Zëdhënësja Vorpsi denoncon urdhërin e Kryeministrit që i detyron nxënësit të dalin nesër për aktivitetin e tij politik.
Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar shkollat në Tiranë që të thërrasin nxënësit nesër, edhe pse është pushim zyrtar, në mënyrë që t’i shfrytëzojë ata politikisht për aktivitetin që ka planifikuar të bëjë në Ditën e Verës.
Dita e Verës është pushim zyrtar, dhe kjo është kthyer tashmë në traditë disavjecare.
Edhe pse ka në fuqi një vendim të tillë, Edi Rama u ka kërkuar shkollave, që tashmë i ka të gjitha nën kontroll partiak, që të mbushin nesër radhët e eventit të tij.
Me këtë përpjekje të dëshpëruar, në kohën kur ai vetë dhe qeveria e tij kanë humbur mbështetjen e publikut, kur pakënaqësia dhe protesta kanë zënë vend në gjithë Shqipërinë, Edi Rama kërkon të shfrytëzojë nxënësit e shkollave në Ditën e Verës, për t’u dukur se gëzon mbështetje.
Edi Rama po shkel vendimin e qeverisë dhe po nëpërkëmb këtë zakon të bukur të Ditës së Verës, ku nxënësit e kanë pushim prej vitesh.
Edi Rama po shkel dhe një nga premtimet e tij elektorale, më të zëshmin nga ato, kur përbetohej se nxënësit dhe shkollat nën qeverisjen e tij nuk do të shfrytëzoheshin politikisht.
Por kjo mbetet një përpjekje mjerane, pasi opinion publik, dhe gjithë shqiptarët e dinë se në këtë ditë Vere, Edi Rama gjendet në dimrin e tij të vetmisë së madhe, pasi ka hequr dorë nga premtimet elektorale, ka dështuar në krijimin e vendeve të punës, ka krijuar papunësi duke shkarkuar masivisht punonjësit e administratës dhe duke i detyruar bizneset të shkurtojnë stafet e tyre, ka humbur shansin historik të marrjes së statusit, dhe ka shkaktuar dhe shkakton vazhdimisht konflikt politik e social në vend.