Zëdhënësja Vorpsi bën bilancin e krimit të ditëve të fundit, dhe denoncon emërimet e të inkriminuarve dhe militantëve në Policinë e Shtetit
Mbrëmë Edi Rama shpalli luftë edhe me statistikat e Ministrit Tahiri, në përpjekje për të mbuluar të vërtetën mbi dështimin më të madh në këto 23 vite me rendin dhe sigurinë në vend.
Ja kush është bilanci i javës që po mbyllet:
2 tonë marijuanë me origjinë nga Shqipëria është kapur dje në jug të Italisë.
Dy të vrarë mbrëmë në Tapizë, në një atentat mafioz.
Gjendet kufomë e një personi të vrarë e të torturuar në lumin e Vjosë.
Vritet një biznesmen në Shkodër.
Goditet me armë policia në Sarandë.
Ka shpërthyer sot me tritol një makinë në Berat
Atentate dhe plagosje çdo ditë. Kjo është kronika e zezë e ditëve të fundit.
Kriminaliteti njeh vetëm rritje, pasiguria për jetën është shtuar.
Cilat janë masat që ka ndërmarrë Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit?
Ja disa prej masave më të fundit:
Rrustem Mazreku i përjashtuar nga policia e shtetit për falsifikim të dëftesës së shkollës së mesme, i proceduar penalisht për këtë vepër, është emëruar shef i komisariatit të Hasit.
Ilir Roka, i përjashtuar nga policia për ngjarjen e 9 janarit 2004 ku humbën jetën 21 qytetarë, është emëruar shef i qarkullimit në Vlorë
Alban Elezi i dënuar me 4 vite burg për përfshirjen në një vrasje, është emëruar së fundmi në njësinë e autostradave.
Kjo është situata alarmante e rendit, dhe e degjenerimit të Policisë së Shtetit, me përfshirjen e personave të inkriminuar dhe të militantëve jo profesionistë, të cilët janë në shërbim të partisë dhe përfitimit personal, dhe jo në shërbim të interesave të qytetarëve.