Zëdhënësja Vorpsi denoncon politikat e qeverisë që sollën vetëvrasjen e një nëne, dhe emërimin në postet kyçe të personave me precedentë penalë

 

Rilindja e Edi Ramës i mori jetën një gruaje në Korçë, duke e çuar në vetëvrasje pas largimit nga puna pa motiv ligjor.

Po ju paraqesim sot tre raste, se si funksionon meritokracia e kësaj qeveria, kodi etik dhe shanset e barabarta pikërisht në Korçë. 

Drejtor i Metrologjisë është emëruar Muharrem Meko, ish-kryetar i PS-së në Korcë, i dënuar nga Gjykata për veprën penale të pengimit të vendimit gjyqësor.

Në krye të kualifikimit profesional, është emëruar Anxhela Taho, kryetarja e FRESH-it, e cila është e përfshirë në hetimet e prokurorisë si organizatorja e blerjes së votave për zgjedhjet lokale në Korçë, e kapur në flagrancë me zë e me figurë.

Drejtor i Shërbimit Pyjor në Korçë, është emëruar Arsen Selimi, ndaj të cilit një gjykatë në Amerikë ka vendosur t’i refuzojë qëndrimin atje dhe ta kthejë në Shqipëri me akuzën e dhunës në familje dhe të mashtrimit.

A mund të na thotë z.Rama se cilin nen të kodit të etikës ka zbatuar në këto tre emërime.

Në kodin e etikës, Rama është angazhuar për transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj publikut. A mund t’i thotë Kryeministri publikut, se cilin nen të kodit ka respektuar ai, në rastet që ne kemi denoncuar e denoncojmë çdo ditë me emërimet e personave me precedent penalë, në zyrat e punës, në CEZ, në sektorët kyç të Ministrive, në drejtoritë rajonale, nga Korça, Kavaja, Tropoja e kudo në Shqipëri.