Deputeti Noka bën të ditur nismën e PD për të thirrur në seancë dëgjimore urgjente në Komisionin e Sigurisë, Ministren Kodheli.

 

Ndërkohë që forcat e armatosura gjenden përballë akuzës më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar, se bazat e saj janë përfshirë në trafikun e drogës, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka 4 ditë që është zhdukur, dhe papritur del në skenë një ambjentalist.

Ambjentalisti që doli sot nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës dhe të mbarë publikut tashmë, se a ka informacion Ministrja e Mbrojtjes për përfshirjen e institucionit që drejton në trafikun e drogës.

Zonja Ministre mos u fsheh por përgjigju: A keni informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura për trafik droge?

Nëse ke informacion, çfarë masash ke marrë para fakteve të tilla tronditëse.

Zonja Ministre nuk mund ti fshihet pafundësisht transparencës.

Partia Demokratike do të depozitojë nesër në Komisionin e Sigurisë kërkesën për seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrojtjes, për të zbardhur këtë skandal, më i rëndi në historinë e forcave tona të armatosura.

Përfshirja e ushtrisë tonë në trafik droge, është dëmtimi më i madh që mund ti bëhet imazhit të vendit tonë, është shkatërrim i rolit dhe i përgjegjësive që kemi si anëtar të NATO-s.

Ministrja duhet të japë llogari për këto të dhëna tronditëse, dhe përgjegjësitë e saj dhe të kryeministrit, për këtë aferë që e njollosin Shqipërinë anëtare të NATO-s me turpet e një republikë të dështuar të trafikut të drogës.