dialogut të nivelit të lartë është për të marrë dhe për të përcjellë progresin e arritur nga takimi i fundit i muajit tetor, në ecurinë e reformave sipas qeverisë. Në takimin të nivelit të lartë ne kemi folur për atë çka është duke ndodhur në Shqipëri. E përsëris; duke shprehur bindjen tonë se qershori duhet të jetë data kur Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Opozita e sotme nuk është opozita e djeshme. Siç e shikoni në opozitën e sotme të gjitha aktet duke filluar nga rezoluta në Parlamentin Europian, nga rezoluta në Parlamentin Shqiptar, të gjitha veprimet pro procesit të integrimit janë propozuar dhe po ndiqen nga ne. Por në rast se maxhoranca mendon se konfliktualiteti dhe zhbërja e atyre që kanë premtuar se do të jenë standarde, dhe i kanë firmosur sikundër në rezolutën e Parlamentit Shqiptar, pra nëse ata mendojnë se zhbërja e ndihmon procesin, ky mund të jetë qëndrimi i tyre por nuk do të thotë që është qëndrimi ynë.

Pyetje: Znj. Bregu, a diskutuat për reformën territoriale?

Reforma territoriale nuk është prekur as në gërmë e as në frymë dhe as që është përmendur dhe kjo sepse reforma territoriale nuk është një nga 5 kushtet e BE për qershorin dhe sepse nuk ka pasur asnjë interes, besoj, sepse pala europiane e di mjaft mirë që reforma territoriale edhe pse një reformë e rëndësishme është një sebep i qeverisë për të tërhequr vëmendjen nga mos realizimi i detyrimeve dhe prioriteteve.