Reagimi i Ish-kryeministrit Berisha pas fjalës së ministrit Cani ne Parlament
Berisha: “Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Të nderuar zonja deputete, zotërinj deputetë,
Nuk dola ti përgjigjem zotërisë sepse më erdhi në mend një frazë; – “një qyqar me një gomar, vjedhin një thesar”. S’kemi se çfarë ti themi. Në fakt i kuptoj, se bossi i tij, i tmerruar nga kjo marrëveshje, përdori të gjithë fjalorin e paimagjinueshëm për një zyrtar, dhe ai natyrisht për pozicionin që ka i takon të jetë një krye-horr, ndërsa ky është një horr i vogël në krahasim me të. Këto desha të them për këta zotërinjtë që kanë frikë dhe tmerr nga kjo marrëveshje, por duhet të kesh zbrazësinë totale morale të tyre, që të përpiqesh të fshehësh me sharje ordineri kushtet e rënda, rezultat total i mosbesimit të Fondit për realizimin tuaj.
Deklarojnë se kanë mbledhur 150 milionë. Kanë mbledhur gjithsej nga 400 milion të parashikuara, vetëm 8 milionë. Po informoj shqiptarët se për të njëjtën periudhë krahasuar me muajt e fundit të qeverisjes së PD-së, kanë paguar 32 milion dollarë më pak TVSH dhe se në të njëjtën periudhë qeveria që shkoi, ka paguar bizneseve 140 milion dollarë më shumë. A doni t’ju jap realizmin e akcizave? Aty i keni. Shihni sesi ka rënë me 60% zhdoganimi i pijeve alkoolike, shiheni sesi ka rënë me 90% zhdoganimet e tjera, shikoni se ku po rrokulliseni dhe këtë rrokullisje do ta kompensoni me rritjen e 12 taksave. Dhe besoni se shqiptarët do të besojnë në mashtrime të tilla, se nuk ju kemi rritur por jua kemi ulur taksat! Po ky është cinizmi më ekstrem. Dhe besoni se shqiptarët do t’ju duartrokasin se zotoheni se për çdo biletë të udhëtimit do t’i tatoni. Se zotoheni se do të rrisni me 50% taksën për makinat e përdorura, se u zotoheni njerëzve më të lodhur në Europë, se do t’jua zgjasni pensionin në 67 vite.
Ju këtë marrëveshje e keni ferr dhe tmerr, sepse kjo përbën rëndimin më të madh në 23 vite mbi qytetarët shqiptarë dhe kjo është marrëveshje e mosbesimit total e FMN ndaj jush nga germa e parë në germën fundit”.
***
Ndërhyrja e dytë e ish-kryeministrit Berisha për nxjerrjen nga salla e Kuvendit të fotografit Hamza Hatika:
Berisha: “Zoti bashkëkryetar,
Në seancën e kaluar këtu në Parlament ka ndodhur një ngjarje e paprecedent në 22 vite të ekzistencës së Parlamentit. Rojet e Parlamentit kanë nxjerrë nga Parlamenti forcërisht fotografin e akredituar nga Parlamenti Hamza Hatika, me urdhër të zotit Rama, për fajin e vetëm se ai e kishte fotografuar atë në disa poza, të cilat vlerësoheshin jo normale. Ky përbën një akt shumë të rëndë të qëndrimit ndaj mediave, sepse për fotografin editorial apo kronikë është fotografia dhe të fajësohet ai pse personi që fotografohet bën poza anormale apo paraqitet në gjendje psiqike anormale, kjo nuk mund të ndodhë në asnjë Parlament demokrat të botës.
Prandaj ju lutem të merrni masa urgjente për rikthimin e fotografit dhe për të ndaluar në mënyrë përfundimtare ndërhyrjet e tmerrshme të kreut të ekzekutivit mbi mediat. Po i çmend gazetarët. Pronarë që ju kërkon të heqë këtë drejtor gazete, të heqë atë kryeredaktor gazete, atë drejtor lajmesh etj. Kërkoj rikthimin e Hamza Hatikës, sipas akreditimit që i ka akorduar Parlamenti, bazuar në procedurën e tij”.