Deputeti Bushati denoncon projektin e Ramës për të marrë 11 kompetenca të Presidentit në lidhje me menaxhimin dhe drejtimin e forcave të armatosura.

 

Kryeministri Edi Rama ka hedhur dhe një hap tjetër drejt zaptimit dhe kapjes së institucioneve të pavarura për interesa klienteliste dhe në dëm të shtetit.

Rama kërkon t’i marrë 11 kompetenca Presidentit të Republikës, përsa i përket drejtimit dhe menaxhimit të forcave të armatosura.

Kjo është një sjellje prej veziri e Kryeministrit të vendit, i cili me ndihmën e Mimi Kodhelit, po shtrin tentakulat e tij edhe drejt forcave të armatosura, duke uzurpuar kompetencat e Presidentit sipas ligjit dhe Kushtetutës.

Zaptimi i institucioneve dhe uzurpimi i kompetencave nuk është gjë e re për Ramën.

Vetëm një muaj më parë ai bëri të njëjtën gjë në parlament me rastin e shkarkimit të kreut të ri të ILDKP-së, çështje që tashmë është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Zhvillimi i fundit është një këmbanë alarmi për shtetin ligjor në vend, dhe ndarjen e balancimin e pushteteve sipas Kushtetutës.

Prapa këtij akti, qëndron si plani për zaptimin e institucioneve të pavarura, ashtu dhe skema korruptive e klienteliste.

Pushteti absolut, është korrupsion absolut, dhe Rama me Mimi Kodhelin janë sërish bashkë në këtë aferë.