Deputeti Pollo dënon vendimin e qeverisë për të mos rritur pagat e mësuesve dhe shkarkimet e emërimet partiake që po e dëmtojnë edukimin e fëmijëve tanë.
Partia Demokratike vlerëson rolin e pamatshëm të mësuesve, të atyre grave e burrave, zonjave e zotërinjve, të cilët me përkushtim e përunjësi, që nga koha kur është hapur shkolla e parë shqipe e deri më sot, edukojnë fëmijët tanë, i japin atyre dije dhe u mësojnë se si të bëhen të mirë, të denjë dhe të aftë për veten e shoqërinë.
Partia Demokratike gjatë qeverisjes së saj, kreu një revolucion në arsim, përmes reformës tërësore të sistemit: kurrikula moderne, trajnim efektiv të mesuesit, vlerësim objektiv të nxënësit e menaxhim modern të shkollës, deri tek dyfishimi i pagës së mësuesve duke i kthyer dinjitetin e humbur këtij profesioni të nderuar.
Gjithashtu, gjatë qeverisjes së saj, Partia Demokratike ndërtoi dhjetëra shkolla të reja, i informatizoi ato, nga qendrat urbane, e deri tek fshatrat e largët.
Por për arsimin dhe mësuesit ka ende për t’u bërë.
Ne jemi të shqetësuar, sepse qeveria ka ngrirë pagat e mësuesve, pra Edi Rama ka vendosur që të mos e rrisë më shpërblimin financiar të tyre.
Kjo është një masë shkurajuese, është një mungesë vlerësimi për punën dhe rolin e mësuesit në shoqërinë tonë.
Gjithashtu, shkarkimi i kundraligjshëm i drejtorëve të shkollave e mësuesve për interesa partiake, dhe emërimi në arsim i militantëve partiake të pakualifikuar, është shërbimi më i keq që kjo qeveri po i bën arsimit dhe edukimit në vend.
Ne i kërkojmë qeverisë, të tërhiqet nga këto qëndrime.