Deputeti Bylykbashi denoncon kërkesën e Ministrit të Brendshëm drejtuar Presidentit, për të marrë masa ndaj gjykatësit
Pak ditë më parë, Ministri Tahiri iu drejtua Presidentit të Republikës me letër të hapur, ku denonconte gjyqtarët dhe drejtësinë, në një përpjekje për të larguar përgjegjësinë që ai dhe kryeministri kanë për dështimin me rendin dhe sigurinë publike, dhe për rritjen e kriminalitetit në vend.
Por sot zbulohet se z.Tahiri po shfrytëzon karrigen që ka, postin që mban për t’u hakmarrë ndaj gjyqtarëve që e kanë dënuar atë më parë për shpifje.
Konkretisht, z.Tahiri qorton në letrën e tij publike, dhe i kërkon Presidentit të marrë masa ndaj gjyqtarit Edmond Gogo.
Gjyqtari Edmond Gogo ishte pjesë e trupit gjykues të Apelit, në fund të vitit 2012, kur vendosi të lërë në fuqi, vendimin e Gjykatës që Tiranës që e dënonte Saimir Tahirin me 10 milionë lekë gjobë për shpifje.
I dënuari për shpifje sot është Ministër i Brendshëm, dhe po shfrytëzon pushtetin që ka për t’u hakmarrë ndaj një gjykatësi, ndaj një institucioni të pavarur, që vendos mbi bazën e fakteve dhe të ligjit.
Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm po i tregojnë gjyqtarëve se ata duhet të konsultohen me qeverinë para se të marrin vendime, po u tregojnë gjyqtarëve se ata janë hakmarrës dhe mbajnë shënime për secilin prej tyre.
Ky akt është një shenjë shumë e keqe për demokracinë në vend, është minim i sigurisë juridike, pavarësisë së gjyqësorit dhe shkatërrim i institucioneve të pavarura, është shantazh i hapur dhe paralajmërim për çdo gjyqtar dhe për drejtësinë në vend.