Zonja e zotërinj, të dashur miq!
Pasditja e djeshme solli një lajm tronditës. E pabesueshme, por lajmet e këqija të tilla janë! Ferdinand Poni, argumentuesi me tone të larta, i qeshuri me humor pikant, bashkëpunëtori serioz dhe i përkorë, sa herë e lypte nevoja, nuk jeton më.
Pikëllimi dhe dhimbja e thellë më ka pushtuar, teksa jam i detyruar t’i jap lamtumirën e fundit mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë e të besuar, Ferdinand Poni!
Humbja është shumë e madhe dhe njeriu nuk i bën dot menjëherë të gjitha llogaritë, por e di se humbje të pamatshme ka dhe ndien familja e Ferdit, nëna e tij Fata, shoqja e tij e jetës Meri, djemtë Rei dhe Ralfi, motra e tij Majlinda dhe vëllai i tij Bardhi; humbje të madhe ndiejnë të afërmit dhe miqtë e tij të shumtë që u derdhën sot për t’i dhënë respektet e fundit; humbje të jashtëzakonshme ndiejnë demokratët; ndiej unë; ndjen Partia Demokratike por edhe miqtë e kolegët e tij anembanë, sepse kemi humbur Ferdi Ponin, avokatin dhe mbrojtësin më të flaktë për pushtetin lokal, në të gjitha nivelet.
Na ka ikur kapiteni i pushtetit lokal, zëri i fuqishëm dhe me autoritet për këtë kauzë, shpesh të trazuar; kemi humbur drejtuesin energjik, të vendosur dhe të guximshëm që drejtoi procesin e modernizimit të regjistrit të gjendjes civile dhe përgatitjen e platformës për pasaportat dhe kartat biometrike; kemi humbur kryekëshilltarin demokrat në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, zërin e fortë të interesit qytetar por që për të njëjtat interesa, të qytetarëve, dinte të gjente gjuhën e urtë të kompromisit.
Vendi ka humbur personalitetin erudit, një nga ekspertët më supremë të decentralizimit, autonomisë vendore dhe zgjedhjeve, njeriun e përkushtuar me pasion pas punës dhe ndjenjës të shërbimit publik, avokatin këmbëngulës dhe të palëkundur në bindjet dhe parimet që besonte, atdhedashësin dhe patriotin që punoi pa pushim për modernizimin e qeverisjes dhe vendit.
I çiltër, i drejtpërdrejtë dhe buçitës, por edhe i ndjeshëm, me zemër të madhe e të bardhë, Ferdi do të na mungojë të gjithëve, prandaj jemi mbledhur këtu, për të ndarë me familjen e Ferdit dhe me njeri-tjetrin dhimbjen e madhe për humbjen e tij, por jemi këtu edhe me mirënjohjen e madhe që e patëm mes nesh dhe për të nderuar me krenari veprat dhe të mirat që ka lënë pas.
Lamtumirë, mik i dashur! U prehsh në paqe!