Mbledhja e grupit parlamentar të opozitës nis me 1 minutë heshtje në nder të Ferdinand Ponit. Basha informon deputetët për gatishmërinë e PPE për të ndihmuar Partinë Demokratike për shqetësimet dhe ringritjen e saj.
Të nderuar deputetë,
Dje përcollëm për në banesën e fundit Ferdinand Ponin, mikun dhe shokun tonë të dashur, kolegun e respektuar, drejtuesin, veprimtarin dhe zyrtarin shembullor, demokratin e vendosur e mendjehapur, që ia kushtoi jetën e tij politike një çështjeje madhore të demokracisë, siç janë zgjedhjet, decentralizimi dhe autonomia e pushtetit vendor, modernizimi i qeverisjes ku dha një kontribut të pashlyeshëm dhe të dorës së parë.
U nda nga jeta papritur, në kulmin e moshës dhe energjive, kur i duhej më shumë se kurrë familjes, Partisë Demokratike, u duhej zgjedhësve demokratë, opozitës, reformave të reja, miqve, shokëve.
Humbja është e madhe për të gjithë ne.
Por mbi pikëllimin që na shkaktoi dhe na la në zemër vdekja e Ferdinandit ngrihet sot dhe do të qëndrojë gjithmonë e gjallë dhe e pamort puna, e tij, vepra e tij, shembulli i tij frymëzues për të gjithë ne.
Ju ftoj të nderojmë kujtimin e tij me një minutë heshtje.
Javën e kaluar, siç e dini, Partia Demokratike u përfaqësua me një delegacion të nivelit të lartë në kongresin e Partive Popullore Europiane, PPE. Kam kënaqësinë të konstatoj se përfaqësimi i PD ishte i dyfishtë në këtë eveniment politik kaq të rëndësishëm: me kryetarin e partisë dhe me zotin Berisha, i ftuar nderi si lider historik dhe ish kryeministër i vendit. Bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit, patëm kënaqësinë të vërenim se si zotit Berisha iu rezervua një respekt i denjë për një dekan që ka ndarë një jetë të gjatë politike me familjen politike europiane të qendrës dhe qendrës se djathtë. Kjo sigurisht na bëri të ndihemi krenarë, por ishte edhe një lehtësim për ne në marrjen e stafetës së respektit dhe përgjegjësisë si lidershipi i ri i një partie simotër në gjirin e PPE-së.
Pjesëmarrja aktive dhe roli aktiv i Partisë Demokratike në familjen politike të PPE-së ka një rëndësi të jashtëzakonshme për alternativën që ne përfaqësojmë, për aspiratat demokratike dhe europiane të shqiptarëve. Partitë Popullore, anëtarët e saj, qeveritë, por dhe zgjedhësit e saj janë e do të jenë fytyra e Europës së lirë, fytyra e Europës së zhvilluar, fytyra e Europës së bashkuar.
Ne, Partia Demokratike, jemi e do të jemi dega e shëndetshme e kësaj peme të madhe politike në Shqipëri. Degë me kokrra përsa i përket integrimit europian dhe jo pa kokrra si shpesh kanë dalë dhe po dalin alternativat e majta të grupimeve europiane.
Do ta shtojmë praninë tonë në PPE, do të intensifikojmë më tej bashkëpunimin me partitë simotra në nivel dypalësh e shumëpalësh.
Më lejoni t’ju njoftoj se, në shembullin e këtyre partive, në bashkëpunim me ta dhe me fondacione e institute që ata kanë të cilat promovojnë vlerat dhe vizionet politike të qendrës dhe qendrës së djathtë, jemi duke konceptuar themelimin e veprimtarisë “Universitetet e demokratëve” ku do të përfshihen demokrate dhe demokratë të rinj, nga më të mirët, të cilët do të njihen më mirë, në funksion të formimit të tyre si drejtues të rinj politikë, me doktrinën, vizionet, zgjidhjet, kërkimet e deri me diskutimet dhe debatet në aulat e simotrave tona të partive popullore europiane.
Përsa i përket aktivitetit, dua të nënvizoj dy momente që i konsideroj të rëndësishme:
E para, faktin se Partia Popullore Europiane, drejtuesit e saj, përfaqësuesit e saj në institucionet më të larta të Bashkimit Europian, të vendeve anëtare e qeveritë mike mbështesin pa rezerva perspektivën europiane të Shqipërisë, ecjen të vendit tonë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Nga kjo pikëpamje, partnerët tanë shprehën vlerësimin e tyre pozitiv të njëzëshëm për qëndrimin e PD të mbështetjes pa kushte te integrimit europian të vendit, për rolin tonë konstruktiv në opozitë, në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor, institucioneve të pavarura dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.
E dyta, mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe përfaqësuesit e lartë të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Shkeljet e përsëritura të Kushtetutës, kapja dhe përpjekjet për të vënë nën diktat e kontroll politik institucionet e pavarura, zhbërja e investimeve europiane në fushën e administratës publike dhe Policisë se Shtetit, cënimi i themeleve të shtetit ligjor nga qeveria shqiptare përbëjnë një rrezik kërcënues për statusin në qershor dhe për udhëtimin e Shqipërisë në drejtim të integrimit europian në tërësi.
Si opozitë, ne kemi dhënë në vijimësi alarmin për rrezikimin sërish të statusit nga ana e qeverisë Rama-Meta. Në mitingun madhështor të 20 shkurtit njoftuam me fakte se qeveria po vazhdon marshimin e saj të verbër kundër statusit. Duam të theksoj sot se shkaku i dështimit eventual me marrjen e statusit edhe në muajin qershor po evidentohet gjithnjë e më shumë e më tepër kursi antiligj, antikonsensus dhe antireformë i qeverisë shqiptare.
Europa dha një afat të ri gjashtëmujor në fund të vitit të kaluar. Është e qartë se në kushtet e plotësimit një për një të kritereve për marjen e statusit nga Shqipëria, ky ishte një afat për të korrigjuar sjelljen dhe kursin anti-integrim të qeverisë Rama-Meta. Tre muaj po kalojnë. Në vend që të eliminonin shkeljet, vetëm i kanë shumëfishuar ato; në vend që të korrigjonin kursin e gabuar, vetëm janë thelluar në rrugën e tyre të largimit nga Europa dhe vlerat e saj. Në vend që ta kishim venë në rrugë të shtruar çështjen e statusit në tre muajt e mbetur, e kanë vendosur në një malore akoma më të vështirë me ngulimin e tyre absurd për të vendosur sundimin e tyre mbi sundimin e ligjit.
Janë naivë dhe qesharakë ata që mendojnë me psikologjinë e strucit se fajin nuk e ka e keqja e qeverisjes si e tillë, por nxjerrja në dritë e saj, denoncimi i saj nga opozita, nga mediat e lira, nga shoqëria civile, nga partnerët ndërkombëtare.
Nëse ka sot një shpresë reale për integrimin, nëse ka sot një forcë që e mban gjallë idenë e Shqipërisë europiane, kjo është është opozita që po lufton për vlerat e saj. Sikur për një moment të ndodhte që të verbohej e të bëhej memece edhe opozita, nuk do të ndryshonte asgjë në perceptimin dhe vlerësimin negativ të akteve antidemokratike të qeverisë shqiptare në Bruksel.
Jetojmë në një botë të hapur, për fat. Partnerët tanë europianë dhe amerikanë janë gjithnjë të mirinformuar për çfarë ndodh në një vend si Shqipëria. Nuk janë lajmet, por vetë ngjarjet që krijojnë perceptimin dhe vle
rësimin.
Shembulli më domethënës i kësaj të vertetë janë prononcimet e fundit të një personaliteti me peshë specifike të madhe ne vendimmarrjen europiane, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok.
Sipas tij, kur vërehen mijëra shkarkime në vend dhe militantët ftohen të aplikojnë në sitin e internetit të partisë për t’u futur në administratë, kjo është të duash ta bësh vendin pronën tënde. Kjo nuk është e pranueshme. Është kundër parimeve europiane.
Citoj ”Kur shoh që ndryshohen postet kundër rregullave, duke përfshirë këtu edhe në raste që lidhen me rolin e presidentit të Republikës për institucionet e pavarura, atëherë kam frikë se zoti Rama po luan lojën e vjetër. Dhe parimet që ne mbrojmë fort për forcimin e shtetit ligjor dhe këtë radhë janë shkelur nga qeveria. Kur mora vesh, se aktet kushtetuese mund të ndryshohen përmes një akti normativ të qeverisë, kjo është më shumë se befasuese, është afër një regjimi diktatorial. Tejkalimin e Kushtetutës përmes një akti normativ qeveritar, s’e kam parë kurrë këtë përpara përveçse në diktatura”.
Shkëputa këtu vetëm disa pasazhe nga intervista e kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europiane, që ka rënë e duhet të dëgjohet si kambanë alarmi për qeverinë Rama-Meta, nëse kanë ndërmend dhe vullnet të ndryshojnë me urgjencë kursin e tyre antieuropian.
Një rast dhe një shans për reflektim e korrigjim domethënës ishte Dialogu i Nivelit të Lartë për integrimin që u mbajt në Tiranë javën e kaluar në praninë dhe patronazhin e komisionerit për zgjerimin, zotit Fyle. Edhe ky takim u përgatit për fat të keq në inercinë e arrogancës me të cilën u instalua në pushtet qeveria Rama-Meta. Ishte një paradoks me vete që opozita, pra ne, kërkuam me shkrim një pjesëmarrje të respektueshme në një takim të tillë, një pjesëmarrje sipas standardeve të vendosura kur ne ishim në maxhoranca dhe të respektuara për opozitën e atëhershme, ndërkohë që nga kryeministri kishte që në fillim një ngulmim për një pjesmarrje simbolike të opozitës. Paradoksi është i dyfishtë. Më kë do ta bënin këta Dialogun e Nivelit të Lartë kur nuk donin opozitën në takim? Me veten e tyre? Monologjet tashmë janë bërë një praktikë e mërzitshme dhe e padurueshme e kryeministrit Rama.
Por paradokset nuk mbarojnë këtu. Pasi më në fund u pranuam tre përfaqësues nga opozita të cilët parashtruan me kompetencë qëndrimet tona, të mbështetura në fakte tashmë botërisht të njohura dhe të verifikuara në mënyrë të pavarur, që lidhen me shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, me sulmet ndaj institucioneve të pavarura, me reprezaljen në polici dhe administratë, me zhbërjen e standardeve, me kthimin prapa të demokracisë në shumë aspekte.
Por siç e pamë të gjithë, konkluzionet e botuara ishin gatuar në kuzhinën propagandistike të qeverisë dhe ishin totalisht të njëanshme.
Konkluzionet e qeverisë nuk e venë gishtin mbi plagët e vërteta; janë retorikë që nuk thonë asgjë thelbësore në lidhje me reflektimin dhe korrigjimin që kërkohet si domosdoshmëri; janë konkluzione për të kaluar radhën, që e zbehin shumë vlerën e dialogut të nivelit të lartë. Për ç’dialog të nivelit të lartë mund të flitet kur në konkluzionet përfundimtare që qeveria i përgatit pa opozitën nuk gjejnë jehonë dhe pasqyrim qëndrimet e opozitës, qëndrimet e palës tjetër?
E kemi theksuar dhe dëshirojmë ta theksojmë me forcë përsëri sot: Integrimi europian, pra edhe statusi është aspiratë e popullit, është pronë e popullit, nuk është plaçkë e qeverisë. Vendimi për statusin, siç e nënvizoi edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, do të merret në bazë të situatës së shtetit ligjor në vend. Në dritën e qëndrimeve refraktare të qeverisë, po behet imperative që çështjen e statusit ta marrin në dorë vetë qytetarët e lirë.
Në përsërisim qëndrimin tonë se marrëdhënia e grupit tonë dhe e opozitës me Kuvendin do të vijojë të mbetet e kushtëzuar për shkak të dhunimit flagrant të Kushtetutës me datë 20 shkurt me shkarkimin e paligjshëm dhe antikushtetues të kreut të ILDKP-së, si prova gjenerale e shumicës për të uzurpuar institucionet e pavarura apo për t’i vënë ato në kontroll dhe diktat politik. Ky qëndrim do të mbahet derisa të rivendoset ligji dhe kushtetutshmëria në Kuvend.
Nuk është fjala për të mbrojtur një individ, edhe pse në doktrinën tonë mbrojtja e një njeriu të vetëm nga arbitrariteti i shumicës është një prej “komandamenteve”.
Në rastin në fjalë ne mbrojmë një parim, mbrojmë standardet, mbrojmë institucionet e pavarura, mbrojmë Kushtetutën, mbrojmë perspektivën europiane të Shqipërisë.
Faleminderit